GRUA!

Grua!…

Po pra, grua!…

Mëlmesë e jetës, a limfë rinimi,

që ua bën të mundur ditëve

shumëzimin edhe shkuarjen

tutje në t’ardhme.

Ajo ç’u lë shenja gjaku

shekujve të pambarimtë

t’dhimbjes e t’gjakut.

Pranvera, nga fillimi n’fund,

e të gjitha stinëve.

Pranvera edhe e dimrave

më t’acartë t’mendimit.

E qorrit, drita je, grua –

formë e shpirt, shpirt e formë – dritë e lagur.

Dritë përthithëse

e shdërrimit më ndijor.

Shprehësì e lakuriquar

e bukurisë hyjore.

Acar e zjarr – grua –

zjarr e acar.

Acar i zjarrit të gjithë zjarreve.

Zjarr i acarit të gjithë acareve.

Kripë e plagës, kripë e bukës.

Frymë, frymë e frymës.

Frymë, përherë e munguar,

edhe kur je

me shumë, shumë frymë.

Frymë që t’deh, t’përthith

deri n’harrime,

deri n’përcëllime…

Grua, pra!

Po pra, dritë – grua lakuriqe!

Më e përkryera sajesë

e dëshirimit

të Zotit n’Tokë!…

 

Poezi nga Shazim Mehmeti

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button