Shumëllojshmëria e energjisë

Pjesa veriore e Gjermanisë është e njohur për prodhimin e energjisë së rinovueshme nga era. Para njëzet viteve ndodhi që të udhëtoja me tren nga qyteti i Dyseldorfit për në Hamburg. Ndërsa i afroheshim veriut, numri i madh i turbinave të erës që e shndërrojnë energjinë kinetike në fuqi mekanike dhe prodhojnë energji fillohej të rritej nga dhjetra në qindra. Si gazetar që vija nga Ballkani u befasova nga të rejat dhe mënyrën se si shteti gjerman e kishte projektuar të ardhmen energjetike.

Me vite zyrtarë të lartë të Maqedonisë së Veriut (MV) janë shprehur se një ditë do të kemi energji elektrike të lirë, gaz natyrorë, energji nga dielli, të erës dhe shumë ide që nuk po gjejnë zbatim ose as që kanë filluar. Zyrtarë komunash dhe ministri kanë dhënë premtime për kohën se kur do të mund të përfundojnë punimet rreth gazifikimit të mundshëm të vendit. Më herët, kemi shkruar rreth sigurisë së energjisë që është e lidhur ngushtë me infrastrukturën kritike dhe aspektet tjera të politikës së jashtme dhe të mbrojtjes.

Në MV, pjesa më e madhe e furnizimit me naftë dhe gaz kontrollohet nga ndërmarrjet private që njëherit së bashku me Komisionin Regullator bëjnë caktimin e çmimit të energjisë elektrike dhe derivateve të naftës. Korporatat më të mëdha të prodhimit të energjisë elektrike dhe të përçimit janë përfituesit më të mëdhenj të benifiteve nga qeveria, por sipas vlerësimeve të shtypit, po të njëjtat janë edhe përthithësit e parave të qytetarëve për arsye të çmimeve të larta të energjisë, korrupsionit dhe monopolit. Zakonisht në shtetet perëndimore, energjia dhe gazi janë të diversifikuara dhe konkurenca është e hapur për një çmim të volitshëm për konsumatorin.

MV është plotësisht e varur nga importet e naftës dhe gazit dhe çmimet e naftës dhe gazit ndjekin çmimet e tregjeve ndërkombëtare. Krizat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe në caktimin e çmimeve të reja që zakonisht janë marramendëse për një shtet si MV.

Vendi dhe qeveria kanë disa alternativa për të bërë furnizimin me gaz dhe po ashtu zhvilluar sektorin e prodhimit të energjisë së rinovueshme. Përveç tubacioneve “Rrjedhja Jugore- Turke” dhe “Tesla” që janë projekte dhe nisma ruse ose hibride, MV-ja ka zgjidhje tjera si p.sh. “TAP” dhe gazin grek që në një farë mënyre do ta bëjë vendin deri diku të varur nga Greqia po jo edhe aq nga Rusia. Gjithashtu, është e gazi i lëngshëm (LGN), por rajoni dhe MV-ja nuk kanë ende kapacitete për LGN amerikane dhe as që posedojnë terminale. Pasi vendi përgatitet për në Bashkimin Evropian (BE), Kapitulli i 15 i “Aqusis”-it i unionit që ka të bëjë me energjinë thotë: “Objektivat e politikës energjetike të BE-së përfshijnë përmirësimin e konkurrencës, sigurinë e furnizimit të energjisë dhe mbrojtjen e mjedisit”.

Siç vërehet, Kapitulli i energjisë përbëhet nga rregulla dhe politika, veçanërisht në lidhje me konkurrencën dhe ndihmat shtetërore, tregun e brendshëm të energjisë (hapja e tregjeve të energjisë elektrike dhe gazit, promovimi i burimeve të rinovueshme të energjisë), efikasitetin e energjisë…

Rrugët alternative të gazit e forcojnë sigurinë energjetike të MV-së dhe të vetë BE-së në strategjinë e përballjes me Rusinë me rrjetin e gazit “Nord Stream” që së bashku me Gjermaninë ka gjasa ta ndryshojë BE.

Një zhvendosje e mundshme në raportet gjermano-ruse do të kishte pasoja dhe efekte në Ballkanin Perëndimor në furnizimet me gaz dhe projektet e së ardhmes që varen nga BE-ja dhe qeveritë e rajonit. Koha është që qeveria në Shkup të vendosë disa përparësi me gazin dhe energjinë e rinovueshme si pjesë të sigurisë energjetike.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button