Brazilit “i duhen 10 miliardë dollarë në vit për të arritur në emetime zero”

Ministri i Ambientit në Brazil Ricardo Salles ka thënë se këtij shteti i duhet ndihmë e jashtme në vlerë të 10 miliardë dollarëve në vit, në mënyrë që të arrijë në emetime zero të karbonit deri më 2050. Sipas një plani të tillë, Brazili do të mund të arrinte te kjo figurë simbolike, 10 vjet më herët sesa ishte planifikuar, transmeton REL. 

Këto deklarata janë bërë pak para nisjes së samitit për klimën, që mbahet javën e ardhshme dhe drejtohet nga presidenti amerikan Joe Biden.

Politikat për ambient të Brazilit kanë nxitur kritika të mëdha prej kur presidenti Jair Bolsonaro ka nisur të udhëheqë këtë vend dy vjet më parë.

Ai ka inkurajuar aktivitete bujqësore dhe ato të minierave në rajonin e Amazonës.

Ministri Salles ka thënë se 1 miliard dollarë do të përdoreshin për të ndaluar plotësisht shpyllëzimet ilegale në rajonin e Amazonës deri më 2030.

Thirrja e tij për ndihmë të huaj vjen teksa Qeveria e Bolsonaros është duke tentuar të negociojë një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara, sipas së cilës do të siguronte ndihmë financiare, në këmbim të ruajtjes së Amazonës.

Ky veprim është kritikuar nga ambientalistët dhe grupet indigjene, të cilat thonë se nuk janë konsultuar për këto plane.

Në një raport të publikuar nga Agjencia Hapësinore e Brazilit më 2020, është thënë se shkalla e shpyllëzimit në Amazonë ka arritur në nivelin më të lartë në 12 vjet.

Ky rajon është shtëpi e rreth tre milionë gjallesave dhe bimëve, dhe rreth 1 milion indigjenëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button