Rrugët Ballkanike për në BE: Kosova, nga pavarësia drejt normalizimit

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova

Shteti më i ri në rajon – Kosova e shpalli pavarësinë në 2008, por ende po lufton për vend në rendin ndërkombëtar. Pak më shumë se gjysma e anëtarëve të KB e njohën këtë shtet si të pavarur, shumica e tyre madje edhe para se Gjykata ndërkombëtare e drejtësisë të thotë që deklarata e pavarësisë nuk ishte në kundërshtim me normat ndërkombëtare (në 2010). Sigurisht, mbështetja e Shteteve të Bashkuara dhe pjesës më të madhe të anëtarëve të BE-së është më e rëndësishmja për Kosovën. Sidoqoftë, pesë anëtarë të BE-së ende nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur – Greqia, Qipro, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.

Pavarësisht problemeve me njohjen, si Kombet e Bashkuara ashtu edhe BE kanë gjetur mënyra për të zbatuar instrumentet e tyre në Kosovë. Kombet e Bashkuara vazhduan misionin e tyre UNMIK, të themeluar në vitin 1999, derisa BE-ja vendosi një mision të veçantë për sundim të ligjit. Kështu, në Kosovë tani ka një Përfaqësues Special nga KB dhe një Përfaqësues Special nga BE.

Bashkimi Evropian nënshkroi një Marrëveshje Stabilizimi dhe Asociimi me Kosovën në 2016. Ndryshe nga marrëveshjet e tjera me vendet në rajon, kjo marrëveshje është ndërmjet BE-së dhe jo vendeve anëtare dhe Kosovës, me çka u shmang bllokimi i mundshëm nga vendet anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën.

Procesi i liberalizimit të vizave filloi në 2012, ndërsa Komisioni Evropian konstatoi se Kosova i plotëson kushtet në 2018. Sidoqoftë, që nga ajo kohë asnjë marrëveshje nuk është arritur midis vendeve anëtare të Këshillit të BE që qytetarët Kosovës të jenë në gjendje të udhëtojnë në BE pa vizë, megjithëse ky ishte një nga prioritetet e presidencës gjermane vitin e kaluar. Përndryshe, në Ballkanin Perëndimor, të gjitha vendet kanë regjim pa viza me njëri-tjetrin, përveç Kosova dhe Bosnja e Hercegovina.

Çështja kryesore për Kosovën mbeten marrëdhëniet me Serbinë. Zyrtarët e Kosovës dhe Serbisë janë në dialog për normalizimin e marrëdhënieve qysh para se Kosova të shpallë pavarësinë. Marrëveshja e Brukselit e vitit 2012 mundësoi që Serbia të fillojë negociatat me BE, ndërsa Kosova të fillojë dialogun e liberalizimit të vizave. “Ndërkëmbëza” në dialog shfaqeshin sa herë që në bisedime prekeshin “çështjet e nxehta”, si statusi i komunitetit serb – kryesisht në Mitrovicën e Kosovës. Në 2018, negociatat praktikisht ngrinë kur Kosova vendosi normë doganore 100% për produktet nga Serbia dhe BiH, e cila u shfuqizua vitin e kaluar.

Bashkimi Evropian u imponua si ndërmjetësi kryesor në kontest duke kushtëzuar perspektivën Evropiane edhe për Kosovën edhe për Serbinë me progresin në dialogun e tyre për normalizim të marrëdhënieve. Episodi i Trampit që mundësish të marrë timonin në ndërmjetësimin Kosovë-Serbi, nga shtatori i vitit të kaluar, pa u konsultuar me Brukselin, duket se do të kapërcehet me qasje e paralajmëruar të koordinuar mes BE dhe -SHBA në këtë çështje.

Një nga zgjidhjet e përmendura për kontestin Serbi-Kosovë – shkëmbimi i territoreve – gjithmonë ka hasur në kritika të forta në BE, veçanërisht nga Gjermania, e cila ka thënë se kjo do të hapte kutinë e Pandorës në rajon. Sidoqoftë, ajo duket se po hapet me idetë e promovuara së fundmi në një non-paper të famshëm të kryeministrit slloven Janez Jansha, i cili e ngre çështjen e kufijve në rajon dhe propozon bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës.

Stabiliteti i brendshëm politik mbetet një çështje kritike për Kosovën. Deri më tani, asnjë qeveri nuk ka qenë në gjendje të mbajë mandat të plotë, kryesisht për shkak të koalicioneve të brishta. Nga ana tjetër, fillimin entuziast pas fitimit të pavarësisë me shumë kuadro të rinj dhe profesionistë të cilët hynë në administratën publike dhe supozohej se do të përfaqësonin elitën e re të Kosovës, sikur po e le në hije politizimi në rritje – që gjithnjë e më shumë po kritikohet nga Brukseli. Duket se qeveria e re e Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Vjosa, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka shanse të zgjasë një mandat të plotë, por vetëm nëse vendos përparësitë e duhura dhe arrin ndryshimet për të cilat votuan qytetarët e Kosovës.

Nga ana tjetër, analistët janë më të përmbajtur për sa i përket mundësive për të intensifikuar negociatat me Serbinë. Megjithatë, urimet e BE për zgjedhjen e kryeministrit të ri të Kosovës erdhën me një ftesë të hapur në raundin tjetër të bisedimeve me Beogradin. Sidoqoftë, veçanërisht pas krizës KOVID-19, gjithnjë e më shumë po parashtrohet pyetja se sa tërheqëse do të jetë BE-ja, e me të edhe fuqia e saj për të ndikuar në çështjen kritike të marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button