RMV, Klubi Parlamentar është i padukshëm për Çështjet e Rinisë, deputetët merren me politikë ditore

Klubi për çështjet dhe politikat për rininë në Kuvend, i përbërë nga deputetë të rinj nuk është mjaft i dukshëm për publikun, ndërsa deputetët e rinj shpesh janë të preokupuar me ngjarje të politikës ditore, sesa me çështje konkrete të rinisë. Ndërkohë, të rinjtë duhet të adresojnë në mënyrë aktive pyetjet dhe kërkesat e tyre deputetëve të rinj. Ky është përfundimi i përgjithshëm i ngjarjes së sotme që u përqendrua në ndërgjegjësimin më të madh të publikut dhe veçanërisht të të rinjve me aktivitetet dhe rolin e klubit, të organizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer në bashkëpunim me Klubin Parlamentar për çështje dhe politika rinore, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Në këtë ngjarje u drejtua së pari përfaqësuesi zyrtar i Fondacionit Konrad Adenauer, Daniel Braun, i cili vuri në dukje se situata me pandeminë padyshim i vendosi të moshuarit në shoqëri në piedestal sepse është e nevojshme.

“Kam përshtypjen se është gjithashtu e nevojshme që vëmendja e njëjtë t’u kushtohet edhe më të rinjve, veçanërisht në drejtim të krijimit të një të ardhme pas pandemisë, e cila mendoj se nuk është në fokus aq sa është me të vërtetë e nevojshme. Mendoj se Klubi i deputetëve të rinj është qasje e mirë sepse, krahas pandemisë ka shumë dilema politike që duhet të adresohen nga perspektiva e brezit të ri”, deklaroi Braun.

Kryetari i Këshillit nacional rinor i Maqedonisë, Bojan Petrovski iu referua vetë titullit të ngjarjes “Klubi për të rinjtë apo Klubi i të rinjve?” Dhe siç tha ai, përse ai Klub të mos i kryejë të dy funksionet.

“Klubi për të rinj është ajo që u themelua si organ i deputetëve të rinj të cilët duhet të kontribuojnë dhe përfaqësojnë çështjet dhe interesat e të rinjve. Pjesa tjetër është problematike, gjegjësisht Klubi i të rinjve, i cili përbëhet nga deputetë të rinj. Që nga pavarësia e vendit, kemi pas rreth 42 deputetë të rinj, që është 4.2 % e deputetëve me mandat që është numër jashtëzakonisht i vogël që flet shumë gjëra, përfshirë besimin dhe perceptimin e të rinjve në lidhje me funksionalitetin e Kuvendit. Pikërisht këta deputetë mund të ndryshojnë komplet fotografinë se si deputetët duhet të luftojnë për të drejtat e të rinjve dhe si t’i përfaqësojnë të rinjtë”, tha Petrovski, i cili shtoi se për këta deputetë duhet të jetë edhe kënaqësi edhe përgjegjësi për besimin që u është dhënë, e jo të jetë obligim.

Petrovski gjithashtu vuri në dukje se jo vetëm në Parlament, por edhe në hapësirën mediatike, deputetëve të rinj nuk u jepet mundësia dhe tema e të rinjve nuk imponohet, sepse më së shpeshti ata kanë diskutuar për tema tjera të rëndësishme shoqërore në vend.

Deputeti nga VMRO-DPMNE, Timço Mucunski u pajtua me Petrovskin, duke shtuar se pozicioni i vështirë fillestar për këtë Klub është se në përbërjen e mëparshme parlamentare ky Klub nuk kishte një shkallë të lartë të dukshmërisë, për çka rol të madh kanë luajtur mediat.

“Debatet që organizohen në media janë kryesisht për tema të politikës ditore sepse ato janë me interesante dhe kanë shikueshmëri më të madhe. Deri tani, unë nuk kam parë një debat më të dukshëm në televizionin kombëtar në lidhje me politikat rinore, ku ne mund të debatojmë para publikut, i cili do të afirmojë atë që është bërë. Përparësi për këtë Klub do të ishte nëse ai përqendrohej vërtet në politikat rinore, në vend të politikave ditore”, tha Mucunski.

Monika Zajkova, deputete e re nga Partia liberal demokratike tha se ekzistojnë katër lloje të rinjsh në vend: të rinj që nuk janë të interesuar për politikë, të rinj që janë vëzhgues të procesit dhe dinë disa gjëra themelore, të rinj që duan të përfshihen, por nuk e dinë, si dhe ata të rinj si ata, të cilëve u jepet besimi për të përfaqësuar të rinjtë.

“Shumë shpesh flasim për atë se si dhe çka duhet, por duhet të jem e sinqertë se në Parlament fokusi nuk është në të vërtetë në prioritetet e të rinjve dhe ndonëse jemi deputetë të rinj ne nuk jemi gjithmonë të orientuar drejt këtyre çështjeve, dhe këtë e dëshmon fakti se deri më tani janë mbajtur dy debate publike, të cilat unë nuk i nënvlerësoj, por tani do të shohim rezultatet e atyre debateve”, tha Zajkova, duke u bërë thirrje të rinjve që të paraqesin pyetje drejtpërdrejt tek ata në mënyrë që ata të dinë se çfarë u duhen të rinjve në të vërtetë, pa u imponuar nga vetë deputetët.

Jovan Jauleski deputet dhe koordinator i Klubit për çështje dhe politika rinore theksoi se Klubi duhet të përqendrohet në zbatimin e Ligjit tashmë të miratuar mbi Pjesëmarrjen rinore dhe politikat rinore, i cili sipas tij është bazë e mirë për të rinjtë që të përfshihen në procesin e vendimmarrjes, si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror.

“Ajo që më shqetëson mua si një deputet i ri është zbatimi dhe tejkalimi i afateve që ndodhin nga institucionet dhe për këtë arsye unë i bëj thirrje sektorit të OJQ-ve që së bashku të rrisim presionin ndaj atyre që duhet të zbatojnë aktivitetet e parashikuara nga ligji”, tha Jauleski.

Deputetja e BDI-së Fisnike Bekteshi Shaqiri tha se si deputetë të rinj ata duhet të angazhohen për integrimin dhe zhvillimin e kapaciteteve rinore, por edhe përfshirjen e tyre në vendimmarrjen politike.

“Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet pjesëmarrjes rinore dhe vendimmarrjes në interes të të rinjve dhe realizimit të kërkesave të tyre. Të rinjtë duhet të përfshihen në jetën politike, të tregojnë interes dhe të marrin iniciativa në relacion të të gjithë të rinjve pa marrë parasysh statusin ekonomik, shoqëror, identitetin gjinor ose përkatësinë politike. Roli i tyre në nivel lokal dhe qendror në hartimin e politikave është shumë i rëndësishëm sepse në të kaluarën të rinjtë nuk janë konsultuar. Kjo është arsyeja pët të cilën ne duhet të marrim pjesë dhe të synojmë demokratizimin e institucioneve dhe miratimin e politikave lokale të bazuara në kërkesat e të rinjve”, tha Shaqiri.

Deputetët Artina Qazimi nga Aleanca e Shqiptarëve dhe Safije Sadiki Shaini nga Alternativa pajtohen se pandemia prek padyshim të rinjtë, jo vetëm për sa i përket shëndetit fizik dhe mendor, por edhe ekzistencës dhe jetës shoqërore të tyre. Sipas tyre, pas pandemisë, këto çështje duhet të jenë në fokus, në mënyrë që statusi i të rinjve në shoqëri të përmirësohet.

Panelistët në këtë ngjarje ranë dakord që ka komunikim midis tyre, por kur bëhet fjalë për përafrimin me iniciativat, i gjithë procesi dështon.

Përndryshe, Klubi parlamentar për çështje dhe politika rinore, duke ndjekur shembullin e Parlamentit Evropian dhe parlamenteve të tjera të Evropës Perëndimore, u krijua për herë të parë në vitin 2017. Më vonë në 2019, ai u formua me deputetë- përfaqësues të rinj.

Klubi është një organ joformal i përbërë nga anëtarë të të gjitha partive parlamentare që për qëllim e ka arritjen e interesave të të rinjve në RMV, në bashkëpunim me organizatat rinore, grupet joformale të rinisë dhe të rininë partiake.

Ngjarjen e sotme u moderoi Ivan Jovanov, drejtor ekzekutiv i Liderë për edukim, aktivizëm dhe zhvillim (LEAD).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button