Përshëndetja me politikën

Mbreti Artur si këmbim për dënimin e tij me vdekje, duhej të gjejë përgjigje të logjikshme në pyetjen – Çka dëshiron secila grua? Kishte pyetur mbretëresha, princesha, murgesha, dijetare, prostitute, por assesi se kishte gjetur përgjigjen adekuate. I patën thënë se përgjigjen e saktë mund t’ia jep vetëm Shtriga e keqe. Kur, Artur i ishte drejtuar saj, ajo për kundërshërbim i kishte lypur që ai të ndihmojë që ajo të martohet me mikun e tij të afërt Ser Gavejn. Artur në vete kishte menduar – e si kur ajo është aq e shëmtuar, e shtrembëruar dhe e ka vetëm një dhëmb. Asnjëherë më parë Artur nuk kishte parë diç më të shëmtuar. Por, kur Ser Gavejn kishte kuptuar për kushtin që duhej ta plotësonte miku i tij për të shpëtuar jetën, ai ishte pajtuar që të martohet me te. Përgjigja në pyetjen enigmatike kishte qenë – “Secila grua dëshiron të jetë zot i vetvetes”.

Erdhi koha e martesës. Në mbrëmje të martuarit shkuan në dhomën e tyre. Shtriga për një moment hyri në tualet dhe pas një kohe doli si një princeshë me bukuri të rrallë. Ser Gavejn u par habitur nga kjo mrekulli. Asnjëherë më parë nuk kishte parë një bukuri të tillë. Por, gruaja i tha që ai duhej të zgjedhë se kur ajo mund të duket si princeshë e kur si shtrigë. Gavejn ishte në një dilemë të vështirë. Të pajtohet që ditën gruaja e tij të duket si princeshë, me çka do të krenohej para botës, por natën të flejë me një shtrigë, apo ta bëjë të kundërtën – natën të ketë një princeshë të rrallë në shtrat, por ditën do të duhej të jetojë më një shtrigë. Më në fund Gavejn vet i la mundësinë e zgjedhjes gruas së vet. Prej atij momenti ajo gjithë kohën ishte vetëm një princeshë. Pasi burri i kishte mundësuar që ajo vet të zgjedhë. Pra, vet të jetë zot i vetvetes. 

Organizimi ynë politik nuk jep shumë shanse për zgjedhje që njerëzit të jenë vet zot të vetvetes. Pasi çdo gjë është e partizuar, kurse mundësia që të jeni zot i vetvetes është e mundshme vetëm në një shoqëri të zhvilluar, ku shteti është vetëm rregullator, kurse partia gati asgjë. Por, ky është realiteti i vetëdijes dhe kulturës sonë politike. Ndonjëherë edhe shtriga na duket si princeshë apo princesha si shtrigë. Ditën duam të kemi një princeshë për çallëm para botës, qoftë edhe me çmim që natën ta kalojmë me një shtrigë të shëmtuar. Por, ata që menaxhojnë me popullin duhet ta dinë se historia e hershme apo e vonshme është ajo që do të gjykojë. Ashtu siç do të paguajë tani një prijës i një partie të vogël e me pretendime dhe apetite të mëdha, i cili menjëherë pas zgjedhjeve do t’ia vërë drynin partisë së vet, pasi lëvdatat i kishte gjer në qiell kurse punët as në tokë. Tjerët duhet të marrin shembull se çka mund t’i pret. Në skenën politike shqiptare në Maqedoni do të mbeten vetëm dy subjekte politike. Njëra me përgjegjësi të madhe akoma të padëshmuar në sferën e zhvillimit ekonomik dhe tjetra që më tepër i përngjan një firme private. Fati i tyre po ashtu mund të jetë tejet i brishtë, nëse nuk bëjnë riorganizim skajshmërish serioz.

Elitat politike kanë përgjegjësi historike që qytetarëve të fillojnë t’ua zgjidhin problemet jetike të të gjitha sferave dhe lëmive – ekonomike, sociale, arsimore, kulturore, shëndetësore etj. Degradim është që dikush të merr rrogë dhe të qëndrojë në shtëpi. Ajo askund në botë nuk ka ndodhur, as që ka për të ndodhë. Me ato mjete kanë mund që të hapin ndonjë kapacitet ekonomik dhe shumëçka do të ishte edhe më profitabile por edhe më normale. Janë harxhuar më përallat e ikonografive, e statueve dhe e simboleve që nuk ndihmojnë për asgjë. Edhe një vend pune në ekonomi ka peshën më të madhe së një mijë përralla që krijojnë vetëkënaqësi të rrejshme.

Fakt është se e pavërteta gjithherë mbërrin para kohe, kurse e vërteta gjithherë është në vonesë. Përderisa e vërteta lidhë këpucët, rrena ka rrotulluar botën. Por, kurdoherë do të bëhet publike, pasi anija e cila nuk di se ku duhet të shkojë në fakt nuk mbërrin askund. Asaj nuk i ndihmojnë kurrëfar erërash, të cilat edhe ashtu fryjnë në kahje të ndryshme. Këso anije shpejtë mund të shndërrohet në anije kusarësh apo piratësh. Tani është kristal e qartë se anija jonë gjithë kohën është duke lundruar pa busulle. Kurse ne i përngjajmë Kristofer Kolumbës – pasi ai kur u nis nuk dinte se ku shkon. Kur mbërrini në një vend nuk dinte se ku gjendet. Kur u kthye nuk dinte se ku ka qenë.  

Diskriminimi ndëretnik mbetet i thellë sidomos në sferën e ekonomisë. Edhe ato pak investime nga jashtë të lobuara nga qeveria, të gjitha orientohen nga pjesa lindore e shtetit. Të tilla janë – ,,Jonson Controls,, (investim shtesë) ,,Johnson Meti,, (poashtu investim shtesë) ,,Technnohaze Kemet Electronics,, ,,Cromberg & Shubert,, ,,Prota,, ,,projekti i Kavadarit,, ,,Grishko,, (fabrikë ruse për pajisje estradash) etj. Vlera e tyre do të arrijë në afro një miliardë euro, kurse priten të punësohen rreth 15 mijë veta. Nëse kështu vazhdohet, një diskriminim i tillë do të mund të përfundojë shumë keq, madje jo vetëm për shqiptarët. 

Poashtu, përgjegjësi edhe e jona është që jemi në një izolim të plotë ndërkombëtar. Këtë pushtet më askush nuk e viziton, e as që ndokush e thirr për ndonjë vizitë pune apo rutinore, përveç shatëll-udhëtimeve që kanë për qëllim ushtrim të presionit për t’i detyruar në diçka. Bota tani e ka të qartë se këtij pushteti as që i bëhet më vonë për NATO dhe Union Evropian. Flitet se në këtë shtet të vogël e me probleme të mëdha gradualisht është duke u instaluar formë e maskuar e diktaturës. Se shumë mediume janë në masë të madhe nën kontrollin qeveritar. Se intelektualët në përmasa dërmuese janë në heshtje apo konformizëm. Se pushteti ekziston vetëm për vetveten. Se demokracia është shndërruar në improvizim. 

Sipas të gjitha gjasave, këtij viti kualiteti i organizimit politik në kampusin maqedonas, në rend të parë në opozitën maqedonase, pritet që të pësojë ndryshime radikale në kuptimin pozitiv. Pala shqiptare duhet të jetë e gatshme, pasi që çdo vonesë apo papërgatitje do t’i kushtojë shumë. Uashingtoni dhe Brukseli janë të lodhur me çfarëdo liderësh të këtuit. Ata duan parter për koordinim e jo për pengim. Definitivisht duhet të pushojmë të krenohemi me aso organizimi politik me të cilët bota normale turpërohet. Shqiptarët duhet të kuptojnë së ,,shehadeti,, i organizimit politik të tyre  duhet të jetë zhvillimi ekonomik, zonat industriale, zonat e lira, kapaciteti i shfrytëzimit të fondeve të UE-së.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button