Argumente dhe akuza ndërpartiake në vend të vaksinave

Vanja Stokic 400x500
Vanja Stokiç

Përveç disa përpjekjeve të izoluara, shumica e njerëzve nuk reagojnë dhe nuk kërkojnë llogari nga institucionet. Ata madje nuk e pranojnë as mundësinë e rrallë që u ofrohet për t’u vaksinuar. Sikur duan të presin, për të parë nëse kundërshtarët e vaksinimit apo mjekët kanë të drejtë dhe si do të përfundojë e gjithë drama e furnizimit me vaksina. Me shumë gjasë do të jetë tepër vonë atëherë.

Nga marsi i vitit 2020 e deri më sot, në Bosnjë dhe Hercegovinë nga koronavirusi kanë vdekur më shumë se 7.500 qytetarë. Aktualisht, rreth 35.000 qytetarë janë të infektuar. Sipas të dhënave të Jones Hopkins, Bosnja dhe Hercegovina renditet e para në rajon dhe e teta në botë për sa i përket vdekshmërisë nga koronavirusi. Spitalet dhe klinikat janë përplot. Punonjësit e varrezave ankohen se nuk mund të arrijnë të bëjnë aq shumë punë, sepse kapacitetet e tyre prej kohësh janë në minimum.

Njëherësh, vaksinimi masiv nuk ka filluar ende dhe nuk dihet se kur do të fillojë. Përpjekjet aktuale për vaksinim dhe furnizimi i disa mijëra dozave nuk mund të quhet vaksinim masiv. Bosnja dhe Hercegovina nuk mund të linte mënjanë akuzat partiake dhe përçarjen kombëtare, madje edhe për të mirën e qytetarëve të saj. E ndërlikuar gjithsesi për shkak të rregullimit të saj administrativ (dy entitete, Rrethi Brçko dhe dhjetë kantone), Bosnja dhe Hercegovina zhvendos përgjegjësinë nga një nivel i qeverisjes në një tjetër. Kështu, Këshilli i Ministrave i Bosnjës dhe Hercegovinës, si një institucion i pushtetit qendror, bart përgjegjësinë në nivelet më të ulëta, respektivisht entitetet. Kryesuesi i Këshillit të Ministrave, Zoran Tegeltija, pretendon se ky organ është më së paku fajtor për mungesën e furnizimit me vaksina. Ai gjithashtu e zhvendos fajin te mekanizmi COVAX, duke thënë se vendet më të pasura kanë marrë të gjitha vaksinat, dhe vendeve më të varfra nuk u kanë lënë asgjë. Në fakt, në fund të vitit 2020, Bosnja dhe Hercegovina përmes mekanizmit COVAX pagoi 13 milion dollarë për 1.2 miliona doza vaksinash. Dërgesa e parë mbërriti më 25 mars, kur në Bosnjë dhe Hercegovinë arritën 23.400 doza vaksinash.

Në një univers paralel, dhe në të njëjtin shtet, njerëzit në pozicionet më të larta politike pranojnë publikisht papërgjegjësinë e tyre.

“Po të donim të luanim rolin e shtetit, do të furnizonim vaksinën në muajin dhjetor, por nuk ka rëndësi,” tha kryeministri i Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës Fadil Novaliç në mes të muajit mars, duke aluduar në Republikën Srpska, e cila vendosi të fillojë prokurimin e vaksinave e pavarur nga Federata.

Pikërisht kur publiku u çlodh pak nga komentimi i kësaj deklarate, Novaliç ftoi publikisht të gjithë ata që kanë një ide se si të prokurojnë vaksinat ta kontaktojnë atë, sapo në fakt pranoi publikisht se institucionet e Bosnjës dhe Hercegovinës nuk dinë si të menaxhojnë me situatën aktuale.

Partiski prepukuvanja namesto vakcini 1
Burimi: кlix.ba

Në një intervistë për agjencinë Fena, sekretari i Partisë së Veprimit Demokratik (SDA), Halid Genjac, akuzoi Lidhjen e Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD) për “sabotim të prokurimit të vaksinave, duke u përpjekur për ta nënvlerësuar rolin e pushtetit qendror dhe për ta fuqizuar rolin e entiteteve”. Në këtë mënyrë vazhduan argumentet ndërpartiake në kohë krizash, kur gjithçka tjetër duhej të lihej mënjanë, e shëndeti i qytetarëve të vendosej mbi të gjitha.

Kallëzime penale kundër zyrtarëve

Një mjek në pension, Bakir Nakash nga Sarajeva, ka ngritur kallëzime penale kundër Zoran Tegeltija, kryesuesit të Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Ankica Gudeljeviç, Ministres së Punëve Civile, Vjekosllav Mandiç, Ministrit të Shëndetësisë dhe Fadil Novaliç, kryeministrit të Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës. Arsyeja është mungesa e vaksinave, e cila rrezikon drejtpërdrejt jetën e qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës. Në një intervistë për Deutche Welle, Nakash deklaroi se pushteti qendror nuk kishte interes të përfshihej në prokurim, prandaj gjithë kompetencat e prokurimit ia transferoi entiteteve.

Pasi pushteti qendror dështoi të sigurojë vaksinat e nevojshme, në fillim të këtij viti entitetet dhe kantonet u përfshinë në procesin e prokurimit përmes ndërmjetësve.

Partiski prepukuvanja namesto vakcini 2Burimi: balcanicaucaso.org

U hodhën 1.300 doza

Gjersa në Bosnjë dhe Hercegovinë nuk ka vaksina të mjaftueshme dhe njerëzit po vdesin çdo ditë nga pasojat e virusit, në qytetin Prijedor këtë javë u hodhën 1.300 doza vaksinash. Ato ishin paraparë të përdoreshin për rivaksinimin e njerëzve më të vjetër se 65 vjeç, kurse u hodhën për shkak të mungesës së energjisë elektrike, pasi që vaksinat duhej të ruheshin në frigorifer.

“Kishte një çrregullim të temperaturës në frigorifer në raport me temperaturën e përshkruar për ruajtjen e vaksinave,” tha Sllobodan Javor, ushtruesi i detyrës Drejtor i Shtëpisë së Shëndetit në Prijedor.

Këtë rast është duke e hetuar Prokuroria Publike e Qarkut në Prijedor, për të konstatuar saktësisht se çfarë ka ndodhur dhe kush është përgjegjës.

Qytetarët e shohin shpëtimin në Serbi

Të zhgënjyer dhe të pashpresë, qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës për muaj me radhë kanë udhëtuar në Serbinë fqinje për t’u vaksinuar. Së pari, udhëtuan qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës që kanë nënshtetësinë e Serbisë, por në ndërkohë vendi fqinj ftoi publikisht të gjithë të interesuarit të vijnë për të marrë dozën e tyre të vaksinës. Nuk kërkohet as nënshtetësi, as orar i rezervuar. Thjesht paraqiteni dhe zhveshni krahun. Vetëm për një fundjavë, Serbia vaksinoi rreth 20.000 shtetas të huaj.

Pas vaksinimit të shtetasve të saj, por edhe shtetasve të vendeve fqinje, Serbia filloi të imunizonte edhe njerëzit nëpër rrugë. Duke e kuptuar që për programin e vaksinimit është e rëndësishme të përfshihen të gjithë ata që ndodhen në territorin e vendit, qofshin ata shtetas vendas ose të huaj, Serbia ka bërë një punë tepër të vlefshme.

Duke mos pasur vaksina as për popullatën e tyre, institucionet e Bosnjës dhe Hercegovinës nuk përmendin fare migrantët dhe refugjatët si një grup të mundshëm për vaksinim. Megjithëse ka dhjetëra mijëra të tillë në këtë vend, tani për tani ato nuk planifikohen për vaksinim në asnjë kontekst. Mijëra prej atyre që jetojnë nëpër ndërtesa të braktisura në pyje nuk kanë as kujdesin bazë mjekësor.

Vaksinimi në entitete dhe kantone

Kantoni i Sarajevës kohët e fundit filloi me aplikimet elektronike të qytetarëve për vaksinim. Por, për t’u regjistruar duhet të futni numrin e kartës suaj elektronike të shëndetit. Një numër i madh i qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës nuk kanë sigurim shëndetësor ose librezë shëndetësore. Kurse ato elektronike të mos i përmendim fare. Autoritetet e kantonit të Sarajevës e shpjeguan këtë si një mënyrë për të detyruar qytetarët të marrin kartat e tyre elektronike, të cilat janë të gatshme për një kohë të gjatë. Megjithatë, të dhënat e kërkuara për aplikim i referohen ekskluzivisht qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës. Të huajt që jetojnë ose banojnë në Kantonin e Sarajevës janë të përjashtuar. Në kryeqytetin e Bosnjës dhe Hercegovinës gjenden ambasadat e huaja dhe selitë e organizatave ndërkombëtare. Ku do të vaksinohen shtetasit e huaj? Dhe si të veprohet me njerëzit që nuk kanë një numër të vetëm amzë, i cili është gjithashtu i nevojshëm për të aplikuar për vaksinim? Çfarë duhet të bëjnë mijëra romë që nuk kanë asnjë dokument dhe janë të padukshëm për shtetin? A vlejnë jetët e tyre?

Kantonet e tjera aplikimet për vaksinim i marrin përmes ekipeve të mjekësisë familjare. Mund të aplikojnë të gjithë qytetarët e rritur, ndërsa mjekët i përpilojnë listat sipas grupeve prioritare. Për shembull, në Kantonin Unsko-Sanski, vaksinën deri më tani e kanë marrë 3.500 qytetarë. Në Kantonin Tuzlla, pjesën më të populluar të Federatës, për qëllimet e vaksinimit po konsiderojnë përdorimin e sallave të sportit. Në komunat më të vogla, këtij qëllimi do t’i shërbejnë shtëpitë lokale të shëndetit. Në këtë zonë deri më tani janë vaksinuar rreth 4.200 qytetarë. Në Kantonin Zenica-Doboj, nga gjithsej 400.000 banorë, dozën e tyre e kanë marrë 5.200 qytetarë.

Sipas informacionit të transmetuar nga Radio Televizioni i Republikës Srpska në 25 mars, në këtë entitet deri më tani janë vaksinuar rreth 15.000 qytetarë. Të dhëna më të reja nuk ka në dispozicion. Aplikimet bëhen përmes ekipeve të mjekësisë familjare, kurse përparësi u jepet qytetarëve mbi moshën 65 vjeç dhe grupeve të tjera me rrezik.

Kundërshtarët e vaksinimit gjithnjë e më të fuqishëm

Ndërsa qytetarët po presin dozën e tyre, kundërshtarët e vaksinimit në Bosnjë dhe Hercegovinë po bëhen gjithnjë e më të fuqishëm. Askush nuk i sanksionon. Për institucionet, ata nuk paraqesin rrezik. Raportet e mediave për numrin e të vdekurve dhe të infektuarve tani, si rregull, shoqërohen me doza humori, të cilat në fakt kalojnë në fyerje. Kryesisht për të vdekurit dhe familjet e tyre. Bosnja dhe Hercegovina ende nuk ka një fushatë të vetme për të promovuar vaksinimin. Qytetarët informohen përmes mediave, për të cilat kanë shumë pak besim. Mediat, të cilat zbulojnë lajmet e rreme dhe të cilat po bëjnë përpjekje mbinjerëzore që nga fillimi i pandemisë për të zvogëluar numrin e dezinformatave në publik, janë rregullisht shënjestër e sulmeve. Kur lexuesit-kundërshtarë të vaksinimit nuk i fyejnë, ato kërcënohen publikisht. Mediat sociale janë të vërshuara nga ithtarët e teorive të konspiracionit.

Në një atmosferë të tillë, nga frika për jetën e tyre, zemërimi për (mos)veprimin e zyrtarëve, por gjithashtu nga konfuzioni i informacioneve të ndryshme, kryesisht informacioneve që marrin nga qarqet ekstreme kundër vaksinimit, qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës duket se kanë vendosur të qëndrojnë anash. Ndoshta janë mësuar tashmë me një sjellje të tillë të politikanëve, sikur nuk kanë asgjë më të mirë për të pritur. Përveç disa përpjekjeve të izoluara, shumica e njerëzve nuk reagojnë dhe nuk kërkojnë llogari nga institucionet. Ata madje nuk e pranojnë as mundësinë e rrallë që u ofrohet për t’u vaksinuar. Sikur duan të presin, për të parë nëse kundërshtarët e vaksinimit apo mjekët kanë të drejtë dhe si do të përfundojë e gjithë drama e furnizimit me vaksina. Me shumë gjasë do të jetë tepër vonë atëherë.

Burimi: Respublica

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button