Ku e kemi fidanin?

Arlind Musliu

Thëniet e urta dhe këshillat e dobishme nuk janë vetëm për të shtuar thesarin e fjalorit të një populli. Ato duhet të jenë pishtarë ndriçues të përgatitur nga përvoja e paraardhësve tanë që do ju bëjnë dritë rinisë sonë. Këto thënie duhet të udhëheqin rininë tonë të papërvojë në rrugëtimin e tyre të mbushur me sprova që i ka përgatitur kjo botë. Një thënie që njihet nga të gjithë por që nuk diskutohet sa duhet është:

“Nëse shikoni se erdhi Kiameti dhe në dorë keni një fidan, mbilleni atë!”

Kjo thënie është si një diamant i rrallë në duart e një të vobekti injorant që e shet atë për pak para duke mos ia ditur vlerën e vërtetë. Padyshim që çdo fjalë e thënë nga Pejgamberi jonë i dashur (s.a.v.s) është as e pakët as e tepruar. Të gjitha thëniet e tij të vërteta janë si dielli që ndriçon tokën, e ngroh atë, e ringjall dhe i jep jetë. Ato janë inspirim nga Krijuesi i Madhërishëm dhe kjo është vërtetuar edhe në Kur’anin famëlartë. Andaj, thëniet e sakta të transmetuara nga Pejngamberi jonë (s.a.v.s) duhet të jenë ushqim për intelektin tonë.

Do fillojmë duke e ndarë këtë thënie në dy pjesë që e plotësojnë njëra tjetrën. E para ka të bëjë me motivimin e njeriut që gjithmonë të jetë aktiv duke kontribuar për shoqërinë. E dyta ka të bëjë me urtësinë e thellë në përzgjedhjen e fjalës fidan për të thurur këtë këshillë të dobishme. A thua është e rastësishme kjo thënie dhe kjo përzgjedhje e fjalëve?

Të shtjellojmë urtësinë e pjesës së parë. Nëse në të vërtetë ndodh kiameti, sipas përshkrimit të Kur’anit famëlartë, do jetë një katastrofë me përmasa epike. Kjo ditë do jetë aq e rëndë saqë njerëzit do duken si të dehur nga përjetimi i frikshëm. E kështu, bëhet e qartë se është e pamundur që ne të mbjellim diçka në këtë situatë. Por, qëllimi i thënies është që të na edukojë neve se si duhet të veprojmë sa herë që përballemi me fatkeqësi dhe dëshpërime.

Edhe po të ndodh ndonjë fatkeqësi aq e madhe që na duket sikur kiameti, ne nuk duhet të dëshpërohemi por të vazhdojmë të përpiqemi të japim kontributin tonë për shoqërinë. Sepse, sipas mësimeve Islame, veprat nuk llogariten vetëm sipas rezultatit, por edhe sipas qëllimit. Nëse ne kemi një qëllim të sinqertë dhe fisnik, edhe po të mos arrijmë të realizojmë atë për shkaqe jashtë kontrollit tonë, shpërblimin do e marrim të njëjtë. A nuk duhet të jemi falënderues, të përkushtuar dhe gjithmonë të japim kontributin tonë?

]E çka nëse askush nuk punon për të mirën e shoqërisë? Çka nëse të tjerët tallen me përkushtimin tënd? E çka nëse puna jote nuk po jet]p rezultatin që e ke pritur? Asnjëherë, absolutisht asnjëherë nuk guxojmë të ndalim punën e dobishme dhe të jemi pesimist. Kjo nuk d.m.th se duhet të këmbëngulim në ndonjë aktivitet që është e qartë se nuk po ndikon aspak. Duhet të jemi kreativ, të ndryshojmë, të përshtatemi me rrethanat, të punojmë fuqishëm dhe në fund të jemi të bindur se Allahu i Madhërueshëm do na shpërblejë për mundin tonë.

E tani, kalojmë te pjesa e dytë, përzgjedhja e fjalës fidan. Sikur të thuhej “Nëse e shihni se vjen kiameti dhe…” pastaj të vazhdojë me “… jeni duke ndihmuar një të varfër, mos ndaloni”, apo “…jeni duke agjëruar, mos e prishni”, apo “…jeni duke u falur, vazhdoni faljen”, apo “…jeni në punë, mos e braktisni atë”, etj. Të gjitha këto veprime janë shumë të preferuara dhe të dobishme për ne. Aspak nuk mund ta diskutojmë shpërblimin e bamirësisë, agjërimit, namazit, punës, etj. Atëherë, përse Pejgamberi jonë i dashur (s.a.v.s) e zgjodhi pikërisht fidanin e jo këto të tjerat. Sepse, mbjellja e fidanit nuk jep rezultate të shpejta, nuk sjell një “përfitim” apo “dobi” të dukshme menjëherë. Shumë e mundshme është që mbjellësi i fidanit të ndërrojë jetë dhe mos arrijë ta sheh dobinë e fidanit të mbjellë.

A nuk është absurde të mbjellet fidani në momentin e kiametit kur gjithçka rreth teje po shkatërrohet, malet bëhen hi, toka po dridhet, e qielli çahet? Po, është absurde për një person që nuk e beson botën tjetër dhe shpërblimin që vjen. Por, për besimtarët nuk duhet asnjëherë të luaj rol rezultati i menjëhershëm dhe i dukshëm. Fokusi jonë duhet të jetë që të punojmë punë të dobishme për shoqërinë, qofshin ato me rezultate afatshkurtër apo afatgjate, apo qofshin pa rezultat fare. Shpërblimi për punën e sinqertë nuk zhduket kurrë!

Atëherë, a do vazhdojmë të ankohemi se nuk bën këtu dhe se nuk do bëhet mirë? A do vazhdojmë të mendojmë se vetëm me mashtrime arrihet suksesi? A do shohim interesin personal në dëm të interesit shoqëror? Ne mundemi më shumë se kaq. Eja me mua!

Nga Arlind Musliu

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button