fbpx

ShBA dëboi 10 diplomatë rusë, vendosi sanksione ndaj Rusisë për sulmet kibernetike dhe ndërhyrjet në zgjedhje

Presidenti Joe Biden tha në një fjalim në Shtëpinë e Bardhë se ai i kishte thënë homologut të tij rus Vladimir Putin këtë javë se ai do të ndërmerrte veprime kundër Rusisë.

Komentet e Presidentit Biden pasojnë njoftimin e administratës së tij të enjten se Shtetet e Bashkuara po dëbojnë 10 diplomatë rusë dhe po vendosin sanksione kundër dhjetra kompanive dhe njerëzve, duke e mbajtur Kremlinin përgjegjës për ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar dhe për ndërhyrjet kibernetike në agjencitë federale, transmeton VOA.

Masat gjithëpërfshirëse kanë për qëllim të ndëshkojnë Rusinë për veprimet që zyrtarët amerikanë thonë se kanë patur në shënjesër zemrën e demokracisë amerikane dhe për të parandaluar aktet e ardhshme duke imponuar kosto ekonomike mbi Moskën, përfshirë aftësinë e saj për të marrë hua.

“Nuk mund të lejojmë fuqitë e huaja të ndërhyjnë në procesin tonë demokratik me pandëshkueshmëri. Dhe unë i thashë atij (Putinit) se nëse del ajo që unë kam menduar mbi angazhimin e tyre në zgjedhjet tona, unë do të përgjigjem. Kur biseduam në fillim të kësaj jave, unë i thashë atij se brenda një kohe të shkurtër ne do të përgjigjemi me masa proporcionale sepse ne kemi arritur në përfundimin se ata (rusët) kanë ndërhyrë në zgjedhje dhe sulmi kibernetik ndaj kompanisë Solar Wind ishte i papërshtatshëm”, tha Presidenti Biden në fjalimin që mbajti të ejten në Shtëpinë e Bardhë.

Për këtë arsye, Presidenti Biden tha se ai ka autorizuar disa veprime kundër Moskës, përfshirë dëbimin e disa zyrtarëve rusë.

“Unë gjithashtu kam nënshkruar një urdhër ekzekutiv që autorizon masa të reja, duke përfshirë sanksione, për të trajtuar veprimet specifike të dëmshme që Rusia ka ndërmarrë kundër interesave të Shteteve të Bashkuara. Unë isha i qartë me Presidentin Putin se mund të kishim shkuar më tej, por unë vendosa të mos e bëja këtë. Unë zgjodha të jem proporcional”, tha Presidenti Biden.

Sanksionet pritet të rrisin tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, e cila ka premtuar se do të përgjigjet me veprime hakmarrëse.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button