Infermierja nuk e bllokoi kamerën, tendencë për të hedhur dyshime mbi vaksinimin

Autori i shkrimit të cilin e recensojmë është munduar të gjejë diçka negative në vaksinimin publik të një gazetares në një prej mediave në Shqipëri. Ai shpërndan informacione jo të sakta për vaksinën dhe sigurinë e saj. Përderisa infermierja e bën punën e vetë dhe vaksinoi gazetaren, autori i shkrimit mashtron sikur ajo me duar ka tentuar të fshehë procesin e vaksinimit, shkruan Krithink.

Linku deri te postimi origjinal: Nimon Dabiqaj.

Data e postimit: 04.04.2021.

Data e recensimit 15.04.2021

Konstatim i pasaktë dhe mashtrues 

Autori Nimon Dobiqaj postimin e tij të pasaktë e ka nisur duke akuzuar mediat se procesit të vaksinimit po i bëjnë një propagandë, që sipas tij nuk është e mirë për shkak se “cenohet” shëndeti i njerëzve.

“E gjitha propagandë mediatike” shkruan në shkrimin që e recensojmë.

Kjo nuk është e vërtetë, në fakt, videoja e gazetares duke u vaksinuar drejtpërdrejt dhe të gjitha videot tjera të vaksinimit të personave me influencë bëhen me qëllim që të dëshmohet para qytetarëve se procesi i vaksinimit nuk është i tmerrshëm dhe konspiracionet si kjo që e recensojmë, nuk janë të vërteta.

Më pas, për ta bërë sa më të besueshme atë që e thotë autori, i gënjen qytetarët duke ju thënë se infermierja me duar po mundohet të fshehë procesin e vaksinimit.

“Pse infermierja pengon kameren me doren e majte e cila fsheh veprimin me shiringen ?” shkruan në lajmin që e recensojmë.

As kjo nuk është e vërtetë, ashtu siç infermierja po e kryente punën e saj dhe vaksinoi gazetaren, duhet edhe ky autor i shkrimit i cili nuk është i fushës së mjekësisë, të mos hutojë lexuesit me “fakte” të pabazuara dhe krejtësisht konspirative.

Përveç “ekspertizës” jo të saktë për vaksinimin e gazetares, ky autor shpërndan të pavërteta edhe për vaksinat

Duke mos publikuar emër dhe burim të informacionit, autori Nimon Dobiqaj thirret në “mijëra mjek” që sipas tij paskan folur për efektet negative të vaksinave dhe për kohën e shfaqjes së tyre.

“Sipas mijëra mjekeve ne bote, profesionist me emër, efekteve negative te këtyre vaksinave duken nga 6-18 muaj” shkruan në postimin që e recensojmë.

Shkenca flet ndryshe, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vaksinimi është i sigurt dhe efektet anësore nga një vaksinë janë zakonisht të vogla dhe të përkohshme, të tilla si një krah i lënduar ose ethe e lehtë. Efektet anësore më serioze janë të mundshme, por jashtëzakonisht të rralla.

“Mos harroni, ka shumë gjasa që të lëndoheni seriozisht nga një sëmundje e parandalueshme nga vaksina sesa nga vetë vaksina. Për shembull, tetanozi mund të shkaktojë dhimbje ekstreme, spazma muskulore (nyjë bllokimi) dhe mpiksje gjaku, fruthi mund të shkaktojë encefalit (infeksion i trurit) dhe verbëri. Shumë sëmundje të parandalueshme nga vaksinat mund të rezultojnë edhe në vdekje. Përfitimet e vaksinimit tejkalojnë shumë rreziqet, dhe shumë më tepër sëmundje dhe vdekje do të ndodhin pa vaksina”, thuhet nga OBSh-ja.

Sidoqoftë, për gjithë ata që kanë dilema për çështjen e vaksinave, mund të hulumtojnë më shumë në ueb-faqen e OBSh-së, ku ndodhen pothuajse përgjigjet e të gjitha dilemave rreth çështjes së vaksinave dhe se po të njëjtat janë të sigurta dhe efektive.

Për në fund, autori ushqen dezinformatën e tij duke ju thënë lexuesve se ka pasur disa qindra mijëra njerëz të cilët kanë vdekur si pasojë e vaksinës të Kovid-19.

“Disa qindra mijëra kane vdekur deri sot disa dhjetëra miliona kane pasur shqetësime te renda dhe këto media dhe gazetar te shitur nuk japin gjë” shkruan në postimin që e recensojmë.

Ky pohim është i rrezikshëm dhe i pavërtetë, të gjithë shtetet kanë paraqitur personat me efekte anësore pas pranimit të vaksinës kundër virusit korona dhe nuk bëhet fjalë për “qindra mijëra të vdekur”. Deri tani, nuk ka pasur efekte serioze negative, për më shumë detaje, lexuesit të vizitojnë ueb faqen e OBSh-së si burim kryesor dhe relevant për këtë.

Ndërkaq, janë pafund konceptet e manipulimit të cilat i ka përdorur ky autor për të arritur në qëllimin e tij, edhe atë në Doracakun e Crithinkut janë të shpjeguara në mënyrë më të detajuar secila prej tyre, bëhet fjalë për Thirrjen në emocione, meqenëse jemi në situatë kritike me pandeminë dhe procesin e vaksinimit, Prirje për të dëshmuar këndvështrimin e vet, autori gjithashtu ka neglizhuar të dhënat themelore dhe ka përdorur Prova Selektive.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button