Komshiç për “non paper”-in: Siç duket “miqtë tanë evropianë” shpejt harruan përvojat historike dhe Hitlerin

Pas vendosjes së luleve, Komshiç komentoi mbi “non-paper”-in, duke thënë se “sipas këtij dokumenti, Bosnjë e Hercegovina nuk do të ekzistonte”, shkruan Anadolu Agency.

Lidhur me dokumentin “non paper” ose dokumentin jozyrtar diplomatik që flet për idetë e shpërbërjes së Bosnjë e Hercegovinës, anëtari i Presidencës së BeH-së, Zhelko Komshiç në Sarajevë deklaroi se është tragjike që e gjithë kjo po ndodh nën çatinë evropiane dhe se “miqtë evropianë” të BeH-së shpejt harruan përvojat historike dhe Hitlerin, raporton Anadolu Agency (AA).

Komshiç dhe anëtari i Presidencës së BeH-së, Shefik Xhaferoviç bënë homazhe dhe vendosën lule në varrezat në Kovaçi me rastin e 15 prillit, Ditës së Ushtrisë së Republikës së Bosnjë e Hercegovinës.

Pas vendosjes së luleve, Komshiç komentoi mbi “non paper”-in, duke thënë se “sipas këtij dokumenti, BeH nuk do të ekzistonte”.

“Ata shohin këtu një variant që na u ofrua para se të fillonte lufta, u ofrua edhe në luftë. Pra, shtetet e vogla boshnjake, ose siç thonë ata, muslimane. Pse e përmendi këtë, sepse kjo letër, kjo politikë, gjithçka që lind këto ide, e cila fatkeqësisht sot është në pushtet në disa vende evropiane, është e motivuar thellësisht nga anti-islamizmi dhe anti-semitizmi. Ky është krimi i vërtetë të cilin duhet ta diskutojmë”, deklaroi Komshiç.

Megjithatë, ai nënvizoi se këto nuk janë gjëra të reja, se këto janë shfaqur edhe më parë, por se nuk kishin këtë formë dhe një prapavijë të tillë politike.

“Nuk duhet që elefanti t’ju bie në sy që të shihni se elefanti vjen kah ju. Pra, këto nuk janë gjëra të djeshme, as nuk janë të papritura. E gjithë kjo tashmë është përgatitur dhe Zoti e di se çfarë do të dalë në ditët në vijim lidhur me këtë temë”, tha Komshiç.

Ai theksoi se fashizmi ekstrem, i cili është edhe nacionalizëm dhe shovinizëm dhe që mori pushtetin në disa vende evropiane, mori në dispozicion institucione, të tilla si aparatin diplomatik, shërbimet e inteligjencës dhe infrastrukturën e tërë shtetërore dhe se tani është më e rrezikshme para se të arrijë këto instrumente të pushtetit.

“Ne duket se nuk mund të flasim më për një të djathtë të moderuar krishtere të cilën Evropa e njeh pas Luftës së Dytë Botërore. Tani po përballemi me diçka që tmerrësisht të kujton atë periudhë të Luftës së Dytë Botërore dhe për mendimin tim, tragjedia më e madhe është se e gjithë kjo po ndodh disi nën çatinë e asaj shtëpie evropiane. Duket se miqtë tanë evropianë shumë shpejt harruan përvojat e tyre historike, harruan Hitlerin”, tha Komshiç.

Komshiç konfirmoi së fundmi se presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor gjatë vizitës kohën e fundit në BeH, e pyeti “A mund të ndaheni paqësisht ju në BeH?”. Kur u pyet pse nuk tregoi më herët që Pahor i kishte parashtruar një pyetje e tillë, Komshiç u përgjigj se “presidenti slloven pyeti duke mos e mbrojtur këtë ide”.

Duke iu referuar Ditës së Ushtrisë së BeH-së, Komshiç uroi të gjithë pjesëtarët e ushtrisë për këtë ditë dhe tha se “Mbase sot kjo duket kështu, por ne nuk e bëmë këtë kot dhe këta njerëz që u varrosën këtu nuk vdiqën kot. Është detyra jonë t’i kujtojmë ata dhe të mos lejojmë që të rrënohet ajo për të cilën humbën jetën”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button