Kur arka e pasurisë hapet

Para dy ditësh, Gjykata Penale në Shkup e shpalli aktgjykimin në shkallë të parë për rastin “Trezor”, në bazë të të cilit ish shefi i DSK Sasho Mijallkov mori edhe tetë vjet të tjera burg, ndërsa udhëheqësi i mëparshëm i Njësisë së Pestë, Goran Grujevski, mori 15 vjet të tjera burg. Në kombinim me dënimet e mara në rastin “Target-Fortesa”, tani Mijallkov ballafaqohet me 20 vite burg, ndërsa Gruevski me 30 vite burg.

Rasti “Trezor” lidhet me mënyrën e blerjes së pajisjes për përgjim nga firma britaneze “Gama”, ku DSK e asaj kohe në vend se ta blinte këtë pajisje në mënyrë direkte, e ka blerë me ndërmjetësimin e kompanisë “Finzi” e cila për një kohë është drejtuar nga vëllai i ndihmës ministrit për punë të brendshme, Nebojsha Stajkoviq, i cili në këtë rast mori po ashtu dënim prej 5 vitesh burg për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Rasti “Trezor” është ndër rastet më interesante dhe shumë-dimenzionale të ngritura nga PSP e mëparshme e i cili pas shuarjes së kësaj prokurorie, kaloi në prokurorinë e rregullt por vazhdoi të udhëhiqet nga prokurorët e njëjtë, Pelivanov dhe Ajro të cilët më para punonin te i njëjti rast në PSP. Ka disa arsye që e bëjnë këtë rast të veçantë.

E para, bëhet fjalë për rast tipik të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe të korrupsionit të shprehur përmes lidhshmërive familjare mes kompanisë “Finzi” dhe DSK-së së atëhershme. Në vend që të ndiqet rruga më e lirë përmes të cilës DSK do të blinte në mënyrë direkte pajisjen nga “Gama”, është shfrytëzuar firmë ndërmjetësuese, e lidhur me persona të rëndësishëm në MPB në mënyrë që përmes kësaj blerjeje të keqpërdoren të holla nga buxheti shtetëror. Firma Finzi ka përfituar bollshëm nga ky ndërmjetësim duke pranuar para nga buxheti shtetëror si distributor ekskluziv për pajisjen në fjalë. Dëmi ndaj buxhetit është vlerësuar nga prokuroria 48.5 milionë denarë apo diku rreth 800.000 euro. Për një buxhet modest si ai i Maqedonisë së Veriut, kjo nuk është aspak një shumë e vogël.

E dyta, firma Finzi është shembull për një sërë transaksionesh problematike të cilat japin fakte për kriminalitet financiar. Pronari kryesor i kësaj firme është Orce Kmaçev i cili së bashku me Sasho Mijallkov janë të akuzuar në rastin “Perandoria”. Udhëheqës i parë i kësaj firme në Maqedoninë e Veriut ka qenë vëllai i njërit nga të dënuarit në shkallë të parë në rastin “Trezor”. Udhëheqës i dytë i kësaj firme ka qenë Kosta Krpaç, dëshmitari i cili pas faljes së Ivanovit në prill të vitit 2016 humbi jetën në një proces i cili u kualifikua si vetëvrasje por la shumë të panjohura pas vetes. Dyshimet kryesore lidheshin me atë se Krpaç nuk ishte i akuzuar por dëshmitar i cili mund të ketë pranuar bashkëpunimin me PSPnë e atëhershme dhe si pasojë e këtij vendimi mund të jetë eliminuar. “Ligji i heshtjes” apo “Omerta” është ligji kryesor i mafias, dhe kur shkelet nga dikush, vjen në shprehje ligji i dytë, “Vendeta” apo hakmarrja ndaj shkelësit.

E treta, në rastin “Trezor” nuk janë dhënë vetëm dënime me burgim për të akuzuarit, por është shqiptuar edhe masë konfiskimi për dëmin e shkaktuar. Kështu, pasuria e tashme e firmës “Finzi” është konfiskuar, ndërsa pjesa e mbetur e dëmshpërblimit do të paguhet në mënyrës solidare nga të dënuarit në këtë rast, pasi aktgjykimi të jetë bërë i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm. Kjo ndodh kur hapet “Arka e pasurisë”, dhe asnjë aktgjykim për kriminalitet financiar dhe korrupsion nuk është i plotë pa një procedurë të qartë konfiskimi dhe dëmshpërblimi.

Por esenca e këtij rasti qëndron në faktin se bëhet fjalë për blerje kriminale të një pajisjes të avancuar për përgjim. Gjë që tregon edhe një herë obsesionin e vërtetë të pushteti të atëhershëm lidhur me përgjimin e qytetarëve që u vërtetua në shkallë të parë edhe në rastin “Target-Fortesa”. Si duket nuk ka pasur çmim që pushteti i atëhershëm nuk ka qenë në gjendje ta paguaj për të siguruar mjete më efikase për përgjim.

Dëshpërimi lidhur me këtë rast ka të bëjë me faktin që i akuzuari kryesor aty është në arrati. Goran Grujevski u gjykua në mungesë për shkak se i njëjti kohë më parë u arratis dhe më vonë nuk u ekstradua nga Greqia për shkak të problemeve formale-juridike që lidhen me pasojat juridike të faljes së dhënë nga Ivanov me 12 Prill të vitit 2016. Këto falje e persekutojnë vendosjen e drejtësisë tani më pesë vjet dhe janë kërcënim serioz për vendosjen përfundimtare të saj. Kur flitet për kriminalitet të organizuar finansiar, duhet pasur parasysh gjithmonë thellësinë dhe ashpërsinë e kapjes së shtetit të asaj kohe e cila kishte një qëllim të vetëm, që të gjitha institucionet shtetërore që gjendeshin në udhëheqjen e njerëzve të gabuar, të sabotojnë një gjë bashkërisht: vendosjen e drejtësisë përmes bartjes së përgjegjësisë penale. Dhe kjo luftë ende vazhdon.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button