Gratë aktiviste për të drejtat e njeriut në rajonin e Ballkanit porosisin që institucionet të veprojnë ndaj autorëve të dhunës përmes internetit

Gratë aktiviste për të drejtat e njeriut nga rajoni i Ballkanit, përmes një deklarate rajonale mbi dhunën seksuale dhe ngacmimin e grave në internet e nënshkruar nga 138 organizata, kanë shprehur solidaritet me të gjitha gratë viktima të dhunës përmes internetit në bazë gjinore dhe i nxisin autoritetet të veprojnë në përputhje me kompetencat e tyre për të hetuar në mënyrë të plotë dhe të shpejtë çështjen e grupeve Telegram (të tilla si Dhoma Ballkanike, Dhoma Publike, Gjevgjeli Hub, Srpska Soba, Smokva dhe të tjera), të sanksionohen autorët dhe të mbrohen viktimat nga viktimizimi i mëtejshëm, transmeton Portalb.mk.

“Pikërisht një vit pas paraqitjes së një grupi të tillë në rrjetin Telegram në Maqedoni, i cili përdoret për ngacmime seksuale të vajzave duke postuar foto të tyre pa asnjë pëlqim, në një kontekst pornografik, si dhe të dhëna personale për viktimat, ne dëshmojmë raste të reja të një abuzimi të tillë, jo vetëm në disa vende, por në të gjithë rajonin. Megjithëse administratorët dhe krijuesit e dy prej këtyre grupeve janë arrestuar, ne besojmë se ky është vetëm hapi i parë për të arritur drejtësinë që duhet t’u sigurojmë të gjitha viktimave të këtij lloji të krimit”, thuhet në deklaratë.

Heshtja institucionale sipas tyre, dërgon mesazh se dhuna ndaj grave tolerohet, se nuk është e ndëshkueshme, që autorët e krimeve inkurajohen të vazhdojnë sjelljen e tyre dhe se viktimat mbeten të frikësuara, të turpëruara dhe të heshtura. Rastet në Maqedoni, Serbi dhe Kroaci kanë treguar se një numër i vogël i autorëve të veprave penale ndiqen dhe se disa autorë të cilët ndiqen penalisht ndiqen vetëm për krimin e “prodhimit dhe shpërndarjes së pornografisë së fëmijëve”, gjë që bën të pamundur mbrojtjen e viktimave të rritura .

Përvojat e grave nga vendet e ish Jugosllavisë, siç thuhet n deklaratë, u kanë ofruar ndihmë juridike falas dhe shërbime të tjera për vite me radhë, dëshmojnë për mangësi të shumta në zhvillimin e procedurave. Shpesh, gratë që janë abuzuar seksualisht përmes internetit përballen me përgjigje joadekuate nga ana e institucioneve, kjo është arsyeja, siç thuhet në deklaratë, pse ato nuk i besojnë policisë dhe e shohin raportimin si të kot, për shkak të praktikave të mosveprimit, mosbesimit dhe relativizimit të përvojave të viktimave.

“Vendosja e sanksioneve dhe paralajmërimeve për kundërvajtje ndaj autorëve, në vend të akuzave penale të dokumentuara dhe të arsyetuara, si dhe zbatimi joadekuat i ndalimeve për afrimin dhe kontaktimin e viktimave, rezulton në dhunë të vazhdueshme, të intensifikuar, shpesh me pasoja të rënda për shëndetin e viktimave, dhe në disa raste edhe me vdekje. Në lidhje me zyrat e prokurorisë, ne vazhdimisht vërejmë fillimin e vonshëm të akuzave, menaxhim joefikas ose neglizhent të procedurave para hetimore dhe hetimore që në të kaluarën kanë rezultuar me sigurimin e vonshëm ose fare të provave përkatëse, si dhe dështimin për të marrë masa ndaj autorit të krimit për të parandaluar vazhdimin e dhunës ndaj viktimave. Të gjitha këto mangësi institucionale janë bërë edhe më të dukshme me shfaqjen e dhunës seksuale dhe ngacmimit të grave në sferën digjitale, për të cilën, megjithëse ndodh masivisht dhe numëron mijëra gra viktima në Ballkan, nuk ka  përgjigje adekuate institucionale apo mbështetje publike. Përkundrazi, diskreditimi i përvojave, fajësimi, sikletosja dhe viktimizimi i dyfishtë janë narrativet dominante me të cilat përballen gratë”, thuhet në deklaratë.

Sipas tyre, heshtja e institucioneve inkurajon edhe më tej funksionimin e grupeve të tilla në hapësirën digjitale, dhe vajzat vazhdojnë të përballen me rrezik për sigurinë personale, si dhe dinjitet dhe shëndet të dëmtuar.

“Sot jemi të vetëdijshëm/e se ekziston rrjet rajonal i ngacmuesve, gjegjësisht hapja dhe administrimi i grupeve ballkanike qëllimi i të cilave është të poshtërojnë dhe ngacmojnë seksualisht gratë. Kjo është arsyeja pse ne kërkojmë nga institucionet kompetente që seriozisht dhe me përgjegjësi t’i qasen këtyre fenomeneve shoqërore që prekin të paktën gjysmën e popullsisë. Ne kërkojmë bashkëpunim institucional ndërkufitar dhe hetim dhe ndjekje të plotë të të gjithë shkelësve të ligjit të përfshirë në rajon”, thuhet tutje në deklaratë.

Në deklaratë thuhet se ky është një shans që të gjitha institucionet nga rajoni të tregojnë se qëndrojnë për të drejtat e grave dhe i mbrojnë nga dhuna me bazë gjinore, me të vërtet, dhe jo vetëm në mënyrë deklarative! Prandaj, ata kërkojnë nga Prokuroria Publike në rajon që të sqarojnë menjëherë dhe tërësisht rastet e grupeve Telegram të cilat janë vepër penale. Kërkojnë nga Ministritë e Brendshme që vazhdimisht të ndërmarrin aktivitete parandaluese dhe të ndalojnë funkcionin e grupeve të tilla. Nuk duhet të lejohet një situatë në të cilën viktimat po shtohen, ndërsa institucionet heshtin dhe dështojnë në plotësimin e funksionit të tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button