Agjërimi është mburojë

Shkruan Dr. Selver Xhemaili

Koha, njëjtë sikur njeriu është një lëmsh/top sekret. Se çka fshihet në topin sekret të kohës e di vetëm Allahu madhëriplot. Njeriu është e vetmja krijesë që është në gjendje të regjistrojë e të evidentojë ngjarjet që kanë ndodhur në kohë dhe njëkohësisht në lidhje me të ardhmen mundë të fantazojë dhe planifikojë apo programoj.  Allahu xh.sh. betohet në kohën dhe me pjesët kohore që përbëjnë tërësinë e saj. “Pasha Kohën…Pasha agimin…Pasha paraditën.. Pasha ditën kur ajo shkreptinë.. Pasha natën kur shtrinë errësirën..” qëllimi i të gjitha i këtyre betime të cilët janë shpallje e Zotit Madhëriplotë (Vahj) është për ta përkujtuar njeriun dhe për t’i treguar atij se koha është një dëshmitarë për njeriun. Njëkohësisht përkujton njeriun që kohën ta shfrytëzojë mirë, drejtë dhe frytshëm. Në të kundërtën njeriu dhuntinë e madhe kohën do ta shndërroj në një dëshmitarë që do të dëshmoj kundër tij.

Muaji i Ramazanit është një pjesë e kohës që Zoti i madhërishëm e ka bërë të dallueshme nga kohërat apo muajt tjerë. Njeriu ka mundësi ta përjetoj për çdo vjet, por varësisht se si e percepton këtë kohë me vlera të mëdha, çka përfiton nga begatitë e këtij muaji, me çfarë vepra e mbush këtë periudhë kohore, ashtu edhe dëshminë e tij do ta tërheq pas veti. Fatkeqsisht edhe sivjet po përjetojmë një Ramazan me kushte të rënda pandemike, mirëpo për agjëruesit është edhe një sprovë shtesë për të testuar moralin e tyre në kohë krizash. Në fakt për të vënë në pah vlerat e larta të njeriut që është në gjendje të sakrifkojë për hirë të Krijuesit, sfidat e ndryshme janë raste ideale që veprat madhështore që bën besimtari t’i shndërrojë në dëshmi edhe për në botën e ardshme-ahiret. Ky muaj është një pjesë e kohës që i mundëson besimtarit takimin me vyrtitet dhe vlerat kuranore, është një hapsirë ku besimtari përprara vetes ka të servuar ushqimet më të këndshme shpirtërore. Agjërrimi si njëri nga ushqimet shpirtërore shërben për zvoglimin e trupit dhe zmadhimin e shpirtit. Është koha e një vëmendjeje të posaçme ndaj rregullave dhe parimeve të sjelljes dhe veprimit etik. Takim i tokësores me qiellorren, i krijesës me Krijuesin.

 Muaji i Ramazanit që në te (filloi të) shpallet Kur’ani, që është udhërëfyes për njerëz dhe sqaruesi i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aqë ditë nga ditët e mëvonshme. All-llahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështërsim për ju. (të agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, të madhëroni All-llahun për atë se u udhëzoi dhe që të falenderoni. (Kuran, 2/185).

Ky ajet në mënyrë shumë të saktë tregon arsyen dhe urtësinë e bërjes së muajit të ramazanit një muaj të dalluar. Dhe arsyeja është se në këtë muaj fillon zbritja e Kuranit Fisnik. Ky fakt mbështetet edhe nga ajetet e para të sures Kadr. Prandaj lirisht mund të thuhet se Ramazani është muaj i lindjes së Kuranit. Nata e fillimit të zbulesës hyjnore është nata e Kadrit që gjendet brenda muajit Ramazan. Dhe kjo do të thotë që, në qoftë se nata në të cilën filloi shpallja e Kuranit, pra nata e Kadrit, nëse nuk do të ishte brenda muajit Ramazan, ky muaj nuk do të fitonte shenjtëri apo të quhej muaj i begatë. Ramazani të gjitha begatitë dhe shenjtërinë e vet e ka fituar për hir të asaj që në vete ngërthen natën në të cilën ka filluar zbulesa hyjnore të paraqitet te njerëzia.

Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit.

E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit?

Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj.

Engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet.(sjellin formulat e lumturisë së pa përshkruar për çdo fushë të jetës).

Paqe është ajo deri në lindjen e agimit.”  (Kuran, 97/1-5).

Dhe zbulesa hyjnore, natës apo ditës që i shfaqet e shndërron më të vlefshme se sa një jetë (1000 muaj=83 vjet 4 muaj), por edhe muaj në të cilin ka zbritur Kurani pra Ramazanin e bën mbret të muajve. Mirëpo Ramazani po qese nuk do të sillte “Mbretin e fjalëve” nuk do të bëhej “Mbreti i muajve”. Si duket kjo kaptinë e bekuar dëshiron bashkëbiseduesit t’ia prezantojë këtë konstatim dhe fakt të pamohueshëm: Kurani i cili natën në të cilën zbriti e shndërroi më të vlefshme se sa një jetë të tërë, nëse zbret në jetën time çdo ditë e bënë të vlefshme sa një jetë të tërë. Dhe një jetë  në të cilën ka zbritur Kurani dhe është planifikuar, ndërtuar sipas parimeve të shpalljes hyjnore shpërblimi i vetëm do të jetë xheneti. Do me thënë shenjtëria dhe bereqeti i Ramazanit nuk është për shkak të kohës si të tillë por për shkak të zbulesës hyjnore e cila për synim ka udhë-rrëfimin gjegjësisht udhëzimin/hidajetin e njerëzisë.

Fjala savm/agjërim ka kuptimin të qëndrosh larg nga diçka, të mbash mbash veten ndaj diçkaje, të përmbash, të abstenosh, largohesh nga diçka. Edhe në shqip përdoret të mbash ramazan, të mbash agjërim. Në fakt të mbash agjërim do të thotë të mbash veten, të jesh i vetëpërmbajtur. Ngase gjithçka që na vinë mbi kokë vinë për shkak të asaj që nuk jemi të vetëpërmbajtur e të vetëkontrolluar. Uni i njeriut, egoja lëngon nga epshe, pasione dhe dëshira të cilat njeriut jo pak herë i shkaktojnë stres, dëshprim dhe frikë. Qetësia shpirtërore nuk mund të arrihet ndryshe veçse duke pasur një sistem disiplinimi të përshtatshëm. Thelbi e mëkateve qëndron në atë që nuk jemi të vetëpërmbajtur. Përfundon në gjynah atëherë kur nuk e përmban dot zemërimin, nervozizmin, epshin, lakminë, kur gjuhën nuk e ke të kontrolluar dhe nuk je i vetëpërmbajtur në fjalë etj. Kështu që personi në ç’nivel e mban agjërimin edhe agjërimi po aq e mbron gjegjësisht e bën të vetëpërmbajtur njeriun. Ndoshta në këtë kontekst aludon hadithi i të Dërguarit të Zotit, “Agjërimi është mburojë

Zbulesa Hynore/ Kurani gjithashtu  synon që ta udhëzojë njeriun, ta edukojë në mënyrë që jeta e tij gjithnjë të zhvillohet në korniza të njerëzores. Kurani është një projekt konstruktiv hyjnor. Që nëpërmjet të personalitetit të ndërtuar të besimtarit të ndërtojë tërë jetën. Prandaj ndikimi i agjërimit, atmosfera e Ramazanit gjendja e vetëkontrollit dhe vetëpërmbajtjes njëjtë sikur roli i Kuranit në jetën e njeriut nuk guxon të përkufizohet vetëm në një muaj. Agjërimi gjatë një muaji është një stërvitje për forcimin e vullnetit të njeriut që ai të përfitoj forcë dhe energji për ti përballuar të gjitha sfidat që i vijnë njeriut në jetë. Natyrën e agjërimit  e përshkon cilësia e durimit dhe kjo është një forcë e veçantë për tu përballur me vështirësitë në jetë dhe për tu mbrojtur nga çdo e keqe. Mbi të gjitha zhvillohet aftësia për ta kontrolluar egon. Andaj atmosferën që sjellë Ramazani besimtari duhet ta bartë dhe ta shpërndaj në tërë poret e jetës edhe pas festës së Bajramit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button