Takimi i ministrave të MPJ-së dhe MB-së: Forcat Aleate të NATO-s do të tërhiqen nga Afganistani më 1 maj

Forcat aleate të NATO-s do të fillojnë të tërhiqen nga Afganistani më 1 maj. Ky është vendimi i takimit të Ministrave të Mbrojtjes dhe Punëve të Jashtme të NATO-s, në të cilin morën pjesë Ministrat Bujar Osmani dhe Radmilla Sekerinska, transmeton Portalb.mk.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, aleatët në takim treguan se presin që kjo të krijojë kushte për kapitull të ri për të ardhmen e Afganistanit, në të cilin rolin kryesor do ta luajnë qytetarët e vendit. Mbështetja e fortë për zhvillimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe forcimin e institucioneve të sigurisë në Afganistan është riafirmuar.

“Shtetet anëtare të Aleancës janë angazhuar për të forcuar përpjekjet diplomatike për të gjetur zgjidhje politike dhe përfundimin me sukses të procesit të paqes në Afganistan përmes dialogut të brendshëm përfshirës brenda vendit,” thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Në takim, ministrat i analizuan edhe zhvillimet në Ukrainë, ku shprehën shqetësimin për veprimet e Rusisë dhe vendosjen e shtuar të trupave ushtarake në kufirin me Ukrainën.

“Ishte potencuar edhe mbështetja e dialogut politik në kuadër të Marrëveshjes së Minskut, për çka i bënë thirrje Rusisë t’u përmbahet parimeve të kësaj marrëveshjeje në mënyrë që të de-përshkallëzojë tensionet dhe të forcojë paqen dhe sigurinë globale”, thuhet tutje në deklaratën e MPJ-së.

Vendi ynë merr pjesë në Afganistan që nga viti 2002. Në kuadër të misioneve, morëm pjesë me më shumë se 3.100 njerëz, përfshirë oficerë të stafit dhe nënoficerë, mentorë, njësi të këmbësorisë dhe personel mjekësor. Maqedonia e Veriut aktualisht po kontribuon me 22 anëtarë të Ushtrisë në misionin në Afganistan.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button