Bekteshi paralajmëroi se nesër do të votohet ligji për mbështetje financiare, pas zhbllokimit të punës së parlamentit

Nesër në shtëpinë ligjvënëse pas zhbllokimit të punës së parlamentit nga ana e koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, do të miratohet ligji për mbështetje financiare ndërkaq ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, sot potencoi se për pagesën e punonjësve, punëdhënësit do të mund të aplikojnë deri më 30 prill, shkruan Portalb.mk.

Ministri I Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi sot në emisionin “24 Analiza” Televizionin 24 potencoi se është zgjatur mundësia që punonjësit të aplikojnë për të paguar punonjësit e tyre, ai informoi se ligji pritet të votohet nesër në kuvend.

“Afati i fundit për të aplikuar për masën për mbështetjen financiare për pagesën e pagave për muajt shkurt dhe mars është zgjatur deri më 30 prill, ndërsa risia është se punëdhënësit do  të mund të aplikojnë për të dy muajt njëherësh. Sapo Ligjet të miratohen nga deputetët dhe të publikohen në Gazetën Zyrtare,  do të hyjnë menjëherë në fuqi, me çka do të fillojë zbatimi i masave,” deklaroi ministri Bekteshi.

Bekteshi shtoi se përveç ndihmës në pagimin e punonjësve, kjo pako nënkupton edhe ndihma të tjera direkte dhe indirekte për të gjitha kompanitë të cilat funksionojnë në Maqedoninë e Veriut.

“Katër Pakot e para të masave kanë  vlerën totale prej 860 milion euro, tashmë të zbatuara, dhe duhet të dihet se ka masa të ndryshme, dmth ose shteti heq të ardhurat ose ka mbështetje të drejtpërdrejtë financiare nga buxheti ose shtyrje  në pagimin e tarifave të caktuara që duhet të paguajnë qytetarët dhe kompanitë. Ky ishte qëllimi ynë dhe thirrja për opozitën për të zhbllokuar ligjet në Kuvend, sepse ne kemi ligje që nuk janë miratuar ende, kurse të njëjtat tashmë duhej të ishin zbatuar që nga viti i kaluar “, tha Bekteshi.

Sipas Bekteshit, nuk është e vërtetë se 60 mijë njerëz kanë humbur punët e tyre gjatë pandemisë, ai potencoi se bëhet fjalë për gjithsej 18,300 njerëz. Ndërkaq shtoi se në muajt e parë të këtij viti ka rritje të të ardhurave në buxhet, pra aktivitet ekonomik.

“Në muajt e parë të këtij viti, janar, shkurt dhe mars, krahasuar me vitin e kaluar, kemi  rritje të të ardhurave në buxhet, që do të thotë rritje e aktivitetit ekonomik. Nëse ka rritje të tatimit mbi të ardhurat do të thotë që ose kemi rritje të pagave ose kemi punësime të reja. Kemi rritje në tatimin mbi të ardhurat me 1%, nëse ka lëshime nga puna atëherë si mund të ketë  rritje në tatimin mbi të ardhurat”, nënvizoi  Ministri Bekteshi.

Ndryshe, ministri informoi se aktualisht  është duke u përgatitur një pako e re shtesë e masave për të mbështetur aktivitetet që janë  të mbyllura me vendim të Qeverisë me rekomandimin e Komisionit për Sëmundjet Infektive siç është sektori i hotelierisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button