NPK-ja nga tetovarët kërkon durim dhe mirëkuptim për restrikcionet e ujit, ata nënshkruajnë peticion

“Durim” dhe “mirëkuptim” kërkuan prej qytetarëve nga Ndërmarrja Publike Komunale në Tetovë në njoftimin e tyre për atë se në Tetovë sërish do të ketë restrikcione të ujit për pije, për disa orë në ditë. Nga ana tjetër, disa qytetarët të Tetovës të revoltuar kanë filluar një peticion online me emrin “ujë për të gjithë”, shkruan Portalb.mk.

Arsyetimi i Ndërmarrjes Publike Komunale (NPK) në Tetovë për restrikcionet për disa orë në ditë është sipas tyre zvogëlimi i prodhimit të ujit në burimet e Kodrës së Diellit dhe Leshnicës.

Informojmë qytetarët se shkaku i zvogëlimit të prodhimit ulët të ujit tek burimet ne lokalitetet Kodra e Diellit dhe Leshnicë, ka rënie në sasinë e ujit në sistemin e ujësjellësit të qytetit të Tetovës. Sasia momentale e ujit të pijshëm është 280L/sek, dhe për momentin kjo sasi nuk është e mjaftueshme për furnizim të pandërprerë të qytetit me ujë të pijshëm” shkruajnë nga NPK-ja.

Ujë në Tetovë nuk do të ketë fillimisht nga 13:30 – 16:30 dhe më pas nga 22:30 – 01:30. Për këtë, nga Ndërmarrja Publike Komunale nga qytetarët kërkojnë durim dhe mirëkuptim.

“Prandaj, me qëllim që të sigurohet furnizim optimal me ujë për ë gjithë qytetarët në të gjithë pjesët e qytetit gjatë muajit të Ramazanit, NPK TETOVA Tetovë do të fillojë me restriksione të planifikuara të ujit, sipas orarit si vijon edhe atë nga ora 13:30 – 16:30 dhe nga ora 22:30 – 01:30. Prandaj I lusim qytetarët për durim dhe mirëkuptim gjatë periudhës në vijim, dhe i sigurojmë se shumë shpejt edhe ky problem do të tejkalohet” shkrajnë nga NPK-ja.

Qytetarët e kanë humbur durimin, kanë krijuar peticion me emrin “ujë për të gjithë”

Marrë parasysh se kjo nuk është hera e parë që si pasojë e defekteve të ndryshme me ujësjellësin, qyteti i Tetovës ngelet pa ujë apo me restrikcione të ujit për pije, disa qytetarë kanë krijuar një peticion përmes së cilit kërkojnë zgjidhjen e këtij problemi.

“Furnizimi me ujë në qytetin e Tetovës është shumë problematik, disa pjesë të qytetit kanë 24 orë ujë të pandërprerë. Pjesët e tjera të qytetit kanë një hidrofor dhe një cisternë, por pas mesnatës nuk ka ujë. Pjesa tjetër e qytetit nuk ka fare ujë dhe me ndihmën e një hidrofori. Furnizimi me ujë është nga ora 05:00 e mëngjesit, deri në 10:00 të mëngjesit, dhe nganjëherë vetëm nga ora 05:00 e mëngjesit, deri në 08:00 të mëngjesit” shkruan në peticionin e krijuar nga qytetarët.

Themeluesit e këtij peticioni potencuan se në kushte pandemie nuk është në rregullt që qytetarëve të ju mohohet një e drejtë elementare, siç është ajo e ujit për pije, kjo është edhe arsyeja pse kërkojnë zgjidhjen e problemit me ujin.

“Për shkak të shpërpjesëtimeve të tilla të furnizimit me ujë, ato pjesë të qytetit jetojnë në kushte të vështira pa kushte themelore të higjienës. Në një pandemi, kur disa familje janë në izolim, ata mund të mos jenë në gjendje të pinë ujë pa higjienë elementare. Kjo është arsyeja pse një peticion i tillë po fillon, në mënyrë që të sigurojë furnizim të barabartë me ujë në të gjitha pjesët e qytetit” shkruan në peticionin e krijuar nga qytetarët.

Ndryshe, nga fillimi i këtij vitit Tetova po përballet me probleme të ujësjellësit për shkak të defekteve në rrjetin e ri të ujësjellësit, i cili u ndërtua për tu tejkaluar problemet disa dekadëshe me mungesën e ujit për pije. Ndërkaq nga Ndërmarrja Publike Komunale theksojnë se nuk ka të bëje me defekt të ujësjellësit por për shkak të sasisë së vogël të prodhimit të ujit nga burimet natyrore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button