fbpx

Kosovë, u publikua raporti me dëshmi të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka publikuar raportin “E drejta për të vërtetën – viktimat pa emër”, raporton Anadolu Agency (AA).

Siç u tha në një konferencë për media nga udhëheqës të kësaj organizate, raporti përmbledhë dëshmitë e 345 viktimave, përfshirë gra, burra, djem dhe vajza të dhunuara gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë.

Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti tha se ideja e krijimit të një platforme të dokumentimit gjithëpërfshirës dhe sistematik të dhunës seksuale të luftës ka qenë prioritetet nga fillimi i punës së tyre, por ka nisur si proces nga viti 2019.

Ajo tha se institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare kanë dështuar të grumbullojnë dhe të bëjnë një arkiv gjithëpërfshirëse të dokumentuar mbi krimet e dhunimit seksual gjatë luftës, arkiv e cila do t’i shërbente gjeneratave të reja dhe institucioneve relevante.

“Për këtë arsye, me tre organizata kemi arritur t’i grumbullojmë 345 dëshmi të cilat i kontribuojnë të vërtetës, narrativave të luftës, duke krijuar një ballafaqim të drejtë dhe të saktë me të kaluarën në mënyrë që zëri i të mbijetuarave të dhunës seksuale të amplifikohet. Të arrihet që përmes këtyre të dhënave që dalin nga ky raport të kemi ndryshime ligjore për qasje gjithëpërfshirëse, bërjen e politikave më të avancuara me krimet e dhunimit dhe mbi të gjitha qasjen në drejtësi e cila mungon që nga vitit 1999 deri më tani”, tha Rushiti.

Ajo tha se ky raport ndër të tjera synon edhe ndërkombëtarizimin e kauzës së të mbijetuarve të dhunës seksuale në luftë.

Udhëheqësja e programit për dokumentimin e viktimave të dhunës seksuale, Fatmire Haliti tha se nga 345 rastet që kanë dëshmuar për dhunën ndaj tyre gjatë kohës së luftës në Kosovë, 20 nga ta janë burra dhe djem ndërsa 325 janë gra dhe vajza.

Po kështu, Haliti theksoi se 6 për qind e viktimave i përkasin komuniteteve pakicë në vend. Ndërsa, 11 për qind nga 345 rastet e dokumentuara, sipas Halitit kanë qenë të moshës nën 18 vjeçare kur kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës.

“22 për qind e viktimave, dhunën seksuale gjatë luftës e kanë përjetuar në shtëpinë e tyre. Pra, derisa kanë qenë në shtëpinë e tyre, kanë hyrë forcat e armatosura dhe kanë kryer dhunimin brenda shtëpisë. Këto raste janë paraqitur si rastet më të vështira të cilat shpalosin historinë e tyre duke u përballur çdo ditë me atë ngjarje pasi që 22 vite pas luftës, shumica prej tyre jetojnë ende në ato shtëpi e për më tepër ato nuk ua kanë rrëfyer ngjarjen asnjëherë familjarëve të tyre duke e mbajtur të fshehur”, tha Haliti.

QKRMT ka parashtruar disa kërkesa ndaj institucioneve kosovare për të drejtat e viktimave të dhunës seksuale në luftë, përfshirë shërbim shëndetësor falas për këtë kategori, derisa u ka bërë thirrje atyre që kanë përjetuar dhunim në kohë lufte të paraqiten, në mënyrë që shteti t’ua njeh të drejtën e tyre duke i përkrahur viktimat financiarisht.

Sipas të dhënave nga organizatat joqeveritare në Kosovë në Kosovë, llogaritet që janë 20 mijë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button