RMV, fillon reforma e sistemit tatimor për drejtësi në tatim dhe zvogëlim të evazionit tatimor

Reforma tatimore në RMV fillon këtë vit, përmes realizimit të 13 objektivave dhe 40 aktiviteteve si dhe një sërë nën-aktiviteteve nga Plani i veprimit për vitin 2021 për zbatimin e Strategjisë për reformën e sistemit tatimor 2021-2025. Masat parashikojnë analiza, zbatim të modeleve dhe përvojave, ndërsa do të shoqërohen me diskutime dhe konsultime publike. Vendimet që do të merren do jenë rezultat i këtij procesi, njofton Ministria e Financave, transmeton Portalb.mk.

Në kuadër të këtij procesi është edhe diskutimi për reformën tatimore i ministrit të Financave Fatmir Besimi dhe përfaqësuesve të komunitetit akademik dhe ekspert – akademikë nga Akademia e shkencave dhe arteve të Maqedonisë, Taki Fiti dhe Abdylmenaf Bexheti profesorë universitarë dhe ekspertë nga sfera e rregullativës tatimore, si dhe Trajko Sllaveski, Vlladimir Filipovski, Nikolla Popovski, Aleksandar Stojkov, Bllagica Petreski, Marjan Petreski, Aleksandra Naqeva – Ruzhin, Gligor Bishev, Nikica Mojsovski dhe Goran Rafajllovski.

Përmirësimi i politikës ekzistuese tatimore dhe harmonizimi i saj me BE-në, sigurimi i konkurrencës së drejtë, analiza e bazës tatimore, zvogëlimi i evazionit tatimor, zvogëlimi i borxheve tatimore, përmirësimi i kapaciteteve të institucioneve në sistemin tatimor, rritja e transparencës, përmirësimi i mekanizmave kontrollues, përmirësimi i shërbimeve dhe vendosja e stimujve për përgjegjësi ekologjike dhe tatimim “të gjelbër” – këto janë objektivat konkrete të përfshira në Planin e veprimit për këtë vit.

Aktivitetet që do të zbatohen në kuadër të këtyre objektivave janë analiza e bazës tatimore dhe ndryshimet e mundshme të tatimit mbi të ardhurat personale, tatimit mbi fitimin dhe pronën, si dhe analiza lidhur me lirimin tatimor. Në vijim, parashihen aktivitete për parandalimin e evazionit tatimor, përmirësimin e fiskalizimit, mjedisin keshles (pa para të gatshme), modernizimin e shërbimeve, zhvillimin e resurseve njerëzore dhe përgatitjen e propozimeve për vendosje të stimujve për përgjegjësi ekologjike, si dhe aktivitete të tjera në kuadër të këtyre objektivave.

Pesë prioritetet që do të arrihen me zbatimin e objektivave dhe aktiviteteve janë:
1) drejtësi më e madhe në tatimim,
2) efikasitet dhe efektivitet më i mirë i të ardhurave tatimore në drejtim të arkëtimit të të ardhurave,
3) transparencë më e madhe tatimore,
4) cilësi më e madhe e shërbimeve dhe
5 ) vendosje e tatimimit ekologjik të gjelbër.

Ministria e Financave dhe Qeveria angazhohen për ndërtimin e sistemit më të mirë tatimor që do të jetë efikas, transparent, bashkëkohor, i thjeshtë dhe i drejtë dhe si i tillë do të jetë bazë për rritje të përshpejtuar dhe zhvillim ekonomik. Kjo do të zbatohet përmes procesit transparent dhe gjithëpërfshirës të konsultimeve dhe diskutimeve publike me palët e interesuara që filloi javën e kaluar në takimin e ministrit të Financave me përfaqësuesit e odave ekonomike dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button