fbpx

Konfuzion mbi efektshmërinë e vaksinave kineze

Deklarata në një konferencë në Shengdu bëri bujë:  Vaksinat kineze “nuk arrijnë nivele shumë të larta mbrojtjeje”, tha kreu i Qendrës Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve infektive, Gao Fu, shkruan Dojçe Vele.

Nuk kaloi shumë dhe ai e relativizoi këtë deklaratë. Për gazetën kineze “Global Times” ai tha se kishte dashur të thoshte se si mund të rritej edhe më shumë efektshmëria e vaksinave, duke kombinuar preparate të ndryshme. Pra ai kishte prezantuar një “vizion shkencor”.

Gao Fu, drejturesi i Qendrës për kontrollin e sëmundjeve epidemike shkaktoi konfuzion me thënien e tij për efektshmërinë e vaksinave kineze

Argumentimi i Fu, megjithatë, është në përputhje me atë që dihet deri më tani mbi efektivitetin e katër vaksinave të miratuara më parë në Kinë. Ato nuk janë pa efekt.

Tri vaksina me virus të vdekur, një vaksinë vektoriale

Tri vaksina (dy vaksina nga Sinopharm dhe një nga Sinovac) janë vaksina me virus të vdekur. Pra, ato bazohen në një teknologji të njohur prej kohësh që përdoret, për shembull, në vaksinat kundër hepatitit B ose gripit.

Këto vaksina nuk arrijnë efekt aq të lartë mbrojtës sikundër vaksinat mARN nga BioNTech / Pfizer ose Moderna (mbi 95 përqind), por janë më efektive se disa vaksina gripi, disa prej të cilave janë vetëm 30 deri 60 përqind të efektshme. Vaksina Vero e Sinophari-it rezultoi 79 për qind efektive në një studim të fazës III që u krye në dhjetë vende të botës.  Emiratet e Bashkuara Arabe madje, në një tjetër studim më vete, konstatuan  86 përqind efektshmëri. Sipas rezultateve paraprake të studimeve nga Brazili dhe Indonezia, efektiviteti i vaksinës CoronaVac nga Sinovac është midis 50 dhe 78 përqind.

Vaksina e katërt kineze e kompanisë CanSino është një vaksinë vektoriale e bazuar në një tip adenovirus 5. Kjo do të thotë se parimi i veprimit të vaksinës është i krahasueshëm me atë të vaksinës AstraZeneca. Mendohet se efektshmëria e saj arrin deri në 65 përqind. Në thelb, efekti mbrojtës është edhe më i lartë (deri në mbi 80 përqind ) po të merren parasysh vetëm proceset e rënda të sëmundjes që gjithashtu kërkojnë shtrim në spital.

Kombinimi i vaksinave nuk është i pazakontë

Ideja e kombinimit të vaksinave për të rritur efektivitetin nuk është krejtësisht e re. Shkencëtarët aktualisht po diskutojnë qasje të ngjashme për vaksinën vektoriale AstraZeneca.

Brazili është një nga vendet më të prekura me Covid, i cili përdor vaksinat kineze

Edhe vaksina ruse Sputnik V, në thelb, përbëhet nga dy vaksina me vaksina të ndryshme vektoriale, bazuar në adenovirusë të ndryshëm. Zhvilluesit presin që kjo të jetë më efektive.

Kina praktikisht nuk është në gjendje të provojë efektshmërinë e vaksinave të saj në vend, sepse ajo vijon të ndjekë politikën e masave të rrepta të bllokimit, të cilat kanë si rezultat uljen e infektimeve.  Prandaj shkenca mbështetet në studime që kryhen në vende që janë prekur rëndë, siç është për shembull Brazili.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button