AMI BOUÉ PËR SHQIPTARËT

Ami Boué në vitin 1840 e botoi librin Turqia Europiane, ku shkruan për kulturën, historinë, gjeografinë, gjuhësinë dhe etnopsikologjinë e popujve të Ballkanit.

Libri është përkthyer pjesërisht edhe në gjuhën shqipe (përktheu: Iliriana Agolli, Plejad, Tiranë, 2011).

Shqiptarët, shkruante ai, ishin pasardhës të ilirëve, kurse gjuha shqipe, kjo gjuhë “e vështirë për t’u mësuar” dhe “me shprehje të fuqishme”, ishte pasardhëse e ilirishtes.

Shqiptarët i quajti “banorë shkëmbinjsh”, që mbase ishin “raca më e bukur e Turqisë” dhe të ngjashëm me “tipat më të bukur të malësorëve zviceranë”.

I vlerësoi si njerëz mendjemprehtë, të guximshëm, të fuqishëm, punëtorë, sqimatarë, me talent gojëtarie, me përgjigje të shpejta dhe të lezetshme, me “sy që nuk shfaqnin falsitet”, ngulmues në ruajtjen e zakoneve, të lidhur me tokën dhe me krenari të theksuar kombëtare.

I hodhi poshtë paragjykimet për shqiptarët si “të egër” dhe për Shqipërinë si “zonë kaçakësh”, ku “qytetërimi nuk ecte përpara”.

Shqiptarët, sipas tij, nën një regjim më pak të ashpër do të ngriheshin sipas shembullit europian.

“Fatkeqësia e Shqipërisë është se gjendet midis shtetesh që priren ta zmadhojnë hapësirën e tyre, gjithashtu edhe patriotët shqiptarë ka të ngjarë të jenë të gabuar për sa i takon pritjes së tyre”.

Ndryshe nga çfarë thuhej në qarqet diplomatike, Boué mendonte se shqiptarët kishin ide të qartë kombëtare.

“Shqiptarët duken të ndarë në grupime të ndryshme, por qëllimi kryesor i tyre është të krijojnë një kombësi si ajo e Skënderbeut”.

Ami Boué ishte kundër paragjykimit të njohur për “shqiptarin si plaçkitës”. Sipas tij, udhëtarët përpiqeshin ta paraqitnin vendin me plot hajdutë. Ata shtireshin kinse kishin frikë, por bënin manovra politike që ta frikësonin qeverinë turke. Në Shqipërinë e Sipërme, sipas tij, nuk njihej hajdutëria, kurse njerëzit kishin veti të mira dhe ishin solidarë.

Autori përmendi edhe vese të shqiptarëve. Ata, sipas tij, ishin xhelozë për gratë dhe vajzat e tyre, kurse gruaja shqiptare ishte veçse skllave e burrit. Ajo detyrohej të përkujdesej për fëmijët, t’i bënte punët më të lodhshme të shtëpisë, madje edhe rrihej.

“Shqiptarja nuk është veçse një skllave e të shoqit, kurse punët e rënda e vyshkin dhe ia shtojnë rrudhat”.

Foli për përçarjet dhe zënkat brendashqiptare dhe prirjen për mercenarizëm, që e bënte Shqipërinë “fidanishte e satelitëve të turqve”.

Ami Boué shkroi edhe për qytetet që i vizitoi. Thotë se Skopia rridhte nga fjala shqipe Schop (shkop në kuptimin e skeptrit).

Shkroi edhe për Gostivarin, Prizrenin, Prishtinën, Mitrovicën, Gjilanin, Rugovën, Pejën, Deçanin, Kumanovën, Durrësin, Shkodrën, Manastirin, Elbasanin, Dibrën, Strugën, Ohrin, Mirditën, Lumën etj.

La shënime edhe për Tetovën. Përmendi kalatë e lashta të Orashës (Oraskale) dhe të Leshkës (Ledenit), por edhe Grupçinin (Grupshin – Drupshin), Debërçën (Dobrotan) apo vendet në Sharr (Shipkovicë, Vejcë, Sellcë, Brodec, Veshallë, Kobilicë, Luboten).

U mahnit nga Tetova me ura druri e guri; me gjelbërimin e kudondodhshëm; me kullat dhe kazermat; me rrugët e pastra dhe kopshtet; me minaret, çarshitë dhe hanet; me konakët e drurit dhe çardakët. Aq shumë i pëlqeu Tetova sa tha se gjatë verës “nuk kishte vend më të bukur në gjithë Turqinë”.

Aty e vizitoi pashain e “quajtur Aburrahim (Abdurahman), vëllai i pashait të Shkupit”, kurse në kopshtin e kalasë pa ushtarë shqiptarë të veshur me kostume kombëtare.

Boué e botoi librin në kohën kur Perandoria Osmane shkonte drejt shpërbërjes, kurse qarqet intelektuale dhe politike europiane e demonizonin gjithçka që lidhej me të. Pasi Ballkani ishte pjesë e Turqisë Europiane, ai quhej rajon kulturalisht dhe ekonomikisht i prapambetur, quhej zonë e ndërmjetme, edhe pse aty lindi letërsia dhe filozofia europiane. Aty lindi agora, demokracia dhe dialogu. Aty ishin themelet e qytetërimit europian.

Ami Boué, për dallim nga shumë autorë tjerë, e shihte ndryshe Ballkanin. E shihte ashtu si ishte dhe jo sikurse imagjinohej.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button