fbpx

KUIZET

Si adhuruese e kuizeve që jam, s’kam si mos jua dedikoj një shkrim atyre. Jo se i pëlqej unë, por për qëllimin që mbajnë në vete: përvetësimi i dijes dhe njohurive të përgjithshme si dhe nxitja e mënyrës kritike të të menduarit.

Kuizi paraqet një lloj të lojës shoqërore dhe zbavitëse që bazohet në testimin e njohurive nga fusha të ndryshme, më së shpeshti me karakter konkurruese. Pikërisht kjo e bën atë atraktiv dhe tërheqës për te gjitha grupmoshat. Duke qenë se kanë edhe karakter argëtues, shpesh hasen edhe në formën e kuzieve televizive ku pjesëmarrësit garojnë për një çmim final.

Pikërisht me një format të tillë televiziv, jam njohur me kuzin për herë të parë që në moshë të vogël. Ishte kuzin i famshëm kroat KVISKOTEKA, që mbante të mbërthyer para ekranit gjithë familjen time çdo të enjte. Të bënte për vete jo vetëm mënyra se si udhëhiqej, nga i madhi Oliver Mlakar po edhe struktura dhe cilësia e pyetjeve që të shtonin kërshërinë. Kuizi u emitua ne TV plot 15 vjet, që nga v.1980 deri më 1995.

Pasioni im për kuziet vazhdoi edhe më vonë. Përsëri falë kanaleve televizive kroate kam patur rastin të ndjek disa, ku do veçoja: “Najslabija Karika”, “Milioneri” dhe së fundmi “Potjera”. Për sa i përket këtij të fundit, akoma vazhdoj të mrekullohem, njësoj si më parë nga dija që posedojnë disa. Shpesh pyes veten vallë a ka edhe te ne njerëz kaq të ditur dhe përse kanalet tona televizive, të shumta tashmë nuk arijnë të prodhojnë programe të tilla cilësore dhe edukativo – zbavitëse. Përse nuk kemi kuize të tilla. Për hir të së vërtetës ka pasur ca tentativa, të zbehta do thoja me Milionerin dhe disa kuzie tjera këtu në Maqedoni por edhe në Shqipëri e Kosove, por që kanë lënë shumë për të dëshiruar si nga cilësia, lloji i pyetjeve ashtu edhe nga përgatitja e kandidatëve.

Dilemat dhe pikëpyetjet rreth asaj se ku çalojmë ne në këtë drejtim, më nxitën që të bëja ca kërkime rreth kuizeve dhe traditave që kanë vendet tjera me kuziet.

Kështu mësova që fjala kuiz daton diku nga vitet 1780/90 në Angli, kurse etimologjia e saj është e panjohur edhe pse ekzistojnë mite rreth saj. Një fakt tjetër interesant është që kuizi më i madh sipas Guinness ka qenë “Quiz for Life” – i mbajtur në Belgjikë më 11 dhjetor 2010, ku morën pjesë 2.280 garues.

Kuptova që vendi i cili shquhet më shumë për nga tradita e kuzieve është Mbretëria e Bashkuar. Pikërisht atje janë krijuar edhe të ashtuquajturit Pub kuziet apo kuziet e pabeve, bareve. U krijuan në vitin 1970 dhe menjëherë u bënë pjesë e kulturës Britanike. Luhen nëpër bare dhe shpesh ju ngjajnë festivaleve të kreativitetit ku grupet sfidojnë njëri tjetrin dhe zbaviten jashtë mase, prandaj edhe kanë popullaritet të jashtëzakonshëm. Sipas një studim të bërë në vitin 2009 kur edhe mori hov, numri i kuizeve javore të pubeve në MB arriti në 22.445 kurse në SHBA afërsisht 2000.

Kur jemi te kuizet televizive, do veçoja të famshmin game show-u “Who Wants to Be a Millionaire?”

“Kush dëshiron të bëhet milioner” paraqet ekskluziviten e shfaqjeve ndërkombëtare të lojërave televizive, po ashtu me origjinë britanike – i krijuar nga David Briggs, Mike Whitehill dhe Steven Knight. Për herë të parë u transmetua në 4 shtator 1998 nga rrjeti televiziv ITV. Menjëherë pati një interes dhe shikueshmëri të madhe. Kjo për faktin se si u konceptua: formati i pyetjeve, atmosfera në studio,  por mbi të gjitha çmimi final që ofrohej – 1 milionëshi. Ndaj dhe licenca e tij u shit nëpër shumë vende të botës. Deri sot ky show kuizi është transmetuar në rreth 160 vende të botës .

Sot kuziet televizive por edhe forma të tjera të kuzeve nëpërmjet internetit si: BuzzFeed Quizzes, Challenge The Brain, Quiz Uk, etj janë mjaft të njohur, sepse përveç që bëjnë vlerësimin dhe përcaktimin e nivelit të njohurive dhe aftësive, nxisin dhe afirmojnë dijen dhe e shpërblejnë atë.

Pikërisht kjo i bën kuizet interesante dhe provokues edhe për gjeneratat e reja të cilat së fundmi po ballafaqohen me sfidat e mësimit online. Statistikat kanë treguar se mësimi onlinë është forma më e preferuar e Gjeneratës Z, kurse testimi i dijes nëpërmjet lojërave dhe kuizeve online është pikërisht forma më e parapëlqyer e tyre.

Mënyra klasike e të mësuarit, mësimi nga tekstet shkollore nuk arrijnë të tërheqin vëmendjen e të rinjve, sepse nevojat dhe preferencat tashmë kanë ndryshuar. Vendosja e kulturës së kuzieve nëpër shkolla dhe kolegje, ku teknologjia vepron si lehtësues, po sjellë perspektivë tjetër të mësimit dhe siguron pjesëmarrje aktive të nxënësve dhe studentëve në procesin mësimor.

Studimet e shumta të bëra në psikologji, vërtetojnë se gjasat për të mbajtur mënd për një kohë më të gjate diçka që sapo e kemi mësuar janë më të larta nëse bëhet testimi i menjëhershëm i dijës së fituar nëpërmjet një testi apo kuizi.

Po ashtu, sipas po të njëjtave studime mendohet se kuziet ndihmojnë dhe risin përqendrimin, identifikojnë boshllëqet në njohuri, ndërtojnë vetëbesim dhe i ndihmojnë fëmijët të ruajnë sa më gjatë në memorien e tyre informacionin. Dhe për më tepër – kuizet janë edhe argëtuese!

Prandaj, promovimi dhe inkurajimi i kulturës së kuzieve është i rëndësishëm për një shoqëri, por sidomos në arsim. Përveç përfitimeve të dukshme në zgjerimin e njohurive dhe eksplorimit të aftësive të reja në moshë të hershme, kuzet nxisin një mënyrë të të mësuarit ndryshe dhe jashtë kornizës standarde. Duke qenë se kërkojnë mendim kritik, ju ndihmojnë të rinjve të formojnë shprehinë e të të mësuarit inovativ që në moshë të hershme.

Autore: Natyra Dika Kërluku

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button