Ende nuk është përmbushur premtimi për gazsjellësin në Tetovë dhe Gostivar, 75% të punëve janë kryer

Edhe pse ishte një ndër premtimet kryesore të kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, gjasat janë të vogla që gazifikimi i qytetit të Tetovës të bëhet gjatë muajve të ngelura të mandatit të kësaj të fundit. Drejtori i Resurseve Energjetike të RMV-së, Bajram Rexhepi vitin e kaluar potencoi se kjo punë do të përfundojë deri në fund të vitit 2020, kjo nuk ndodhi. Sot në mes të prilli të vitit 2021, nga Ministria për Transport dhe Lidhje potencuan se 75% e punëve janë kryer, por ka ende punë, shkruan Portalb.mk.

Ndërtimi i rrjetit të gazsjellësit për në Tetovë dhe Gostivar nga pjesa e Shkupit vazhdon ende, por jo me të njëjtat ritme siç ishte në fillim të këtij projekti, kjo për shkak se optimizmi ka rënë ndërsa afati i premtuar nga kompetentët, ka kaluar.

Bllagoj Boçvarski
Bllagoj Boçvarski

Sot nga Ministria për Transport dhe Lidhje për Portalb.mk potencuan se prej gjithsej 86 kilometrave, deri tani është vendosur rrjeti i tubave në gjatësi prej 53 kilometrave, nga kjo ministri janë optimist se kjo punë mund të përfundojë deri në fund të vitit.

“Ju informoj se deri tani është vendosur rrjeti i tubave në gjatësi prej 53 kilometrave nga gjithsej 86 kilometra e gjatësisë totale të këtij projekti, gjegjësisht, deri tani është realizuar 75% e totalit. Në përputhje me planin dinamik, pritet që këtë vit të kompletohet ndërtimi i gazifikimit Shkup – Tetovë – Gostivar” theksuan nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

Tentuam të kontaktojmë edhe me Komunën e Tetovës për këtë çështje, nga atje, nuk deshën të komentojnë.

Premtohet nga viti 2017

Një ndër premtimet kryesore të kryetares aktuale të Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, ka qenë edhe gazifikimi i qytetit të Tetovës, duke u bazuar në një studim të fizibilitetit i cili kësaj komune i kushtoi plot 6 milion euro.

Sipas këtij studimi të fizibilitetit, fillimisht planifikohet gazifikimi i shkollave dhe më pas edhe i gjithë qytetit, përfshi për amvisëritë dhe për ngrohje. 

Teuta Arifi
Teuta Arifi

Nga Komuna e Tetovës gjatë vitit 2018 kishin deklaruar se ju është premtuar se punët për gazsjellësin do të përfundonin gjatë vitit 2020.

“Nga bisedat që i kemi pasur, normalisht jozyrtare, me drejtorin e resurseve energjetike, ata janë optimist se Tetova do të përfshihet në trasenë kryesore, dhe nëse nuk gaboj – ata kanë arritur deri në anën e Gostivarit me punë, dhe janë shumë optimist se deri në vitin 2020, kjo çështje do të përfundojë” deklaruan nga Komuna e Tetovës për gazetën KOHA në vitin 2018.

Nga ana tjetër, Komuna e Tetovës nuk i ka kryer detyrat e veta për këtë proces, që është themelimi i një Ndërmarrje Publike enkas për gazifikim, kjo për shkak se secili qytet i cili është përfshirë në këtë proces ka ndërmarrjen e vet për gazifikim ndërsa ndërmarrja qendrore është në Shkup.

Përveç kësaj, në vitin 2019 edhe drejtori i Resurseve Energjetike të RMV-së, Bajram Rexhepi, premtoi se në fund të vitit 2020 qytetarët e rajonit të pollogut do të furnizoheshin me gaz natyror, kjo nuk ndodhi.

“Do të përfundojë në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, në gjysmën e dytë të vitit do të bëhen testimet konform standardeve për gazifikim. Pra, në fundin e vitit të ardhshëm ne do të përfundojmë të gjithë procedurën për të vënë në funksion këtë gazsjellës dhe do të mund të furnizojmë të gjithë rajonin e pollogut me gaz natyror” kishte deklaruar Bajram Rexhepi në dhjetor të vitit 2019.

Ndryshe, nga Qeveria e RMV-së kishin siguruar 90 milion euro për 204 kilometra rrjet të gazsjellësit. Eko aktivistët vazhdimisht kanë bë thirrje për sjelljen e gazit natyror në rajonin e pollogut, marrë parasysh se ishte një ndër rajonet më të ndotura në vend. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button