Takvaja kurorë e agjërimit

Shkruan: Dr. Husein Rizai

Për muajin e bekuar të Ramazanit, mund të flitet nga shumë pikëpamje të ndryshme, për arsye se dhuratat e Ramazanit janë aq të shumta, sa që është e pamundur të  numërohen, sepse kanë forcë dhe ndikim shpirtëror në jetën e muslimanëve, që nuk mund të matet me asnjë muaj tjetër të vitit. Për hir të këtij muaji të bekuar dhe mysafirit më të dashur në shtëpitë e muslimanëve dhe zemrat e çdo besimtari, është i dobishëm përkujtimi në disa “vlera dhe virtyte” të cilat e veçojnë Ramazanin nga muajt e tjerë. Fjala është për muajin më të ndershëm dhe muajin e vetëm emri i të cilit përmendet në Kur’an. Allahu Fuqiplotë në Kur’anin Fisnik, thotë: “O ju që keni besuar, agjërimi u është bërë obligim sikur që ishte obligim edhe për popujt tjerë që të jeni të devotshëm.” (Bekare: 183) Nga vet ajeti qartë shihet se agjërimi është shumë i ndërlidhur me devotshmërinë, gjegjësisht takvanë. Në fakt Allahu Fuqiplotë me ajetin kuranor në një mënyrë na tregon se dëshmia e imanit është agjërimi, ndërsa dëshmia e agjërimit është takvaja. Për ta dëshmuar agjërimin tonë, është shumë e rëndësishme takvaja, ato kanë një lidhje shumë të ngushtë me njëra tjetrën.

Termi takva, rrjedh nga rrënja vikajeh, që në aspektin etimologjik nënkupton “të ruhesh, të mbrohesh, të kesh kujdes, të largohesh, të respektosh, të jesh i dëgjueshëm, të jesh fetar, të ndjekësh me përkushtim, të frikohesh, të druhesh”. Ndërsa në aspektin terminologjik ka kuptimin e ruajtjes nga dënimi i Zotit duke e respektuar Atë. Kjo realizohet duke e ruajtur nefsin nga sjelljet për të cilat njeriu do të meritonte të ndëshkohej.

Vetëm forma “et-takva” në Kur’an përmendet 15 herë, kurse në forma të tjera gramatikore, si mbiemër (muttekun/muttekin), pastaj si folje në urdhërore (itteki /itteku) apo në të shkuarën (ittekau), apo edhe në dëshirore (le’al-lekum tettekuun…), gjithsej përmendet 223 herë. Përgjithësisht dijetarët e kanë definuar takvanë si: frikë, largim nga shirku, mund, sakrificë për dituri dhe urtësi, largim i tërësishëm nga gjynahet, posaçërisht nga trazirat shpirtërore ndaj Zotit.

Si rrjedhojë takva donë të thotë: Përqëndrimi në Hakikat të Vërtetën Absolute, të jesh me Allahun në çdo gjendje dhe vend. Lidhja direkte e njeriut me Allahun dhe largimi nga gjërat që nuk i do dhe nuk është i kënaqur Allahu. Fshehja e robit prej gjithçkaje pos Allahut. Çlirimi prej fuqisë epshore, etj..

Siç shihet, “Takvaja” është ndër nocionet më të pasura semantike të Kur’anit. Ajo nuk është vetëm një fjalë, por është një koncept dhe më konkretisht është një platformë. Përkufizimi i “takvallëkut” njëra nga konceptet më të rëndësishme të islamit, është identik me përkufizimin e “metakognicionit”. Kognitioni është term psikologjik, i analizuar nga psikologu Piazhe. Kognitcion ose njohje është proces në të cilin informacioni shqisor transformohet, reduktohet, elaborohet, regjistrohet, rishfaqet dhe përdoret. Në shkencë, kognicioni është procesimi mendor që përfshin vëmendjen e kujtesës punuese, që kupton dhe prodhon gjuhën, llogaritjen, arsyetimin, zgjidhjen e problemeve, dhe marrjen e vendimeve. Kognicioni është aftësi për të përpunuar informacionin, për të përdorur njohurinë, dhe për të ndryshuar preferencat. Ndërsa metakognicioni i cili është identik me takvanë, është mbi njohje, ose njohje mbi njohjen, me fjalë tjera hetimi mbi njohjen. Perceptim i njohjes dhe veprimi sipas njohjes – vetëdijësim. Ose proces mbi njohjeje, njohje mbi njohurinë, memorien, gjuhën, inteligjencën, perceptimin, vëmendjen dhe emocionet, ose vetëdijesim, zhvillim i vetëdijes dhe kontrollit mbi proceset e të menduarit dhe të të mësuarit.

Si rrjedhojë mund të themi se takvaja është: kontroll, organizim dhe orkestrim aktiv, ose menaxhimi i të gjitha këtyre proceseve të njohurive, të cilat u përmendën më lartë. Sipas kësaj takvaja në veprim njeriut ia mundëson siç vijon:

  1. Vetëdije mbi platformat e shumëllojshme me të cilat ec në proceset mendore; siç janë; njohja, memoria, gjuha, inteligjenca, zgjidhja e problemeve, vendimmarrja, perceptimi, procesi i vëmendjes dhe emocionet.
  2. Braktisja me vetëdije e njërës platformë, në një pjesë të sekondës dhe zgjedhja e një platforme tjetër diametralisht të kundërt, (largimi nga harami);
  3. Neutralizimi i diktatit apo urdhrave verbale (gojore, me fjalë)  dhe joverbale (gjuha e trupit, gjestikulacionet, mimika, shikimet etj.)  degraduese të mjedisit përreth;
  4. Monitorimi (përcjellja) aktiv i proceseve tona vetanake-personale dhe ndërpersonale. 5. Çdo gjë gjithmonë të shikohet kryesisht nga perspektiva e Allahut xh.sh..

Për ta kuptuar se si Kur’ani e përkufizon takvanë, do t’i referohemi ajetit  kuranor ku Allahu Fuqiplotë thotë: “Mirësi nuk është të kthyerit e fytyrës drejt lindjes dhe perëndimit, por është besimi në Allahun, në Ditën e Fundit, engjëjt, Librin dhe Pejgamberët; e atij që me vullnet jep nga pasuria e tij për të afërmit, jetimët, të varfrit, udhëtarët e mbetur në rrugë, lypësit dhe për lirimin e të robëruarve; e atij që fal namazin dhe e jep zeqatin; dhe e atyre që i mbajnë premtimet kur marrin përsipër diçka; e atyre që durojnë në kohë skamjeje, sëmundjeje dhe lufte. Këta janë besimtarët e vërtetë dhe këta janë të devotshmit.” (Bekare: 177)

Sipas ajetit nënkuptojmë se Takva, person i devotshëm është ai i cili:

Ka bindje të plotë dhe të paluhatur, ose, besim (iman) tek Allahu i Plotfuqishëm; bindje të plotë dhe të paluhatur, në ditën e gjykimit; bindje të plotë dhe të paluhatur, në jetën e përtejme; në forcat që Zoti i ka krijuar për përfitimin tonë, melaiket; në të gjithë të dërguarit e Zotit; dhe në gjithë librat e shpallur prej tyre; krijimin e një sistemi ku burimet përdoren për të ndihmuar;  ndihma drejtuar atyre që nuk kanë përkrahje dhe mbrojtje në shoqëri; ndihma drejtuar atyre që humbasin mjetet e jetesës ose nuk kanë mundësi të punojnë; ndihma drejtuar atyre që nuk punojnë aq sa duhet për të plotësuar nevojat e tyre. Ky sistem ndihmon dhe të jashtmit, të cilët kur kalojnë në një territor bëhen të varfër, si dhe përgatitjen për çlirimin e skllevërve; faljen e namazit dhe lutjet për të tjerët duke u ndihmuar; shpërndarja nga ajo që ka dhënë Allahu;  sinqeriteti, besnikëria, përmbushja e premtimit; urimi, ata që bëjnë sabër në çfarëdo ballafaqimi, ata që mund të durojnë jo duke u ankuar por duke qëndruar dhe përballur me punë dhe çdo herë me energji pozitive.

Përpos këtyre urdhëresave kuranore janë edhe udhëzimet e të Dërguarit të Allahut ku thotë: “Mos ushqeni zili për njëri-tjetrin. Mos i acaroni myshterinjtë (për të rritur çmimin)! Mos e urreni njëri-tjetrin! Mos i ktheni shpinën njëri-tjetrit! Askush të mos bëjë shitje (të dytë) mbi shitjen e tjetrit.”, “Bëhuni vëllezër o robërit e Allahut! Muslimani është vëlla i muslimanit; nuk i bie në qafë, nuk e lë pa ndihmë dhe nuk e përçmon atë. Devotshmëria ndodhet këtu,” dhe ka treguar tri herë kraharorin e tij.”

Si rrjedhojë agjërimi si ibadet shumë i rëndësishëm dhe bazë e fesë islame, ndihmon në vetëdijësimin dhe perceptimin e islamit sipas asaj që kërkon Allahu i Madhërishëm. Për ta kuptuar a e kemi dëshmuar agjërimi tonë, duhet kontrolluar veten dhe secili prej nesh duhet parashtruar pyetje vetes.

A kemi bindje të plotë, të paluhatur dhe besim tek Allahu i Plotfuqishëm? A kemi bindje dhe besim në ditën e gjykimit? në jetën e përtejme? Në melaiket;? Në të gjithë të dërguarit e Zotit?  Në gjithë librat e shpallur prej tyre? A jemi nga ata që ndihmojnë skamnorët? A jemi praktikues të rregullt të namazit? A shpërndajmë zekat, fitre dhe sadaka?

Përpos këtyre obligimeve nuk duhet të harrojmë se:

Një njeri i vetëdijshëm – takva nuk e hedh bërllokun në rrugë;  nuk flet me zë të lartë; nuk e pastron hundën me gishta dhe ta hedhë në rrugë, por edhe kur do ti pastroj i pastron  duart; nuk i shqetëson njerëzit në rrugë e posaçërisht gjininë femërore; në asnjë mënyrë nuk pështyn në (rrugë); nuk gënjen në asnjë mënyrë; nuk mashtron në asnjë pore të jetës ku gjendet ose punon; nuk tradhton asnjëherë por është shumë besnik; nuk i rreh fëmijët, nuk i shanë fëmijët dhe nuk i sulmon fëmijët nëpër rrugë; nuk është përtac, është shumë i vetëdijshëm për punën dhe përgjegjësinë; nuk e rreh gruan e as nuk e shanë e as nuk e poshtëron, kudo që të jetë as në rrugë e as në shtëpi; njeriu i vetëdijshëm – takva nuk bartë fjalë, por kur i tregohet ndonjë sekret i mbetet me të deri në vdekje; pa marrë parasysh se ku punon, qoftë në ndonjë firmë private apo shtetërore apo është administrator ose diçka tjetër, nuk vjedh, nuk merr ryshfet, nuk shantazhon; njeriu i vetëdijshëm – takva  nuk blenë pafajësinë prej gjykatave, nuk i vjedh dëshmitë e krimeve, nuk i shkatërron njerëzit e pa krahë; nuk uzurpon pronën publike; nuk e betonizon hapësirat e gjelbërta; i respekton rregullat e pandemisë dhe mban përgjegjësinë për veten dhe të tjerët; kur hidhërohet takvaja nuk poshtëron, nuk bëhet agresiv, nuk fyen, nuk bën përçarje dhe nuk sulmon në asnjë mënyrë; njeriu i vetëdijshëm – takvaja nuk merret me sehire, magji, nuk shkon të falltari apo hoxha për me gjetur burrë apo grua, e as për t’i ndarë një burë nga një grua; nuk shkrinë plumb, hajmali; njeriu i vetëdijshëm – takvaja nuk ua ndanë hisen vetëm djemve por u jep hise edhe vajzave që i ka; nuk e parkon veturën në vende ku do t’i dëmtojë të gjithë; nuk e shpenzon ujin për kot, nuk e lan veturën me ujë të çezmës; nuk e hedh ose ta nxjerr bërllokun e shtëpisë në rrugë, por e mbanë brenda oborrit të vet.

Ja pra, agjërimi është një ibadet shumë i rëndësishëm dhe mënyra më e mirë për t’u bërë i devotshëm, apo i vetëdijëshëm. Pa dyshim, agjërimi ka dobi shëndetësore dhe shpirtërore, por asnjëherë nuk duhet të largohemi nga qëllimi kryesor i tij e ajo është takvaja. Ramazani krijon një mjedis që ndihmon në zhvillimin dhe formimin kolektiv të karakterit. Myslimanët duhet të zbatojnë dhe të shfaqin gjatë gjithë vitit cilësitë, që janë treguar në ajetet e mësipërme, si rezultat i agjërimit në muajin e Ramazanit. Përderisa ndërtimi karakterit është një proces i vështirë, i gjatë dhe i vazhdueshëm, Ramazani përsëritet çdo vit si përkujtues dhe përforcues. Ne duhet t’i gjykojmë arritjet tona me anë të standardeve të caktuara nga Kur’ani.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button