Nita Zeqiri rrëfen për eksperiencën si vullnetare në luftën kundër Kovid-19 (VIDEO)

Para një jave filloi vaksinimi masiv në Maqedoni. Për këtë u angazhua një ekip i madh mjekësor, ndërsa një numër i madh studentësh të mjekësisë u paraqitën për të ndihmuar vullnetarisht. Në këtë grup vullnetarësh merr pjesë edhe Nita Zeqiri. Nita është studente e  mjekësisë, e cila ndjek punën praktike në vitin e fundit të studimeve në Fakultetin e Mjekësisë – Shën Kirili dhe Metodi në Shkup.Në intervistën për Portalb, Nita na rrëfen për studimet në mjekësi  si dhe eksperiencën e deritanishme si vullnetare në luftën kundër Kovid-19.

Nita e udhëheq Shoqatën e Studentëve të Mjekësisë në Shkup. Ajo është anëtarja dhe studentja e parë shqiptare që merr pjesë në Këshillin e këtij fakulteti për mësimdhënie dhe shkencë.

“Karriera në mjekësi për mua ishte mundësia unike për të kombinuar interesin tim për shkencën me ndihmën ndaj të tjerëve. Duke qenë brezi i tretë i mjekëve në familje, që në moshë te re u njoftova me satisfakcionin moral që ofron ndihma ndaj njerëzve dhe mirënjohja e pacientëve. Vëzhgimi nga afër i  punës shkencore dhe i hulumtimeve në aspektin akademik ishin një ndër faktorët kryesor të cilët e determinuan këtë rrugëtim. Mjekësia ka qenë gjithmonë nje ëndërr e imja fëmijërore e kahershme,  por më shumë sesa vetëm profesion. Për mua mjekësia mbetet një mision.” tha Nita.

Një person i beson një mjeku gjënë më të çmuar që ka – shëndetin. Të jesh mjek është përtej përgatitjes akademike, është të ndash dhimbjen me pacientin dhe t’u përkushtosh kohë dhe kujdes njerëzve edhe në momentin kur ata kanë hequr dorë. Sipas Nitës, është privilegj të njoftosh dhe të mbështesësh pacientët etë gjitha kategorive gjatë rrugëtimit të tyre drejt shërimit.

“Që nga fillimi i pandemisë e deri më tani, si studentë  ishim të kyqur në monitorimin epidemiologjik të pacientëve pozitiv me Kovid-19. Më pas ishim edhe në qendrat e infektologjisë, ku ishin  të hospitalizuar pacientët, e deri më tani, kur jemi të kyçur në procesin e vaksinimit të pacientëve, që shpresoj të jetë etapa e fundit e pandemisë. Në vaksinim, rreth 70 studentë të mjeksisë jemi të kyçur te pjesa administrative (në evidentimin e pacientëve, caktimin e kohës për dozën e dytë) dhe këshillimin e pacientëve.u shpreh Zeqiri.

Mesazhi që Nita përcolli për të gjithë studentët e mjekësisë është:

“Mjekësia shqiptare qëndron në duart e gjeneratave të reja dhe ne flijojmë rininë tonë për shëndetin e popullit tonë. Qëllimi ynë duhet të jetë një dhe i përbashkët, e gjithë jeta jonë profesionale t’i dedikohet përmirësimit të cilësisë së sistemit shëndetësor dhe krijimit të barazisë shëndetësore për të gjithë njerëzit dhe të gjitha komunitetet. Kjo mund të arrihet vetëm nëse edhe si studentë jemi të përgjegjshëm dhe punëtor, sepse këto janë cilësitë që një student duhet t’i kultivojë për t’u bërë një mjek i mirë pas kryerjes së studimeve.” e përmbylli Nita.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button