BDI-ja konsideron se më pak se 1.300 shqiptarë janë në procedurë për nënshtetësi dhe se ligji i vitit 2004 është zgjidhja

Bashkimi Demokratik për Integrim konsideron se çështja e nënshtetësisë duhet të zgjidhet sipas modelit tashmë, siç thonë ata, të suksesshëm nga viti 2004, i cili parashihte që një qytetar mund të pajiset me dokument të shtetësisë edhe përmes posedimit të një dëftese të kryerjes së shkollimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, posedimit të librezës së mjekut, faturave të energjisë elektrike, ujësjellësit apo ngrohtores si dhe dokumente tjera të lëshuara nga ndonjë institucion shtetëror, transmeton Portalb.mk.

“Siç e kemi thënë shpesh këto ditë, e vërteta rreth çështjes së shtetësive që nga viti 1991 e deri në vitin 2021 është kjo: Nga viti 1991 e deri në vitin 2021 me dokumentin e shtetësisë, rrjedhimisht që nga pavarësia e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në 30 vitet e fundit, gjithsej 43.321 shqiptarë kanë marrë dokumentin e shtetësisë dhe vetëm 3.374 janë refuzuar”, thuhet në kumtesën e BDI-së.

Sipas BDI-së, në proces e sipër për tu pajisur me dokumentin e shtetësisë janë 2.674 kërkesa, nga të cilët më pak se gjysma janë shqiptarë, pra më pak se 1.300 qytetarë.

“Për ne, qoftë edhe një person i vetëm pa nënshtetësi që i plotëson kushtet, duhet të adresohet sepse ka qenë një ndër pikat e para të marrëveshjes sonë dhe kemi përvojë të mirë nga e kaluara. Jemi optimist se për shpejt kohë do të gjejmë gjuhë të përbashkët me opozitën me qëllim që të zhbllokojmë punën e Kuvendit dhe me këtë të ndihmojmë qytetarët, sepse në procedurë parlamentare janë pikërisht ligjet të cilat kanë të bëjnë me pakot ekonomike kryesisht ndihma financiare për qytetarët dhe bizneset e vendit”, thonë nga BDI.

Me këtë bllokadë të paarsyeshme, vlerëson BDI-ja, opozita ka lënë 16.000 punëtorë pa rroga dhe shumë ligje pa i miratuar.

Nga partia shqiptare në pushtet, thonë se nuk janë as 70.000 shqiptarë që nuk kanë shtetësi e as 7.000 siç pretendon opozita, prandaj dhe iu bëjnë që të ndalojnë së manipuluari me ndjenjat e shqiptarëve dhe njëherë e mire të përcaktohet të bëj rolin e opozitës së vërtetë, të jetë korrektor i pushtetit dhe të kryej obligimin që kanë marrë nga populli.

Ky reagim i BDI-së, vjen pikërisht sot kur po zhvillohet takimmidis Kryeministrit Zoran Zaev dhe liderëve të opozitës shqiptare Ziadin Sela dhe Afrim Gashit, i cili ka të bëjë me çështjen e shtetësisë dhe zhbllokimin e punës së Kuvendit.

Në takim pritet të gjendet zgjidhje për Ligjin për Shtetësi, për shkak të të cilit opozita shqiptare ka bllokuar Kuvendin me mijëra amendamente të një pas njëshme.

Sipas deklaratave të kryeministrit Zoran Zaev, dëshmitarët për marrjen e shtetësisë nuk janë zgjidhje, prandaj pritet që ai t’ju ofrojë zgjidhje me dokument ose vërtetim se personi përkatës jeton ose ka jetuar në Maqedoninë e Veriut.

Një takim i tillë, javën që lam pas u caktua, por për arsye që nuk dihen i njëjti nuk u mbajt.

Ndryshe, Aleanca dhe Alternativa fillimisht propozuan që shtetësia të merret me dy dëshmitarë dhe me njohuri të paktën një prej gjuhëve zyrtare në Maqedoni, duke nënkuptuar për gjuhën shqipe. Kjo u refuzua nga blloku i partive maqedonase dhe VMRO-DPMNE paraqiti amendamente për projekt-ligjin.

Pas takimit të Zaevit me Rexhepin, Aleanca dhe Alternativa hodhën poshtë kërkesën për marrjen e shtetësisë me dëshmitarë, gjegjësisht pranuan se nevojitet ndonjë dokument që të vërtetojë se jetojnë këtu, ndonjë certifikatë fëmije, vërtetim për ndihmë social. Përkatësisht do të listohen disa kushte, dhe nëse njërin prej tyre e përmbushin ata që nuk kanë nënshtetësi do të mund ta marrin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button