Arsimi n’pandemi: mes “katastrofës breznore” dhe “zhvendosjes paradigmatike” (1)

Periudha njëvjeçare e koronavirusit që na ka pllakosur globalisht dhe lokalisht ka ndikuar thellësisht në të gjitha përmasat e jetës, nga shëndeti, ekonomia, kultura, psikologjia, mënyra dhe ritmi i jetesës që ka ndryshuar radikalisht, fetaria, raportet ndërnjerëzore, deri te arsimi apo shkollimi si një nga kryevlerat që përgatit fëmijët, të rinjtë, gjeneratat dhe ardhmërinë e shoqërisë.
Çasti kur u desh që ta kalohet nga klasa dhe të niset me hapjen e laptopit ose të celularit, shprehur me gjuhën e antropologjisë” përbën një rit të kalimit, fillimin e një udhëtimi jetë-përcaktues (Spencer, 2020), kalimin nga zilja dhe dërrasa e zezë (bardhë) drejt digjitalizimit, nga një paradigmë në një tjetër arsimore.

Hulumtimet flasin se Covid-19 në vitin 2020 preku rëndë shkollimin: 94% e mësonjësve, 1.6 miliardë të rinj në 200 vende në katër anët e botës të ndikuar në kursin e tyre të formimit si njerëz. Disa shtete si Malta, Portugalia dhe Irlanda shpallën se (sektorë të) arsimit formal nuk do të hapeshin, ndërsa disa të tjera si Danimarka, Gjermani, Franca, Greqia dhe Polanda sistemin arsimor e rifilluan në prill-maj 2020. Sipas Komisionit Europian dëmi i shkaktuar në mësim nga Covid 19 është i paprecedent.

Humbjet mësimore (learning losses) janë shumëpërmasore:
(1) nxënësit e karantinuar harxhojnë më pak kohë për të mësuar krahasuar me kohën kur shkollat janë të hapura;
(2) shumë nxënës të mbyllur në shtëpi ndjehen te stresuar dhe anksiozë, që ndikon negativisht në përqendrimin dhe punën për shkollë;
(3) mbyllja e shkollimit fizik dhe mungesa e kontaktit ndërpersonal i ka bërë studentët më pak të motivuar për t’u përfshirë në aktivitete të mësimit. Sondazhi i Schul-Barometer realizuar mes 25 mars-5 prill 2020 me nxënës ausriakë, zviceranë dhe gjermane të moshës 10-19 ka gjetur se gjatë karantinës për shkak të pandemisë koha e nxënies ka shënuar rënie për 4 deri në 8 orë në javë krahasuar me periudhën para-Covid- 19. (Huber et al. 2020).

Meqë po hyjmë në vitin e dytë të jetës me pandeminë, kur gjysma e popullatës së botës është ndikuar nga mbyllja e pjesërishme ose e plotë e shkollave, UNESCO thekson nevojë për rimëkëmbje arsimore dhe shmangien e “katastrofës breznore” (generational catastrophe) dhe me qëllim të mbështetjes së vazhdimësisë edukative ka themeluar një “Koalicion Global të Arsimit” ku 160 anëtarë veprojnë në tre trema kyçe: gjinia, lidhshmëria dhe mësimdhënësit. Ndërkohë në fund të muajit mars 2021 organizoi një takim ministror të nivelit të lartë për të bërë një përmbledhje të mësimeve të marra, për të detektuar rreziqet me të cilat përballet arsimi sot dhe për të gjeneruar strategji për përfshirje të çdo mësonjësi.

Sot, mësimi online, radio/TV platformat arsimore si përgjigje ndaj Covid-19 po aplikohen në 60% të shteteve, ku Ministritë e Arsimit kanë krijuar mekanizmat e vet për të ofruar përmbajtjen arsimore për mësimdhënës dhe nxënës në arsimin fillor dhe të mesëm, duke përdorur syresh komerciale si Microsoft Teams, Google Classroom) dhe open source si Moodle, Canvas. (World Economic Forum). Mësimdhënësit për të gjitha grupet e moshës nga filloristët deri te arsimi i lartë kanë kaluar nga mjediset klasore në forma të tjera të mësimit nga distanca dhe zhvillojnë metoda për të mbetur në kontakt me prindërit dhe kolegët nxënës/studentë.

Për nxënësit, mungesa e mjedisit klasor të strukturuar kërkon më tepër vetërregullim dhe vetëmotivim për të mësuar pa mbështetje. (frontiersin.org) Çështja që shtrohet është transformimi digjital dhe ardhmëria, gjegjësisht strategjitë e një transformimi të sistemeve arsimore. Një çështje tjetër që shtron UNESCO është mundësitë e partneritetit publik-privat për të kontribuar në avancimin e këtij transformimi. Pra kemi të bëjmë me një zhvendosje të madhe paradigmatike të arsimit dhe konceptit për të, ndryshime rrënjësore në këtë sferë kruciale shoqërore. (vazhdon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button