Arsyeja lidhet me zemrën nëpërmjet agjërimit…

Shkruan Metin Izeti

Agjërimi është një përvojë shpirtërore fetare e cila lëviz vazhdimisht ndërmjet arsyes dhe zemrës. Ashtu siç besimi që ka nevojë për arsyetimin mendor, ashtu edhe arsyeja ka nevojë për të qenë e bindur. Në muajin e Ramazanit dhe veçanërisht në procesin e agjërimit arsyeja dhe zemra, më drejtë arsyetimi dhe bindja, e përjetojnë bashkërisht përvojën shpirtërore të qetësisë dhe përkushtimit.

Agjërimi është një nga pesë kushtet e Islamit si dhe një nga pesë shtyllat kryesore që e mbanë në këmbë besimin e myslimanit. Në realitet, agjërimi, është shenjë e besueshmërisë së besimit dhe besnikërisë ndaj Krijuesit dhe në një mënyrë e paraqet verifikimin e pranimit të realitetit bashkërisht me përkushtimin ndaj tij. Agjërimi i ngërthen të tre pjesët kryesore të besimit islam. Ai është një diskurs i qëndresës, pranim me zemër dhe veprim shoqëror. Qëllimi i agjërimit nuk është që njerëzit t’i largojë nga pasionet dhe t’i ndëshkojë ata. Përkundrazi, ai është përgjigje e thellë ndaj thirrjes së Allahut xh.sh., me një besim përplot me pasione. Agjërimi synon që, brenda një kohe të caktuar me impakt të veçantë shpirtëror, njeriut t’ia mundësojë qetësinë e brendshme duke e udhëzuar në kryerjen e obligimeve fetare, përkujtimin dhe mendimin rreth mëkateve dhe botës tjetër. Mirëpo, theksi është në atë se kjo kohë e caktuar duhet të jetë nismë e një procesi i cili do të shpërndahet edhe në njëmbëdhjetë e muajt e vitit. Kjo qëndresë, në të vërtetë, myslimanit ia hap dyert e një ndryshimi dhe zhvillimi shpirtëror që kurorëzohet me qetësi psikologjike. Ajetet e Kur’anit theksojnë se qëllimi kryesor i agjërimit është, që me qëndresë dhe durim aktiv, njeriu të arrijë në gradën më të lartë të besimit, në vetëflijimin për hir të Krijuesit. Me fjalë të tjera sinqeriteti që e mundëson agjërimin është rezultat i dhembshurisë dhe qetësisë në veprimin shoqëror, i ndërtimit të ndiesisë për të dalluar dhe për ta kuptuar të mirën dhe të keqen dhe si rrjedhojë në ndërveprimin e tyre me besimin e myslimanit.

Agjërimi nuk është reaksion por është aksion. E tillë është edhe feja. Ajo, së bashku me të gjitha praktikat e veta, dëshiron që të hap rrugën e të mirës dhe mënjanimin e të keqes nga individi dhe shoqëria. Adhurimi nuk ka karakter të kurimit të prishjeve të ndryshme të baraspeshës shpirtërore, përkundrazi ai ekziston për të vendosur baraspeshën individuale dhe shoqërore. Njeriu nuk agjëron dhe as nuk falet për të shëruar sëmundjet psikologjike, por agjëron ose falet për të krijuar një botë ku nuk do të ketë presion psikologjik. Adhurimi, veçanërisht, nxjerr në pah një vullnet të fortë për edukimin e egos. Procesi i edukimit të egos ecë duke i braktisur të ligat dhe mëkatet dhe duke i përforcuar elementet e qëndrueshmërisë midis zemrës dhe arsyes. Pikërisht për këtë Ramazani mund të konsiderohet si një  mundësi ideale për t’u larguar nga mashtrimi, vjedhja, përgojimi, fodullëku, hipokrizia dhe të ngjashmet. Më pas, duke i shfrytëzuar edhe mekanizmat shpirtërore të namazit, veçanërisht të namazeve nafile, siç janë teravitë dhe namazi i natës, impaktin shpirtëror të Natës së madhe të Kadrit, që Kur’ani e karakterizon si më të vlefshme se një mijë muaj, dhënien e sadakasë, të bëhet një aksion për të përfituar shprehinë e të mirës dhe krijimit të vlerave. Në këtë kontekst Ramazani është një kamp aksiologjik, ku çdo shoqëri , në kuadër të rrethanave të veta, ka mundësi t’i dhurojë njerëzimit shumë gjëra që sot, për fat të keq, i ka humbur.

Ramazani e tregon edhe faktin se esenca e njeriut është e ndërtuar nga arsyeja dhe zemra, pra, na e bën me dije se nuk është e shëndoshë zemra e cila nuk di të mendojë dhe sodisë. Zemra e besimtarit ka nevojë për një mendje e cila do ta përforcojë besimin e zemrës, për një mendje e cila do të kuptojë nevojën e vetëizolimit në Hira’në e  kontemplacionit dhe bukurisë së meditimit. Agjërimi ka ndikim të veçantë në ndërtimin e urës së fortë dhe të shëndoshë ndërmjet arsyes dhe zemrës. Kjo kështu, për shkak se njeriu i cili agjëron, prej këtij edukimi mujor, del me një moral të fuqishëm për ta thelluar aksionin e tij në ndërtimin e dijes, edukatës, vlerave, me fjalë të tjera për ta thelluar edhe më bashkëpunimin e tij me parimet e të mirës. Kjo rrugë është me sfida dhe ka nevojë për mënjanimin e pengesave rrugore, siç janë pasionet dhe lakmitë, ka nevojë për përforcim të vullnetit për të udhëtuar si dhe për të krijuar mundësitë e të menduarit pozitiv. Ndërsa agjërimi e ndërton vetëdijen fetare për t’u formuar dhe për të menduar pozitivisht, për të cilat shumë kemi nevojë në ditët e sodit.

Njeriu, për ta vazhduar jetën e tij biologjike ka nevojë për të ngrënë, për të pirë dhe për t’u strehuar. Gjithashtu ai e ka edhe instiktin e dashurisë ndaj vetes, i cili e detyron që të përpiqet për të jetuar sa më mirë. Ndërsa nga ana tjetër, ai ka nevojë edhe për zhvillim të shpirtërisë me qëllim që të jetë i qetë dhe i relaksuar. Theksi i fuqishëm në përmasën biologjike i nxjerr në plan të parë dhe i bën të fuqishme elementet kafshërore të njeriut dhe si pasojë ai tjetërsohet nga përmasa e tij esenciale si qenie etike, ndërsa potenca ekstreme në përmasën shpirtërore, atë e tjetërson nga shoqëria dhe është në kundërshtim me natyrën e tij esenciale. Si pasojë, njeriut i nevojitet një baraspeshë ndërmjet përmasës së tij biologjike dhe asaj shpirtërore për ta arritur qëllimin real të vendzënies së tij në këtë hapësirë të qenit. Në këtë kontekst, muaji i Ramazanit e vendos ujdinë midis dimensionit lëndor dhe atij tej-lëndor të njeriut. Në kulturën e popujve myslimanë muaji i Ramazanit ka një segment të veçantë kulturor dhe artistik i cili e ngërthen edhe të ushqyerit lëndor edhe atë tej-lëndor. Nga njëra anë janë të këndshme sofrat e iftarit dhe të syfyrit, ndërsa nga ana tjetër nuk mund të përshkruhet ëndja nga atmosfera shpirtërore e çdo çasti në kuadër të ditës me agjërim.

Gjatë agjërimit shpirti vendos një relacion sipëror me trupin. Filozofia e agjërimit në Islam është e bazuar në përforcimin e shëndetit të shpirtit duke e edukuar trupin, por edhe në përforcimin e shëndetit trupor duke e edukuar shpirtin. Me fjalë të tjera, besimtari dallohet nga ai që nuk beson, me vullnetin dhe ndërgjegjësimin. Këta dy virtyte besimtarit i japin fuqi shpirtërore për të realizuar qëllimet jetësore, por edhe një strukturë aktive trupore për ta bartur këtë proces mbi supe. Agjërimi është përvoja më efektive për vullnet të fortë dhe ndërgjegjësim dhe si pasojë për shpirt të qetë dhe trup aktiv.

Filozofia e agjërimit është e bazuar në solidaritet dhe sinergji, madje agjërimi është një mysafir i begatshëm për të vendosur baraspeshën ndërmjet individit dhe shoqërisë. Kultura e Ramazanit, me iftaret, namazet, këndimet e Kur’anit (mukabelet), va’zet (ligjëratat), ndihmat (sadakatë) krijon një atmosferë të bashkësisë, solidaritetit dhe bartjes së vlerave në hapësirën shoqërore. Agjërimi e ngjall ndjenjën e empatisë dhe altruizmit midis individëve në shoqëri. Presioni i mëshirës hyjnore gjatë Ramazanit ndikon që njerëzit t’ia shtrinë dorën e pajtimit njëri tjetrit dhe të kërkojnë falje për lëshimet e tyre. Me fjalë tjera, muaji i Ramazanit, për ata që e përjetojnë me sinqeritet, është krejtësisht një botë tjetër.

Muaji i Ramazanit e konkretizon lidhjen shoqërore midis njerëzve. Ardhja e Ramazanit bën që myslimanët të përqafojnë dhe të urojnë njëri tjetrin dhe të krijojnë një sistem homogjen si rrjedhojë e respektit ndaj ibadetit. Sinergjia shoqërore e tregon veten edhe në largimin nga biseda e ligë dhe gënjeshtra, pasi sipas thënies së Pejgamberit a.s., ai që nuk e ruan gjuhën prej fjalëve të liga, nuk duhet të qëndrojë i urët dhe i etur gjatë ditës, sepse Zoti nuk ka nevojë për urinë dhe etjen e tij. Ndërprerja e shprehive të këqija gjatë Ramazanit e mundëson nismën e një procesi të ndërgjegjësimit drejt mendimit dhe veprimit pozitiv në shoqëri. Koncepti i njeriut të plotë mund të arrihet, ose më mirë thënë, mund të ecet drejt tij duke u ndërgjegjësuar për të metat dhe lëshimet dhe duke u përpjekur për t’u përmirësuar dhe zëvendësuar ata me të mirat dhe vlerat. Kjo përpjekje, është fakt se, edhe pse jo me intensitet të njëjtë tek të gjithë, është e pranishme  gjatë agjërimit dhe adhurimeve tjera në muajin e Ramazanit.

Rruga më adekuate për të arritur qëllimin e agjërimit është që, duke u përqendruar në formësimin e ndërgjegjes tonë dhe duke e lidhur atë me urdhrat dhe ndalesat e Zotit,  atë ta konsiderojmë si një shkallë për të realizuar një individ dhe shoqëri më të mirë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button