fbpx

ANALIZË: RMV, inflacioni në rritje – ngritje e mundshme e çmimeve të produkteve të importuara

Një kilogram sheqer 44 denarë, një litër vaj gatimi 95 denarë. Çmimet e produkteve ushqimore bazë po rriten me fillimin e këtij viti. Në fund ë tremujorit të tretë, statistika edhe zyrtarisht konfirmoi se shpenzimet e jetesës në mars krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar u rritën për 2.1 për qind. Një pjesë e tregtarëve me mallra të importuar – plastikë, produkte të kuzhinës, qeramikë, thonë se jo vetëm çmimet e ushqimeve, por së shpejti do të rriten edhe çmimet e produkteve të tjera, analizon Portalb.mk, në analizën javore ekonomike.

Shpenzimet e jetesës po rriten

Tekstili, produktet nga plastika dhe metali – një numër i madh i produkteve të importuara po shtrenjtohen. Tregtarët thonë se gjatë kësaj periudhe po përballen me çmime dukshëm më të larta të produkteve të ndryshme që importohen nga Kina dhe Turqia.

“Do të më duhet t’i rris të gjitha çmimet në dyqan. Produktet e plastikës për banjo dhe kuzhinë, produkte prej porcelani – gjithçka që kam importuar nga Turqia tani janë me çmim shumë më të lartë. “Nëse nuk e rris çmimin e produkteve – duhet ta mbyll dyqanin”, thotë Elena, pronare e një dyqani në Shkup.

Situata është e ngjashme edhe në tregtinë e tekstilit.

“Unë importoj produkte tekstili nga Kina dhe Turqia. “Javën e kaluar, kur bëja një porosi, për të njëjtën shumë që paguaja deri më tani, më thanë se do të merrja gjysmën e sasisë së produkteve që zakonisht importoja” – shpjegon një tregtar me produkte tekstili.

Është e qartë se ky vit filloi me një valë të rritjes së çmimeve. Pritjet janë që të ketë rritje të inflacionit për shkak të disa faktorëve. Sipas Anketës së fundit mbi pritjet e inflacionit dhe pritjet për lëvizjen e PBB-së reale të cilën e zhvillon Banka Kombëtare, pritjet për rritjen e çmimeve kanë trend rritës. Kështu, në vend të përqindjes së parashikuar prej 1.5% në anketën e mëparshme, pritjet tani janë pozicionuar në 1.8% për këtë vit dhe 1.9% për vitin e ardhshëm.

“Të anketuarit i shpjegojnë pritjet e tyre të inflacionit me faktorët e mëposhtëm: ecuria aktuale e përqindjes së inflacionit, pasiguria e shkaktuar nga pandemia e Kovid-19, çmimet më të larta të ushqimit dhe energjisë, si dhe çmimet e mallrave të importuara. Të anketuarit gjithashtu konsiderojnë se kapërcimi gradual i krizës, stimulimet monetare dhe fiskale, rritja e kërkesës së brendshme, si dhe rimëkëmbja e ekonomisë do të kontribuojnë në rritjen më të lartë të inflacionit” – thuhet në Anketë.

Rritja e çmimeve tashmë ndihet në jetën e përditshme.

“Në një kohë të shkurtër, vaji ushqimor u shtrenjtua shumë. Po ashtu edhe produktet e tjera kryesore. “Çmimet po rriten, kurse kemi situatë krize”, thotë një bashkëqytetare jona.

                                   Çmimet me pakicë mars 21/20 – shtrenjtim për këtë vit

Produktet industriale 2.9%
Produktet ushqimore 1.5%
Shërbimet 2.5%
Produktet bujqësore 1.0%

Në mars, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, çmimet me pakicë u rritën për 2.6%. Rritja e çmimeve, praktikisht do të thotë se janë rritur shpenzimet e jetesës – gjegjësisht se jetesa po bëhet më e shtrenjtë. Një rritje e konsiderueshme e shpenzimeve të jetesës në mars u regjistrua pikërisht te nevojat themelore.

Shpenzimet e jetesës, mars 2021/20 – shtrenjtim për këtë vit

Vajrat dhe yndyrat 14.0%
Buka dhe drithërat 1.6%
Perimet 1.9%
Sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata 2.3%
Kafja, çaji, kakaoja 1.3%

Pijet alkoolike dhe duhani në mars u rritën për 4.3%, shpenzimet e strehimit, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve të tjera djegëse për 4.5%, ndërsa shpenzimet shëndetësore krahasuar me marsin e vitit të kaluar u rritën për 2.5%.

Rritja e inflacionit filloi në fund të vitit të kaluar dhe ky trend pritet të vazhdojë.

“Në tremujorin e katërt të vitit 2020, përqindja vjetore e inflacionit u përshpejtua gradualisht dhe arriti në 2.2%. Inflacioni në këtë periudhë është mbi parashikimet për tremujorin në kuadër të projeksionit të tetorit, ndërsa devijimi lidhet kryesisht me rritjen e komponentës ushqimore dhe energjetike, ndërsa lëvizja e inflacionit bazë është në përputhje me pritjet. Për tërë vitin 2020, përqindja vjetore e inflacionit është në përputhje me pritjet dhe është 1.2%”- theksojnë nga Banka Popullore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button