Cila është vaksina për dezinformata?

S’ka virus, maskat nuk të mbrojnë nga koronavirusi, masat e izolimit janë të kota dhe vaksinat janë të rrezikshme. Këto janë vetëm disa nga dezinformatat, që kanë qarkulluar nëpër rrjetet sociale, prej kur ka shpërthyer pandemia e koronavirusit, shkruan REL.

Pretendime të tilla për pandeminë janë raportuar në shumicën e vendeve të botës, edhe për faktin se koronavirusi ka qenë problematikë e re për të gjithë.

Megjithatë, njohësit e fushës së mediave dhe politikave globale shëndetësore vlerësojnë se vazhdimësia e përsëritjes së supozimeve të tilla, edhe pas më shumë se 13 muajve të përballjes me pandeminë, flet për mungesë të informimit të saktë për pandeminë në Kosovë.

Ata shprehen të shqetësuar nga mungesa e vetëdijes për rreziqet që ngërthen brenda vetes pandemia dhe mendojnë se ide të tilla mund ta vonojnë procesin e ecjes përpara sikurse vendet tjera, në disa prej të cilave, shkalla e vaksinimit kundër koronavirusit po rritet relativisht shpejt.

Dren Gërguri, ligjërues në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka përcjellë përhapjen e informacioneve të rreme për pandeminë prej shpërthimit të saj.

Ai tregon për Radion Evropa e Lirë se si në fillim është diskutuar shumë për zanafillën e koronavirusit, dhe janë përhapur informacione të rreme se ky virus është krijuar në laborator nga shtete e fuqishme.

“Pastaj me kalimin e ditëve, javëve, dezinformatat filluan të kalonin nga zanafilla e virusit, gjoja se te këshillat mjekësore, se si të mbrohen njerëzit nga koronavirusi”, thotë Gërguri.

Në një hulumtim që ka kryer Gërguri rreth kësaj çështjeje, në qershor të vitit të kaluar, ka rezultuar se limoni ka qenë produkti i dytë më i shitur në Kosovë.

“Arsyeja është sepse gjatë atyre muajve paraprakë kishte dezinformata se limoni të mbron nga virusi dhe përdorimi i limonit me ujë të nxehtë është diçka që duhet ta bëjë secili. Prandaj pas miellit, doli që limoni ishte produkti më i blerë nga qytetarët”.

Përgjatë analizimit të dezinformatave që kanë qarkulluar më së shumti në rrjetet sociale në mesin e shqipfolësve, Gërguri ka treguar se cilat janë reditur si pesë të parat në listë:

  • Doktori amerikan shkund botën, tregon të vërtetën për koronavirusin.
  • Diçka po ndodh! 40.000 trupa speciale amerikane kanë zbarkuar në vendet e Bashkimit Evropian përreth Ballkanit
  • Një mjek japonez tregon si ta kuptoni nëse jeni infektuar me COVID-19
  • Koronavirusi është mashtrim, masonët duan ta kontrollojnë botën
  • Ilaçi për koronavirus dhe mënyra si ta eliminojmë atë

Ai tregon se disa prej këtyre dezinformatave i ka pranuar edhe vetë në llogaritë e tij në rrjete sociale.

“Këtë me mjekun japonez e kam pranuar në Viber nga një shok i imi, i cili më shkroi dhe tha, ‘provoje sepse një mjek japonez po e thotë’. Unë pastaj e pyeta se ku hasi në këtë informacion dhe ai më tregoi se e ka parë në një faqe në Facebook. Pra, çfarë ka ndodhur është se këto dezinformata, prej Facebookut janë shpërndarë gjithmonë edhe në Viber dhe Whatspp, pasi nëse kthehemi një vit mbrapa ishte ajo ndjenja e panikut, frikës dhe në situata të tilla, njerëzit edhe nga dëshira për ta ndihmuar tjetrin, kanë shpërndarë dezinformata”, ka thënë Gërguri.

Hana Xhemajli, eksperte për hulumtime të politikave globale shëndetësore, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se ende vazhdon të dëgjojë dezinformata të tipit se virusi nuk ekziston.

Mirëpo tani për të përbën më shumë shqetësim kur njerëzit janë gjysmë të informuar dhe se aktualisht, sipas saj, dezinformata më e madhe lidhet me vaksinim.

“Ka mungesë të informatave rreth vaksinës dhe në atë hapësirë krijohen dezinformata të ndryshme. Nëse një herë kemi thënë se s’ka virus, atëherë shumë thjeshtë mund të themi se vaksinat janë të dëmshme. Në momentin që nuk flasin profesionistët, atëherë lindin konspiracione të ndryshme”.

Pas rritjes së dilemave për këtë vaksinë, më 8 prill ka reaguar edhe ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia.

Ai ka thënë para mediave se vaksina kundër koronavirusit është e sigurt dhe asnjë person që ka marrë vaksinën deri më tani në Kosovë, nuk ka pasur efekte anësore nga ajo.

Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit më 29 mars, pas pranimit të 24.000 dozave të vaksinave të kompanisë AstraZeneca, përmes COVAX-it, skemës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë për shpërndarje të vaksinave në vendet e varfra.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button