Ballkani mbetet “biznes” gjeopolitik i papërfunduar

Igor Kalabukhov, është ambasadori i sapoemëruar i Federatës Ruse në Sarajevë. Ai e krahasoi NATO-n si armiqësore dhe paralajmëroi “masa nëse NATO do të bëjë shkelje të infrastrukturës ushtarake drejt kufijve rusë”. “Ne do të reagojmë ushtarakisht ”.

Zyrtarë të lartë serbë po ashtu kanë njoftuar se në një të ardhme të afërt serbët do të jetojnë në një shtet duke dhënë sinjale për krijimin e një Serbie moderne dhe të zgjeruar në kufijtë e dikurshëm mesjetar.

Në të vërtetë, Serbia me pandeminë ka përfituar shumë në planin rajonal duke u paraqitur si shtet që promovon humanizëm, ndërsa e vërteta është ndryshe. Serbia është e njëjta, vetëm i ka ndryshuar taktikat për t’i gjunjëzuar popujt fqinjë deri në një kohë kur BE dhe SHBA të deklarohen se Serbia mundet të jetë një aktor kryesor dhe stabilizues në Ballkan, pasi ka ndihmuar shumë shtete fqinjë në kohë të pandemisë.

Këtu Uashingtoni dhe Brukseli harrojnë se Serbia është para fazës përfundimtare të zgjerimit territorial në kohë të botës pandemike ku bashkë me rusët dhe kinezët po tallen me demokracitë e reja jo vetëm ballkanike. Sekretari amerikan i Departamentit të Shtetit Antony Blinken dha disa sinjale të mira se së shpejti vaksinat amerikane do të jenë në shërbim të shteteve aleate që janë zënë ngushtë nga rusët dhe kinezët.

Mirëpo, USAID dhe drejtori i ri i zgjedhur për të menaxhuar shpërndarjen e shpejtë të vaksinave, është i gjetur i papërgatitur në zinxhirin e shpërndarjes së shpejtë të vaksinave në shtetet pro- amerikane. Konkretisht, për arsye të involvimit të hershëm të agjencive ruse dhe kineze në Ballkan të ndihmuara edhe nga Serbia e cila është nyja kryesore e ndodhive të reja, vaksinat amerikane nuk do të kenë efektin publik apo të mirëpritjes në shtetet me popullsi të përzier.

Me anëtarësimin e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në NATO po shihet se siguria vazhdon të mbetet një ndër dilemat kryesore të shteteve aleate që janë projektuesit e integrimit ushtarak të Ballkanit në NATO. Për më shumë, përbërja e brendshme etnike është një ndër nxitësit kryesorë të opinionit anti- NATO dhe BE në rajon e cila do të vazhdojë të ketë lidhje me (mos) suksesin perëndimor të vaksinave në Evropën Lindore dhe në Ballkanin Perëndimor.

Ky sukses apo mossukses do të jetë vendimtar edhe për procesin e ardhshëm integrues të shteteve në BE apo rënien e interesimit të vendeve për BE-në. Poqese shtetet anëtare më të fuqishme të BE-së nuk do të arrijnë të përballojnë koston pandemike, kufijtë e jashtëm të unionit do të preken nga veprimet e aktorëve siç është Rusia për një destabilizim të pjesshëm të BE-së, shteteve që nuk janë anëtare të NATO-s atyre që janë, por që qytetarët kanë preferenca pro ruse dhe emocione fetare.

Perëndimi, Rusia, Kina dhe Serbia aktualisht janë shtetet më të involvuara në lojën e re me vaksina e cila do të nxjerrë në okularët e pas pandemisë një bllok gjeopolitik që do të bllokojë SHBA dhe BE në Ballkan. Prokurorimi i veçantë nga Gjermania për vaksinën ruse Sputnik- V do t’i hapë dyert e qeverive të Ballkanit dhe rusëve për pazare të reja e me kokëçarje për BE-në në të ardhmen, kurse për amerikanët do të jetë një mobilizim me rezultate të zbehta në publikun që admiron rusët dhe serbët.

Lufta e Parë Botërore (LPB) e nxori humbëse Gjermaninë e cila pas dy dekadave e filloi pushtimin e Evropës duke e shtuar oreksin rus për një pushtim tjetër të madh të Evropës Lindore dhe depërtimit rus në Ballkan. Pas fazës së parë të lojës ruse me Internacionalen Komuniste të vitit 1920, viti 1944 sjell një erë të vështirë të raporteve gjeopolitike për Ballkanin e cila ndryshoi me largimin e Titos nga orbita sovjetike. Rënia e komunizmit dhe shkatërrimi i BRSS-së vetëm se i dhanë Rusisë së Putinit të bëhet më antagoniste e cila me pandeminë ka fituar një status të konsiderueshëm në Ballkanin Perëndimor. Muajve të fundit kemi parë se përveç presidentit serb Aleksandër Vuçiç edhe kryeministrat tjerë nga rajoni kanë filluar të flasin hapur për Rusinë dhe kontributin e Kremlinit për të zbutur pasojat pandemike me vaksinat Sputink- V.

Ballkani Perëndimor dhe Maqedonia e Veriut kësaj here rivizitohen nga Fuqitë globale me një shpejtësi të fuqizimit të shteteve që kanë lidhje fetare me Rusinë dhe Serbinë. Ndërruesi i lojës është Rusia e Putinit që tashmë ka hyrë në zemrat e qytetarëve të disa shteteve të Ballkanit dhe presin me padurim kthimin në origjinë. Ndërsa Perëndimi, SHBA dhe BE duhet të rishikojnë mënyrën e influencës dhe financimit të projekteve që nuk kanë pasur sukses në Ballkanin Perëndimor për të parandaluar aktivitetin rus që përfundimisht e ka rivendosë rajonin në një lojë “biznesi” gjeopolitik.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button