Sadi Bexheti sërish në garë për kryetar të Komunës së Tetovës

Sadi Bexheti është kandidati i përzgjedhur nga Partia Demokratike Shqiptare për kryetar të Komunës së Tetovës. Pas tetë vitesh Bexheti është sërish në garë për këtë post. Sot ai e dha edhe deklaratën e tij para qytetarëve të Tetovës duke treguar kështu dhe synimet e tij për këtë qytet, njofton Portalb.mk.

”Mes shumë zhgënjimeve për dy mandate të qeverisjes lokale aktuale, i udhëhequr nga një vullnet i madh për ta zhvilluar vendbanimin tonë në një vend më të mirë, jetën familjare e qytetare më të pasur, angazhohem në këtë sfidë me kërkesë të kryetarit dhe qytetarëve të Tetovës. Në vazhdimësi po përjetojmë pasojat e keq menaxhimit lokal duke u nisur nga nevojat themelore të njeriut deri te ato për zhvillim intelektual.

– Nuk po mundemi të mendojmë për gjëra tjera sepse na mungon uji i pijshëm.
– Nuk po mundemi t’i besojmë institucionit të Komunës sepse kanë uzurpuar pronën publike dhe janë zhytur në afera korruptive me lejet e ndërtimit” – theksoi Bexheti.

Ai vazhdoi më tej duke cekur disa pika në lidhje me qytetin e Tetovës, që sipas tij Tetova nga një qytet me kulturë të pasur është shndërruar në një vend ku asgjë e mirë nuk promovohet.

“Nga një qytet me kulturë të pasur dhe jetë qytetare të mirëfilltë, Tetova është shndërruar në një qytet ku asgjë e mirë nuk promovohet, aktivitetet sportive dekurajohen, kapaciteti i tetovarëve të rinj po nënçmohet dhe kjo fatkeqësisht i përcjell tetovarët në migrim.
– Kaosi në komunikacion po iu merr minuta të vlefshme tetovarëve dhe i vonon në qëllimet e tyre fisnike.
– Rrugët e shkatërruara na dëmtojnë xhepat.
– Papastërtia dhe ajri i ndotur na len me pasoja shëndetësore.
– Arsimi i rrënuar, duke filluar nga çerdhet deri te universitetet, do të na lërë me pasoja afatgjata në zhvillimin arsimor dhe edukativ.
– Zanatçinjtë, bujqit dhe bizneset e vogla nuk marrin asnjë mbështetje, kjo ka vështirësuar dhe madje edhe ka rrënuar aktivitetin e familjeve tetovare.” – tha Sadi Bexheti.

“Komuna e korruptuar, joefikase dhe pengesat e shumta burokratike tetovarëve ua ka sjellë në majë të hundës. Në mungesë totale të transparencës dhe llogaridhënies qytetarët kanë ngelur pa asnjë derë të hapur. Kjo po na e bën jetën shumë të vështirë. Ndërtimet e paligjshme dhe ndërtesat e njerëzve të afërt me pushtetin lokal tetovarëve ua zënë dritën, ua marrin mundësitë e barabarta dhe në fund edhe bukën e gojës. Të dashur miq, përveçse të theksoj problemet tona, sot jam këtu që t’ju jap shpresë.” – theksoi ai më tej.

Sadi Bexheti ishte kryetar i Komunës së Tetovës nga viti 2009 deri në vitin 2013. Në vitin 2013 ai humbi dhe garën zgjedhore nga Teuta Arifi e cila vazhdon të jetë kryetare e kësaj komune për dy mandate radhazi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button