Pas 8 viteve premtime, në Tetovë pritet të fillojnë punimet për parking në kate: Komuna s’jep detaje

Premtimi 8 vjeçar apo i dy fushatave parazgjedhore të kryetares aktuale të Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, në 6 mujorin e fundit të mandatit të saj po merr formë. Edhe pse kontrata për arsye të panjohura nuk bëhet publike, Portalb.mk mëson se kompania e cila do të ndërtojë parkingun në kate është zgjedhur dhe se punët pritet të fillojnë ditëve në vijim, shkruan Portalb.mk.

Ky parking në kate pritet të ndërtohet në pjesën qendrore të Tetovës, gjegjësisht prapa restorantit “Tivoli”.

Megjithatë, përveç lokacionit dhe firmës që ka fituar tenderin për ndërtimin e këtij parkingu, nga Komuna e Tetovës nuk japin më shumë informacione në lidhje me marrëveshjen e tyre për kohën, kapacitetin dhe çmimin e këtij parkingu.

“Shpallja për këtë ka përfunduar, është nënshkruar kontrata dhe ditëve në vijim do të fillojmë me punë”, tha zëdhënësi i Komunës së Tetovës, Armend Fazliu.

Të pyetur se pse nuk është publikuar marrëveshja në Sistemin për Furnizim Publik, nga Komuna e Tetovës nuk morëm përgjigje.

Portalb.mk jozyrtarisht mëson se parkingu do të ketë vetëm një katesh dhe kapacitetet e tija do të jenë të limituara ndërsa firma e cila e ka fituar tenderin është “Eurovoia” me seli në Zhelinë.

Rikujtojmë se në buxhetin e vitit 2021 të Komunës së Tetovës,  në fushën e ndërtimit të hapësirave për parking janë planifikuar gjithsej 50 milion denarë para.

Ky është lokacioni ku pritet ndërtimi i parkingut në kate:

Vendi ku pritet të ndërtohet parkingu në kate.
Vendi ku pritet të ndërtohet parkingu në kate.

Ky projekt premtohet nga kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, nga viti 2013

Projekti i parkingjeve nëntokësore apo në kate ngelet premtim i parealizuar i kryetares Arifi, edhe pse i njëjti është premtuar nga viti 2013 kur për herë të parë kjo e fundit kandidoi për postin e kryetares së komunës së Tetovës.

“Unë e shoh Tetovën me infrastrukturë efikase rrugore, parkingje nëntokësore dhe linja të rregullta të transportit publik” tha Teuta Arifi në vitin 2013.

Të njëjtin premtim kryetarja Arifi e përsëriti edhe në fushatën parazgjedhore të vitit 2017, e cila tha se këto parkingje do të zgjidhnin problemin e komunikacionit në Tetovë

„Ngarkesa e komunikacionit është një prej problemeve më të mëdha që i ka qyteti. Ne kemi themeluar ndërmarrjen Parkingjet e Qytetit dhe sadopak kemi arritur të zvogëlojmë tensionin në qytet dhe jemi në projektim të zgjerimit në mandatit që vjen pikërisht zonave të parkingut. Mendoj që edhe garazhet në kate do të zgjidhin këtë problem” tha Teuta Arifi  Top Tema në vitin 2017.

Ndërmarrja “Parkingu i Qytetit” me të cilën u mburr kryetarja Arifi vazhdimisht punon në humbje, parkingje nëntokësore nuk janë krijuar ndërsa parkingjet zonale nuk janë zgjeruar

Deri tani nga themelimi i Ndërmarrjes Publike “Parkingjet e Qytetit” nuk është zgjeruar parkimi zonal, edhe pse këtë e premtoi kryetarja Arifi, kështu, Tetova vazhdon të përballet me problemin e komunikacionit tejet të rrënuar.

Nga ana tjetër, “Parkingu i Qytetit” vazhdimisht punon në humbje dhe merr kredi nga paratë e taksapaguesve. Me datë 26 nëntor në tentativën e dytë, kjo ndërmarrje arriti të siguroje 100 mijë euro kredi për shkak s vazhdimisht kishte punuar në humbje. Edhe pse e njëjta u arsyetua me pandeminë e virusit korona, raportet financiare të cilat i siguroi Portalb.mk, thonë se e njëjta ka punuar në humbje edhe para pandemisë.

Ndryshe, këto nuk janë projektet e vetme të parealizuara në fushën e lehtësimit të komunikacionit në Tetovë, si në fushatën parazgjedhore të vitit 2013 ashtu edhe në vitin 2017 kryetarja Arifi kishte premtuar hapjen e bulevardit “Blagoja Toska”, sigurimin e autobusëve për Transport Publik si dhe hapjen e dy bulevardeve tjera, nga të cilët, deri tani është bërë vetëm vazhdimi i bulevardit industrial.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button