Erdogan: Vaksinën tonë vendase do ta ofrojmë në përfitimin e të gjithë njerëzisë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka bërë të ditur se vendi i tij po punon në prodhimin e vaksinës vendase për të luftuar pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19) dhe se këtë vaksinë do ta vendosin në shërbim të gjithë njerëzimit.

Duke u adresuar përmes video-lidhjes në një takim të kombeve në zhvillim D-8, presidenti Erdoğan theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në luftën kundër pandemisë. Ai përmendi ndihmën e Turqisë për 157 vende dhe 12 organizata ndërkombëtare gjatë shpërthimit të pandemisë.

“Ne kemi deklaruar qartë në çdo platformë se vaksina, e cila është arma jonë më e madhe kundër virusit, nuk duhet të sakrifikohet për interesa apo motive të fitimit”, tha Erdoğan.

Ai promovoi idenë e ‘megabankës islame’

Më tej, Erdoğan promovoi idenë e një ‘megabanke islame’, e cila do të mund të plotësojë kërkesat e likuiditetit të institucioneve financiare islame, si dhe financimin e projekteve të infrastrukturës.
Në adresimin e tij në takimin e kombeve në zhvillim D-8, presidenti Erdoğan po ashtu përsëriti përpjekjen e tij për zgjerimin e tregtisë ndërkombëtare përmes monedhave vendase.
Që kur ai për herë të parë apeloi për tregti në monedhat vendase në samitin D-8 të vitit 2017 në Stamboll, theksoi presidenti turk, zhvillimet gjatë katër viteve të fundit dëshmuan se ideja është e besueshme dhe e shëndoshë.

“Për të mbrojtur vendet tona nga rreziqet e bazuara në monedha të huaja, ne duhet të përqendrohemi në tregtinë me monedhat vendase”, tha presidenti Erdoğan.

Lidhur me Rrjetin D-8 për Kërkim dhe Inovacion, ai tha se ky rrjet është shumë i rëndësishëm sepse mundëson shkëmbimin e informacionit midis universiteteve dhe institucioneve të tjera në fusha të tilla si energjia e rinovueshme, inteligjenca artificiale, robotika dhe nano-teknologjia.

Ai theksoi se vendet anëtare të rrjetit D-8 duhet të përqendrohen në prodhimin me vlerë të lartë të shtuar, bazuar në teknologji të larta, me qëllim të një zhvillimi të fuqishëm dhe të qëndrueshëm.
Erdoğan po ashtu theksoi se anëtarët e rrjetit D-8 duhet të azhurnojnë bllokun për t’iu përshtatur më mirë nevojave të sotme, duke e shndërruar atë në një projekt dhe strukturë të orientuar drejt rezultateve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button