fbpx

T’u gëzohemi begative të Allahut

Selman Auda

Allahu i Madhërishëm në Kuranin fisnik urdhëron e thotë:

Thuaj: “Vetëm mirësisë së All-llahut dhe mëshirës së Tij le t’i gëzohen, se është shumë më e dobishme se ajo që grumbullojnë ata.

(Junus, 58)

Duhet të mësohemi që të shërojmë pikëllimet tona me disponim të mirë. Ekzistojnë aq shumë gjëra me të cilat mund të gëzohemi. Duhet të gëzohemi që jemi krijuar si njerëz, duke ditur që Allahu i ka dhuruar aq shumë gjëra qenies njerëzore.

Allahu i Madhëruar thotë:

            “Ne vërtet nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit), u mundësuam të udhëtojnë hipur në tokë e në det, i begatuam me ushqime të mira, i vlerësuam ata (i lartësuam) ndaj shumicës së krijesave që Ne i krijuam.

(El – Israë, 70)

Dhe Ai thotë:

            “Vërtet, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur.

(Et – Tinë, 4)

Poashtu Ai thotë:

            “All-llahu është Ai që i krijoi qiejt dhe tokën, dhe Ai lëshoi prej së larti ujë (shi), e me të nxjerr fruta si ushqim për ju, dhe për të mirën tuaj u vuri në shërbim anijet, të lundrojnë nëpër det me urdhrin e Tij, e në shërbimin tuaj i vuri edhe lumenjtë.

            Për ju i nënshtroi diellin dhë hënën që në mënyrë të zakonshme vazhdimisht udhëtojnë. Për ju përshtati edhe natën e ditën.

            Dhe Ai ju dha gjithatë që e kërkuat (që kërkoi nevoja juaj) dhe, edhe në qoftë se përpiqeni t’i numëroni të mirat e All-llahut, nuk do të mund të arrini t’i përkufizoni (në numër). Vërtet, njeriu është i padrejtë dhe shumë përbuzës.

(Ibrahim, 32-34)

Do të duhej që t’i gëzoheshim begative që i kemi, por të cilat shpesh i shpërfillim. Duhet të gëzohemi që jemi gjallë. Do të duhej t’i gëzoheshim familjeve tona, të dashurve tanë, miqve tanë të cilët Allahu na ka dhuruar.

Sepse, për gëzimin dhe falënderimin tonë ndaj Allahut për begatitë e Tij, Allahu do të vazhdojë të na dhurojë edhe më shumë begati.

Sa i përket begative të Allahut që kanë të bëjnë me begati materiale, Allahu, xh.sh., thotë:

            “Nuk është mëkat për ju të kërkoni begati nga Zoti juaj…

(El – Bekare, 198)

Allahu, xh.sh., gjithashtu thotë:

            “…Ai e diti se nga ju do të ketë të sëmurë dhe të tjerë që gjallërojnë nëpër tokë duke kërkuar nga begatitë e All-llahut…

(El – Muzzemmil, 20)

Por, Allahu kërkon që begatitë që na jep t’i fitojmë në mënyrë të ligjshme. Edhe pak pasuri e cila i plotëson nevojat tona është më e mirë se pasuria e shumtë e përcjellur me lakmi dhe pakënaqësi.

Allahu poashtu na flet që t’i gëzohemi mëshirës së Tij për fenë tonë, për Kuranin dhe mirësinë që Ai e vendosi në zemrat tona.

Ky është shkaku që Pejgamberi, s.a.v.s., ka thënë:

– “Të kesh zili, bën ndaj dy vetave: njeriut i cili di Kuranin, e lexon ditë e natë dhe punon sipas tij, dhe njeriut të cilit Allahu i ka dhënë pasuri dhe ai e ndan ditë e natë.” (Buhariu dhe Muslimi)

Në këta dy shembuj që i ka përmendur Pejgamberi, s.a.v.s., janë paraqitur njerëzit të cilët Allahu u dhuroi begati të dynjasë dhe mëshirën e Tij, të mirat e kësaj dhe botës tjetër.

Kur arrijmë gëzim dhe kënaqësi në këto dy aspekte, atëherë kemi arritur lumturinë e vërtetë.

Për më tepër, begati është të lindësh në fenë islame, sepse islami na mundëson që të gjitha shpresat t’i vendosim tek Allahu dhe gjitha aspiratat tona t’i orientojmë në Ahiret. Feja na mundëson që të shikojmë mbi gjendjet tona momentale, bile edhe ato që duken të pashpresa me pritje që do të kalojnë me mëshirën e Allahut.

Feja na jep forcë për të vazhduar më tutje.

Përktheu dhe përshtati:

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button