RMV, riorganizimi i administratës që u paralajmërua në vitin 2017-të ende në fazë fillestare

Procesi i riorganizimit të administratës publike që parashikon zvogëlimin e numrit të institucioneve dhe të punësuarve në sektorin publik ende është larg realizimit. Pavarësisht se është premtuar në vitin 2017-të, deri sot nuk është arritur të përgatitet ende ligji, shkruan Portalb.mk.

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Jeton Shaqiri, sot deklaroi se procesi i riorganizimit ende është në fazën e parë, gjegjësisht të mbledhjeve dhe konsultimeve, ndërkaq paralajmëroi që deri në qershor ligji do të duhet të arrijë në Qeveri, ndërkaq gjatë verës të dërgohet në Kuvend.

Jeton Shaqiri
Jeton Shaqiri

“Përfaqësuesit e MSHIA-së kanë realizuar disa mbledhje me përfaqësues të udhëheqësve të projektit nga Komisioni Evropian. Në ato mbledhje tanimë më të zgjeruara marrin pjesë edhe partnerët qeveritar, por edhe opozita. Pas shqyrtimit të të gjitha raporteve, do të vazhdojmë me fazën e dytë nga propozimi i dorëzuar nga grupi punues, draft-versioni i ligjit do të publikohet në ENER, në pajtueshmëri me programin vjetor të punës së Qeverisë, ligji duhet të hyjë në qershor dhe gjatë verës do të dorëzohet në procedurë kuvendore. Me mbledhjen e ligjit, do të fillojë tërë procesi i riorganizimit”, tha Shaqiri.

Sipas ministrit, riorganizimi do të zgjatë 3 vite dhe do të ketë dhe plan aksional për zbatimin e tij.

“Për të do të miratohet edhe plan aksional i cili do të zgjatë 3 vite. Në procesin e përgatitjes së planit aksional, gjithashtu do të merret parasysh edhe shpërndarja e resurseve njerëzore në vetë institucionet nëpërmjet dispozitave ligjore nga Ligji për Zyrtarët Administrativ dhe Ligjit për të Punësuarit në Sektorin Publik”, shtoi Shaqiri.

Sipas premtimeve të autoriteteve, me këtë projekt do të mundësohet që ministritë të jenë institucione krijuese të politikave, agjencitë të jenë organe të cilat zbatojnë politika, dhe inspektoratet të kenë funksion vëzhgues. Sipas premtimeve të MSHIA-së, nuk do të ketë më përzierje të kompetencave mes institucioneve dhe pritet që të zvogëlohet numri i institucioneve dhe të punësuarve.

IPA projekti ka filluar në nëntor të vitit 2019, por paraprakisht janë zbatuar analiza fillestare dhe mapimi i institucioneve dhe kornizës ligjore, me mbështetje prej donatorëve tjerë. Projekti ka buxhet prej 1.7 milionë euro, në kuadër të projektit IPA, gjegjësisht financimi është siguruar tërësisht prej parave të Komisionit Evropian.

Projekti i këtillë është premtuar nga, ish ministri i MShIA-së, Damjan Mançevski në qershor të vitit 2017-të i cili tha se “nuk do të ketë shkarkim nga administrata shtetërore, por do të bëhet riorganizim për efikasitet më të madh”.

Në letrën mandatuese të kryeministrit Zoran Zaev, të cilën ia ka dërguar pasardhësit të Mançevskit, Jeton Shaqiri, riorganizimi dhe optimizimi i administratës është i theksuar në pikë të parë

“Në bashkëpunim me Qeverinë dhe institucionet kompetente, të vazhdojmë me procesin e riorganizimit dhe optimizimit të organeve të administratës shtetërore, agjencive dhe shërbimeve të inspektimit. Të zvogëloni vëllimin e të punësuarve në sektorin publik me 20%, duke bashkuar funksionet dhe kompetencat e institucioneve, daljen në pension në moshën 64 vjeçare (me përjashtime për personelin dhe profesionet deficitare), paketat për transferim në sektorin privat ose pension të parakohshëm, etj”, i ka shkruar mes tjerash Zaev, Shaqirit.

E derisa procesi i riorganizimit dhe optimizimit nuk ka filluar, numri i të punësuarve dhe institucioneve vazhdon të jetë ndër problemet kryesore të sektorit publik. Sipas raportit të regjistrit  të të punësuarve në sektorin publik për vitin 2020, të cilin e ka përgatitur Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, numri i të punësuarve në sektorin publik është zvogëluar për 1.717 në krahasim me vitin e kaluar, ndërkaq numri i institucioneve është rritur për 8, gjegjësisht, 131.183 të persona janë të punësuar në 1.322 institucione.

Borçe Davitkovski, kryetari në dorëheqje i Komisionit ad-hoc për zbardhjen e ngjarjeve të 24 dhjetorit
Borçe Davitkovski

Profesori, universitar, Borçe Davitkovski në një intervistë për Portalb.mk, theksoi se është i zhgënjyer nga reformat në administratë

Unë jam shumë i zhgënjyer pasi që mendova që me të vërtetë do të duhej të ulen dhe të bëjnë reforma, por deri më tani nuk kam parë asnjë reformë. Mandati i parë i kaloi Qeverisë, të themi se në atë mandat kishin tema politike, marrëveshje Prespa, me Bullgarinë. Tani është mandati i dytë, në fillim bëhen reforma jo në fund të mandatit, atëherë askush nuk bën reforma, por ja dalë-ngadalë po e hanë mandatin, vijnë zgjedhjet lokale, prapë do të mbushet administrata publike, do të pranojnë njerëz të tyre. Do të pranojnë votues a niveli i kualitetit të shërbimeve në administratën publike nga viti në vit bie dhe qytetarët nuk janë të kënaqur”, tha profesori Davitkovski.

Reformat në administratë publike vazhdojnë të jenë njollë e zeze e Maqedonisë së Veriut pasi që vazhdimisht ndërrohen pushtetet, por problemet vazhdimisht i lënë të kalben brenda institucionit i cili duhet të sigurojë departizim të administratës; ta shkurtojë numrin e madh të institucioneve dhe të punësuarve në sektorin publik; të sigurojë shërbime efikase, të shpejta dhe cilësore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button