Vetëm me tranzicion të drejtë do të mundësohet zhvillim i gjelbër i rajoneve që krijojnë energji të papastër

Kalimi nga përdorimi i lëndëve djegëse fosile në burime të ripërtëritshme të energjisë, të cilat Maqedonia e Veriut i ka përcaktuar me përzgjedhjen e skenarit të gjelbër nga Strategjia e energjetikës, duhet të ndiqet paralelisht nga procesi i tranzicionit të drejtë. Kjo është veçanërisht e vërtetë për rajonet e Kërçovës dhe Manastirit, ku janë vendosur termocentralet Osllomej dhe KE Manastir, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Aktualisht, mbi 50 për qind e nevojave tona për energji elektrike plotësohen nga lëndët djegëse fosile, proces gjatë të cilit lëshohen gazra serë që ndikojnë drejtpërdrejt në ndryshimin e klimës. Përpjekjet e vendit për të zbutur efektet e ndryshimit të klimës do të çojnë në mënyrë të pashmangshme në ndryshim në të cilin do të duhet të dominojnë burimet e rinovueshme. Kjo do të prekë të paktën 3.500 punonjës në këtë industri, kurse tërthorazi numër shumë më të madh njerëzish në rajone dhe më gjerë, u theksua në diskutimin për dekarbonizimin, por edhe për pasojat e tij në shoqëri, të cilat ishin tema e punëtorisë “Rruga drejt tranzicionit të drejtë”, të cilat mbahen në kuadër të Konferencës kombëtare për klimën, që u organizua nga Eco vetëdija (Eko svest), CNVP dhe DEM.

Tema e tranzicionit të drejtë, sipas Aleksandru Mustata nga CEE Bankwatch, është shumë e rëndësishme në Evropë në dy dekadat e fundit, ku industria e qymyrit është në rënie të vazhdueshme dhe pushime të punonjësve nga puna, siç ka qenë rasti në vende si Rumania, Sllovakia, Çekia e tjera. Për tranzicion të vërtetë, sipas tij, është e nevojshme të përcaktohet së pari termi, i cili duhet të përmbajë jo vetëm përshkrim, por edhe udhëzime dhe qëllime dhe çfarë duhet të arrihet.

“Ky proces është i domosdoshëm për të gjetur zgjidhjen e duhur për punëtorët e industrisë, për të krijuar vende të reja pune që do të garantojnë një mënyrë dhe standard të ngjashëm të jetesës dhe të ardhurave, punëtorëve t’u jepet mundësie për rikualifikim, për të dekarbonizuar industrinë dhe për të siguruar pjesëmarrjen e të gjithë “palëve të interesuara”, tha Mustata.

Një nga përkufizimet e tranzicionit të drejtë, tha ai, thotë se është model i zhvillimit të serishëm i bazuar në politikat publike të krijuara në vend që krijojnë vende cilësore pune dhe jetë të denjë për të gjithë punëtorët dhe komunitetet, të cilët i dekarbonizojnë ekonomitë e tyre, megjithëse theksoi se nuk ka një përkufizim për proces të suksesshëm që do të jetë i rëndësishëm për secilin vend, por që do të varet nga rajoni në rajon.

Sipas Nevena Smilevska nga “Eko vetëdija”(Eko svest), palët e interesuara në procesin e tranzicionit të drejtë nuk janë vetëm punonjësit në një kapacitet të caktuar, por të gjithë individët në atë rajon dhe më gjerë. Ndikimet janë të shumëfishta dhe kanë efekte ekonomike, sociale dhe kulturore. Punonjësit mbeten pa punë, fuqia e tyre ekonomike zvogëlohet gjë që ndikon në rrjedhat ekonomike në komunitet, statusin e tyre social dhe kulturor ndryshon dhe për shkak se është një grup i madh ka efekte në të gjithë komunitetin.

“Maqedonia ka një shembull në historinë e punëtorëve të kompanive të falimentuara se si duket tranzicioni i padrejtë. Që procesi të jetë i drejtë, të gjitha opsionet duhet të analizohen në kohën e duhur, të gjitha palët duhet të përfshihen në mënyrë që të mundësojnë jetë cilësore dhe progres në rajon. Planifikimi krijon financa, ndërsa mungesa e planifikimit krijon probleme. Financat për tranzicionin e drejtë vijnë nga planifikimi i duhur se si do të duket rajoni kur të përfundojë procesi, cilat janë mundësitë e zhvillimit që qytetarët i shohin dhe cilat janë degët që mund të stimulohen”, thekson Smilevska.

Tranzicioni në vend është i pashmangshëm, sipas Elena Nikolovska nga “Eko vetëdija”(Eko svest), por duhet të jetë më i shpejtë. Baza për tranzicion të drejtë jep Strategjia për energjetikë e cila parashikon braktisjen e qymyrit si burim i energjisë deri në vitin 2040. Tranzicioni tashmë ka filluar në Osllomej me planifikimin e impianteve fotovoltaike në vendin e minierës. Ndërkohë, disa dokumente janë duke u përgatitur, të tilla si Draft-plani Kombëtar për energji dhe klimë dhe Programi i zbatimit të strategjisë, të cilat përmbajnë program për tranzicion të drejtë dhe përpjekje për të përcaktuar termin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button