Deputeti Aziri: Shtetësinë më lehtë e merr një kriminel se ata që janë lindur e rritu në RMV

Për aferën e lëshimit të pasaportave, ka folur edhe deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Elmi Aziri. Ai u shpreh se më lehtë e merr shtetësinë si kriminel se sa të jesh i lindur dhe rritur këtu, transmeton Portalb.mk.

“Në Republikën e Maqedonisë së Veriut më lehtë mund të marrë shtetësi si kriminel dhe shpërndarës i narkotikëve në rrjetin ndërkombëtar se sa të jesh i lindur dhe i rritur në këtë shtet. Edhe një herë bëhet e qartë qasja fashizoide që ka MPB dhe sistemi në këto 30 vite ndaj qytetarëve të zakonshëm të cilët janë lindur e rritur në këtë shtet. Duke i llogaritur si të rrezikshëm për sigurinë e shtetit duke mos u dhënë shtetësi”, tha deputeti i koalicionit ASH-AAA, Elmi Aziri.

Përndryshe, në aksionin e djeshëm, Ministria e Punëve të Brendshme arrestoi 9 persona, ndërsa njëri është i pakapshëm për policinë.

Siç informoi vetl ministri Spasovski, zyrtarë të autorizuar dhe kontrollorë nga shërbimet administrative të Ministrisë së Brendshme kanë lëshuar dokumente udhëtimi, duke keqpërdorur identitetin e qytetarëve që deri në atë moment nuk kishin pasaportë të Maqedonisë. Në atë mënyrë, gjithsej 215 persona, prej të cilëve 214 janë shtetas të huaj, morën pasaporta të falsifikuara përmes një ndërmjetësi jashtë MPB-së. Midis atyre që morën pasaporta të Maqedonisë janë anëtarë të grupeve kriminale ndërkombëtare dhe karteleve të drogës. Sipas informacionit të Spasovskit, për një pasaportë është paguar edhe nga 20,000 euro.

Ndërkohë reagimi i deputetit të këtij koalicioni vjen pasi të njëjtët kanë bllokuar punën e Kuvendit, pikërisht për shkak se kërkojnë ndryshime në Ligjin për shtetësi, çka do t’iu mundësonte personave që jetojnë për vite të tëra në Maqedoninë e Veriut ta marrin nënshtetësinë më lehtë, pasi një pjesë e madhe e tyre edhe kur i plotësojnë kushtet nuk mund ta marrin të njëjtë.

Aleanca dhe Alternativa fillimisht propozuan që shtetësia të merret me dy dëshmitarë dhe me njohuri të paktën një prej gjuhëve zyrtare në Maqedoni, duke nënkuptuar për gjuhën shqipe. Kjo u refuzua nga blloku i partive maqedonase dhe VMRO-DPMNE paraqiti amendamente për projekt-ligjin.

Pas takimit të Zaevit me Rexhepin, Aleanca dhe Alternativa hodhën poshtë kërkesën për marrjen e shtetësisë me dëshmitarë, gjegjësisht pranuan se nevojitet ndonjë dokument që të vërtetojë se jetojnë këtu, ndonjë certifikatë fëmije, vërtetim për ndihmë sociale… Sipas informacioneve nga AAA-ASh, pyetja është nëse qeveria do të ofrojë zgjidhje të përhershme apo do të mbetet zgjidhje kalimtare për shtetësinë për “fantomë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button