RMV, prej sot janë mbyllur objektet hotelerike, bastoret dhe kazinot

Objektet hotelerike prej sot janë të mbyllura për vizitorët dhe mund të kryejnë vetëm dërgesë të ushqimit ose mund ta shesin atë përmes sportelit. Prej sot janë mbyllur edhe bastoret dhe kazinot. Bastoret mund të punojnë vetëm nga sporteli. Masa është në fuqi deri më 20 prill, transmeton Portalb.mk.

Kjo është pjesë e paketës së kufizimeve të miratuar nga qeveria të hënën, me qëllim, siç thanë, të ulet përhapja e koronavirusit, të parandalohet ngarkesa e sistemit shëndetësor dhe do të shmanget mbyllja për festat fetare- Pashkët dhe Bajrami.

Paketa e kufizimeve përfshin gjithashtu zgjatje të orës policore, e cila prej dje fillon prej orës 20:00, në vend se prej orës 22:00 sa ishte deri tani, dhe zgjat deri në orën 5 të mëngjesit.

Prej dje hyri në fuqi ndalimi i vizitorëve nëpër palestra dhe sallat sportive, si dhe ndalesa për mbajtje të konferencave dhe trajnimeve.

Përveç këtyre mbylljeve, ndalohet edhe grupimi i më shumë se 4 personave.

Ndryshe, më 5 prill ka filluar vaksinimi masiv i popullatës. Sipas planit për imunizim, vaksinimi me 20.000 vaksina ruse “Sputnik”, donacion nga Serbia, do të zhvillohet në 48 pika.

Pritet që mesatarisht çdo ditë do të vaksinohen 4 mijë qytetarë, ndërsa së shpejti numri do të arrijë në 7 mijë.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e 61-të vendosi që salla e sportit “Boris Trajkovski” të shndërrohet në qendër për vaksinimin masiv të qytetarëve.

Dje në Maqedoninë e Veriut gjatë 24 orëve të fundit, 1 259 persona rezultuan pozitiv nga gjithsej 4 555 të testuar për Kovid-19,  ndërsa  jetën e kishin humbur 45 persona.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button