Osmani pret që Maqedonia të bëjë një hap përpara në samitin qershor-korrik të BE-së

Perspektiva evropiane është shumë më e madhe dhe më e rëndësishme se zhvillimet e caktuara politike, disponimet ose proceset zgjedhore dhe për këtë arsye jam optimist se pavarësisht nga paparashikueshmëria e krijuar në marrëdhëniet me Bullgarinë, që gjithsesi do të gjendet një mënyrë për të ecur përpara procesin e anëtarësimit tonë në Bashkimin Evropian, tha Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani për TV 21, transmeton Portalb.mk.

Zgjedhjet në Bullgari, tha Osmani, në çdo rast rënduan marrëdhëniet midis dy vendeve tona dhe komunikimin normal dhe racional që kishim.

“Pres që me përfundimin e zgjedhjeve, do të kthehet debati racional dhe arsyeja të zëvendësojë emocionet. Shpresoj që pandemia do të konsolidojë skenën politike në Bullgari dhe pres krijimin e shpejtë të institucioneve që do të lejojnë një rifillim të shpejtë të komunikimit normal për të gjetur një zgjidhje”, tha Osmani.

Megjithëse ka shumë paparashikueshmëri në rezultatet e zgjedhjeve në Bullgari dhe shumë parti të reja nuk shohin që ndonjë strukturë politike është anti-evropiane ose kundër perspektivës evropiane të rajonit dhe vendit tonë. Osmani pret të bëjmë një hap përpara në samitin e BE-së qershor-korrik dhe beson se mos hyrja e partisë së Krasimir Karakaçanovit në Parlamentin bullgar u dërgon një mesazh të mirë të gjithë aktorëve politikë në fqinjin lindor se populli është kundër parandalimit të Perspektivës evropiane.

“Mesazhi i popullit është i rëndësishëm në kuptimin që parandalimi i perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut nuk është ajo që duan qytetarët bullgarë, pasi kjo ishte narrativa themelore e partisë së Karakaçanovit. Fakti që ai nuk e mori mbështetjen e qytetarëve bullgarë është mesazhi më i fortë që doli nga zgjedhjet. Populli nuk është kundër perspektivës evropiane dhe kërkon mënyrë për afrim dhe bashkëpunim midis dy vendeve. Mendoj se kjo do të bartet te pikëpamjet politike të partive që morën vota nga qytetarët”, tha Osmani.

Komisioni Evropian, nga ana tjetër, nuk dëshiron të hyjë në detaje rreth situatës politike në Bullgari pas zgjedhjeve të së dielës, por shpreson që Shkupi dhe Sofja të arrijnë kompromis.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian për zgjerimin, Anna Pisonero, dje për MIA-n tha se Brukseli “inkurajon Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut të gjejë zgjidhje reciprokisht të pranueshme për çështjet aktuale bilaterale”.

“Me padurim presim të mbahet Konferenca e parë Ndërqeveritare sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi Pisonero.

Profesori i Universitetit të Luksemburgut, historian dhe ekspert për Ballkanin, Florian Bieber, dje vlerësoi se ata që e bllokuan fillimin e negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, nuk fituan asgjë me nacionalizmin e tyre në zgjedhjet në Bullgari.

“Duke pasur parasysh rezultatet e zgjedhjeve në Bullgari, a mund të themi se askush nga ata që vendosën të bllokojnë Maqedoninë e Veriut për negociata me BE, nuk përfitoi nga kjo përpjekje e lirë nacionaliste? Koha është të ecet përpara”, shkroi ai në Twitter.

Në zgjedhjet parlamentare në Bullgari fitoi koalicioni i Qytetarët për Zhvillimin Evropian të Bullgarisë (GERB) dhe Bashkimi i Forcave Demokratike (SDS), i udhëhequr nga Kryeministri Bojko Borisov, me 26,18 përqind të votave. Partia e showmanit dhe prezantuesit televiziv Sllavi Trifonov “Ka një popull të tillë” fitoi 17.66 përqind të votave.

Partia Socialiste bullgare (PSB) e Cornelia Ninova fitoi 15.01 përqind, Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë 10.49 përqind, “Bullgaria Demokratike – bashkimi” i ish Ministrit të Drejtësisë Hristov Ivanov 9.45 përqind dhe “Çohu! Mafia jashtë!” e Maja Manolova fitoi 4.72%. Për VMRO-në bullgare të Karakçanovit votuan 3.64 përqind.

Vitin e kaluar, Maqedonia e Veriut, por dhe i gjithë rajoni, u gjendën të bllokuar në Këshillin e BE-së për shkak të pamundësisë për të arritur për konkluzionet e rregullta të dhjetorit për zgjerim të BE-së, kryesisht nuk mund të kishte kompromis mbi një fjali që lidhej me “keqinterpretimin e historisë “.

Maqedonia e Veriut në maj do të mbajë takim të rregullt të Stabilizim-Asociimit, i cili pritej të zhvillohej në shkurt por u shty, pasi nuk kishte përparim në bisedimet me Sofjen.

Përndryshe, Maqedonia e Veriut nga dhjetori i vitit të kaluar ka veton e Bullgarisë me arsyetimin se Shkupi nuk e respekton Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë. Sofja këmbëngul gjithashtu në njohjen e rrënjëve bullgare të historisë maqedonase, kombësinë dhe gjuhën maqedonase, të cilën autoritetet maqedonase e kanë kundërshtuar, duke thënë se “identiteti dhe gjuha nuk do të negociohen“. Që nga ajo kohë, një luftë retorike është zhvilluar pothuajse çdo ditë midis Sofjes dhe Shkupit edhe krahas përpjekjeve e ndërmjetësve special dhe me përpjekje për miratimin e Planit Aksional për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button