SHPIRTBARDHI LURAN

Kur rrjetet sociale u mbushën me klithma që i trazon dhembja nga thellësia e qenieve tona, m’u rikthye shiriti i kohës kur të dy ishim studentë.

M’u rikthye koha kur kishim bindjen se disa gjëra mund të mësoheshin më mirë jashtë auditorëve.

Ishte koha kur e ndanim të njëjtën bindje si të Emersonit se librat e mirë e zëvendësojnë shkollën më të mirë.

Ndjeheshim në atë ambient si luanët në kafaz.

Sepse kërkonim më shumë se sa na ofronte jeta.

Sepse ishim pjesëtarë të brezit të dëshpëruar.

Sepse ishim si kalorësi i fisëm i shituar prej idealeve të tij.

Sepse ishim si personazhet që dëshirojnë ta shohin botën si në ëndrrat e tyre…

Që atëherë e dija se emri Yt një ditë do të bëhej i lavdishëm.

Dhe emri Yt u bë i lavdishëm si Aktor, si Aktor i madh…

Çdo rol për Ty ishte një fillim i ri, një mund pa fund.

Sepse ishe Artisti që jetoje me artin.

Sepse e dije që rruga deri te suksesi nuk ishte e shtruar me gjethe dafine, por me gjemba.

Sa e sa njerëz që e ëndërrojnë lavdinë mendojnë se ata që e arrijnë atë nëpërmjet artit janë tepër të lumtur.

Nuk e dinë se në anën tjetër luftohet me mijëra demonë torturues dhe me barbarinë e dilemave gërryese.

Atyre të anës tjetër më së paku u bën përshtypje lavdia, ajo “shumë keqkuptimesh” siç thoshte Rilke…

I dashuri shpirtbardhi Luran, asnjëherë nuk kam dyshuar se përgjithmonë do të mbetesh edhe Njeriu dhe Miku i madh.

Nuk mund të ndodhte ndryshe, kur je rritur në më të fismen familje që e kam njohur ndonjëherë në jetë, të cilën shpesh e fshikulloi fati i zi i jetës, siç thoshte Bodleri për Edgar Alan Ponë.

Perdja nuk ka rënë Luran.

Ti përgjithmonë je pjesë e skenës ku dendësohet gjithësia.

Do të jesh pranë nesh që të duartrokitëm.

Që të duam si Njeri, si Mik, si Aktor…

Do të mbetesh i njëjti, shpirtbardhi Luran.

Njeriu i madh, Miku i madh, Aktori i madh me të cilin vetëm mund të krenohesh…

Sot e përgjithmonë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button