Për t’u përballur me ndotjen dhe ndryshimet klimatike, na nevojiten teknologji moderne për ngrohje të shtëpive

Kalimi në teknologjitë më të reja për ngrohje dhe ftohje të shtëpive, të cilat do të bazohen në burime të ripërtëritshme të energjisë, si dhe investimet e vazhdueshme në efikasitetin energjetik, janë parakushtet më të rëndësishme për luftë të suksesshme kundër ndotjes së ajrit në vend. Për ngrohje të objekteve, te ne, ende përdoren teknologji të gjeneratës së dytë, shtëpitë kanë efikasitet të ulët energjetik, kurse qymyri, së bashku me gazin, ende e kanë rolin kryesor në sigurimin e energjisë, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Për dallim prej nesh, Evropa dhe bota zbatojnë sisteme me teknologjitë më moderne të gjeneratës së katërt, të cilat bazohen në burime energjetike ekologjike që në të ardhmen do të sigurojnë uljen e ndotjes së ajrit.

Ngrohja me karburante fosile e ndot ajrin në mjedis, por shumë më tepër në shtëpinë ku përdoret. Përdorimi i  stufës me qymyr ose dru, me të cilën ngrohet shtëpia, por edhe gatuhet në të, është njëlloj sikur të qëndrosh në një dhomë ku pihen 400 cigare në orë, informoi Davor Pehcevski nga “Eko vetëdija” (Eko svets) gjatë punëtorisë “Mundësitë për ngrohje më të mençur”, në kuadër të Konferencës kombëtare për klimë. Ndryshe nga vendet e zhvilluara në Evropë, ku në vitin 2010 vetëm shtatë përqind e familjeve kanë përdorë lëndë djegëse të ngurta për gatim, në Maqedoninë e Veriut ende rreth 40 përqind e familjeve nuk kanë qasje në një pajisje për gatim të pastër.

“Të dhënat për ndotjen e ajrit që kemi kanë të bëjnë me ndotjen e jashtme, ndërsa nuk kemi pothuajse asnjë informacion për ndotjen e brendshme, e ajo as nuk matet. Megjithatë, ndotja e brendshme është faktori më i madh i rrezikut për sëmundjet kronike të frymëmarrjes, kancerin e mushkërive dhe sëmundjet kardiovaskulare te gratë në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme”, tha Pehçevski.

Në Maqedoninë e Veriut dhe në pjesën më të madhe të rajonit, tendenca e ngrohjes së objekteve është pothuajse e njëjtë. Ne kemi vetëm një sistem funksional të ngrohjes qendrore të gjeneratës së dytë, i cili përdor gazin si lëndë djegëse, që bie në grupin karburanteve fosile. Sistemi nuk mat konsumin në bazë të njësive të banimit individual dhe nuk lejon rregullimin e temperaturës. Me këtë sistem janë të lidhura vetëm tetë përqind e familjeve dhe objekteve, ndërsa 62 përqind përdorin dru dhe pelet si burim energjie, kurse dhjetë përqind përdorin energji elektrike. Problem i madh është se shumica e objekteve janë më shumë se tre dekada të vjetra, me pothuajse asnjë efikasitet energjetik.

“Ne duhet të përpiqemi për sisteme shumë më moderne të ngrohjes dhe ftohjes. Në Evropë, po implementohen sisteme me teknologji moderne të gjeneratës së katërt që integrojnë burime të shumta të energjisë, diellore, të erës dhe termale… dhe kombinohen si për ngrohje ashtu edhe për ftohje, gjë që i bën ata më efikas. Përdoren gjithnjë e më shumë modele të ruajtjes së nxehtësisë, të cilat mund të përdoren në dimër kur është më e nevojshme. “Këto investime duhet të kombinohen me masa të efikasitetit energjetik”, tha Maja Kambovska nga CEE Bankwatch network.

Ajo informon se transformimi drejt zgjidhjeve më të pastra moderne të ngrohjes është proces që zgjat shumë dhe kushton shumë para, prandaj duhet të fillojë menjëherë. Te ne nuk ka sisteme të përparuara të ngrohjes në funksion, por procesi mund të fillojë nga zona më të vogla në qytet dhe më pas të zgjerohet. Zbatimi i projekteve më të vogla është me mbështetje nga popullata lokale, por vullneti i autoriteteve për të zbatuar dhe inkurajuar ndryshimet dhe investimet në efikasitetin e energjisë është vendimtar.

Teknologjitë e reja të gjeneratës së katërt janë sisteme që bazohen kryesisht në burime të ripërtëritshme të energjisë. Këto janë energjia diellore, nxehtësia gjeotermale, nxehtësia e mbeturinave, si dhe pompat e nxehtësisë që nxjerrin nxehtësinë nga uji, por edhe nga ajri dhe energjia gjeotermale e që mund të përdoren si individualisht ashtu edhe në sistemet e ngrohjes qendrore. Ruajtja e nxehtësisë sezonale është një trend në Evropë që mundëson përdorim të energjisë në dimër, kur ngrohja është më e nevojshme.

Maqedonia e Veriut në vitin 2019 miratoi Strategjinë për energjetikë ku theks i madh i kushtohet efikasitetit energjetik dhe burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Në vend, sipas Aleksandar Dedinec nga ASHAM, rreth 3,000 njerëz vdesin çdo vit si rezultat i ndotjes nga grimcat PM 2.5. Studimet tregojnë se përqendrime të larta të ndotësve janë veçanërisht të përhapura në dimër, duke vë në pah që ngrohja është një nga shkaqet e formimit të grimcave PM.

“Një studim që e kemi realizuar në vitin 2017 tregoi se qymyri përdoret gjithashtu si lëndë djegëse në qendër të Shkupit. Një numër i madh i shtëpive janë të vjetra, të ndërtuara para vitit 1991, ato kanë shumë pak izolim, ndërsa përzgjedhja e metodave të ngrohjes është e keqe dhe favorizon lëndën djegëse fosile, gjegjësisht dru për ngrohje. Mendoj se ngrohja e mençur në vendin tonë duhet të fillojë me investime në efikasitetin energjetik. Sistemi më i thjeshtë dhe më efikas janë pompat e nxehtësisë, gjegjësisht kondicionerët inverter, të cilët për një njësi të energjisë hyrëse sigurojnë katër njësi të energjisë dalëse” tha Dedinec.

Qyteti i Shkupit, si dhe disa komuna të tjera në të gjithë vendin në vitet e fundit kanë dhënë subvencione për kalim në mënyra ekologjike për ngrohjen e shtëpive. Blerja e kondicionerëve inverter dhe stufave me peleta subvencionohet, ndërsa Qyteti i Shkupit gjithashtu subvencionon pastrimin e oxhaqeve të shtëpive. Ministria e Ekonomisë ka subvencione të vazhdueshme për stufa me pelet, kolektorë diellorë dhe zëvendësimin e atyre të vjetrave me dritare PVC. Aktualisht po zhvillohet një projekt që zbatohet nga UNDP në lagjen e Shkupit  Lisiçe në 100 familje.

Ministri i vetëqeverisjes lokale Goran Milevski tha sot se ndryshimet klimatike duhet të jenë prioritet për të gjitha institucionet si dhe për të gjithë komunitetin. Ai përkujtoi se javën e kaluar në Parlament, përmes ministrisë, u miratua Strategjia dhjetë-vjeçare për zhvillim rajonal 2021-2031, në të cilën vëmendje e veçantë i kushtohet sigurimit të koherencës së qëllimeve, prioriteteve dhe masave me parimet dhe prioritetet e Marrëveshjes së gjelbër evropiane dhe Agjenda e gjelbër për Ballkanin Perëndimor, qëllimi strategjik i së cilës është të bëjë ekonominë e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor të qëndrueshme përmes transformimit të klimës dhe sfidave mjedisore në mundësi dhe një tranzicioni të drejtë me përfshirjen e të gjithëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button