RMV, sektori publik është zvogëluar për 1.717 të punësuar (Infografik)

Numri i të punësuarve në sektorin publik është zvogëluar për 1.717 në krahasim me vitin e kaluar, ndërkaq numri i institucioneve është rritur për 8. Kështu tregon raporti për vitin 2020 i regjistrit të të punësuarve në sektorin publik të cilin e ka përgatitur Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, njofton Portalb.mk.

Numri i të punësuarve në sektorin publik deri më 31 dhjetor të vitit 2020 ka qenë 131.183 persona apo 1.717 më pak se sa në vitin 2019 kur ishte 132.900.

“Është e rëndësishme të theksohet se numri i përgjithshëm i të punësuarve në sektorin publik nuk përkon me plotësimin e vendeve të punës, për arsye se ka të punësuar para se gjithash në fushën e arsimit dhe në shëndetësi të cilët plotësojnë vende pune në dy ose më shumë institucione të sektorit publik (mësuesit të cilët nuk kanë fond të plotë të orëve dhe janë të angazhuar në dy ose më shumë shkolla, a profesorët e fakultetit të medicinës plotësojnë vende pune edhe në institucionet shëndetësore edhe në fakultete)”, thuhet në raport.

Portalb.mk, ka përgatitur infografik në lidhje me numrin e të punësuarve në sektorin publik në vitet 2015-2020.

Në raport sqarohet se në këtë numër, janë të përfshirë edhe të punësuarit e organeve të sigurisë gjegjësisht Armatës, Byrosë për Siguri Publike, Agjencisë së Zbulimit, Agjencisë për Siguri Nacionale dhe Drejtorisë së Policisë Financiare. Numri i tyre është 19.594, ndërkaq të njëjtit nuk përfshihen në analizën e strukturës së të punësuarve.

“Për këtë arsye në raportin e mëtutjeshëm që ka të bëjë me strukturën e të punësuarve, nga numri i përgjithshëm i të punësuarve prej 131.183, këta 19.596 të punësuar nuk do të llogariten, gjegjësisht llogariten vetëm 111.609 të punësuar në sektorin publik.

Në numrin e lartpërmendur nuk janë të përfshirë të punësuarit e përkohshëm nëpërmjet agjencive.

Në shoqëritë aksionare në pronësi të shtetit, deri në dhjetor të vitit 2020 gjithsej janë të punësuar 10.390, apo 1.590 më shumë se në vitin 2019-të. Prej tyre, 9.919 janë të punësuar në kohë të pacaktuar, ndërkaq 367 si të punësuar të përkohshëm. Në vitin 2019-të, prej 8.800 të punësuarve, 8.545 kanë qenë të punësuar në kohë të pacaktuar ndërkaq, 172 si të punësuar të përkohshëm.

Nga ana tjetër, nëpërmjet agjencive për punësim të përkohshëm në institucionet e sektorit publik janë angazhuar gjithsej 2.425 persona dhe të njëjtit nuk kanë status të punësuarit në sektorin publik dhe nuk janë pjesë e analizës së Ministrisë. Në vitin 2019-të kishte 3.222 të angazhuar.

Nga numri i të punësuarve sipas gjinisë, 45% janë burra, ndërkaq 55% janë gra.

Mosha mesatare e të punësuarve në 46.01-vjet, ndërkaq në vitin 2019-të ka qenë 45.99-vjet. Sipas strukturës, në moshë 36-45-vjeç ka 27.73% të punësuar, 54-64-vjeç 22.94%, 26-35-vjeç 17.56%, 18-25-vjeç 1.89% dhe mbi 64-vjeç 0.99%.

Sipas përkatësisë etnike 72,48% janë maqedonas, 20.86% shqiptarë, 2.18% turq, 1.41% romë, 1.165% serb, 0.90% të tjerë, 0.51% boshnjakë, 0.49% vlleh.

Deri më 31 dhjetor të viti 2020, në RMV ka pasur 1.332 institucione të sektorit publik, apo 8 më shumë se në vitin 2019-të.

Nga gjithsej 1.322 institucione, 11 kanë vetëm person udhëheqës, ndërkaq 16 nuk kanë as udhëheqës as të punësuar.

Ndryshe, një ndër problemet kryesore të sektorit publik vazhdon të jetë numri i madh i institucioneve dhe të punësuarve. Qeveria vazhdimisht ka premtuar se kjo do të zgjidhet, por deri më tani, numrat e të punësuarve dhe institucioneve janë pa ndryshime të mëdha. Projekti për riorganizim dhe optimizim të administratës, i cili parashikon zvogëlim prej 20% të numrit të saj dhe shuarje/bashkim të institucioneve me qëllim zvogëlimin e tyre, është paralajmëruar në vitin 2017-të nga ministri i atëhershëm i MShIA-së, Damjan Mançevski, ndërkaq deri sot ende nuk ka mbaruar. Ministria e cila tani udhëhiqet nga Jeton Shaqiri premton se e njëjta pritet të mbarojë në fund të vitit 2021.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button