fbpx

ASh-AAA nuk lëshojnë pe: Pa zgjidhje të përhershme të shtetësisë, masat anti-krizë do të mbeten të bllokuara

Paketa e pestë e masave ekonomike, si dhe zhbllokimi i Kuvendit do të presë derisa Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa të marrin sinjal serioz nga Qeveria se dëshiron ta zgjidhë përgjithmonë problemin e shtetësisë për të ashtuquajturit “fantomë”. Kështu deklaroi për Plusinfo deputeti i koalicionit ASh-AAA, Halil Snopçe, edhe përkundër njoftimit nga VMRO-DPMNE-ja se këtë javë do t’i tërheqin amendamentet e Ligjit për Shtetësinë dhe thirrjes së Kryeministrit Zoran Zaev për zhbllokimin e ligjeve pasi është i bindur se do të gjendet zgjidhje për shtetësinë, transmeton Portalb.com.

“Derisa nuk marrim sinjal serioz nga qeveria, nuk do të heqim dorë nga bllokimi i ligjeve. Është një gjë dhënia e deklaratave se do të ketë zgjidhje, ndërsa është krejt tjetër gjë ta shohim zgjidhjen në tryezë. Këtë javë presim takim për Ligjin për Shtetësinë, por tani në nivelin e liderëve do të shohim nëse qeveria do të ofrojë zgjidhje të pranueshme. Në të kundërtën, është joparimore dhe jo serioze t’i tërheqim amendamentet, dhe nëse nuk biem dakord për shtetësinë me qeverinë përsëri do të paraqesim mijëra amendamente”, tha Snopçe.

Ai zbuloi se në takimin midis Zaevit dhe Ministrave të Drejtësisë dhe të Brendshëm, Bojan Mariçiq dhe Oliver Spasovski, me koordinatorin e AAA-ASh, Skender Rexhepi, është ofruar zgjidhje rastit për atë kategori të qytetarëve, e cila më pas u shqyrtua nga organet partiake të Aleancës dhe Alternativa dhe zgjidhja u hodh poshtë.

Snopçe shpjegon se koalicioni AAA-ASh nuk ishte plotësisht dakord me propozimin e qeverisë dhe se në takimin që është paralajmëruar, por tani midis Zaevit dhe liderëve Zijadin Sela dhe Afrim Gashi, do të dalin me propozimet e tyre, do të shqyrtojnë ofertën e Qeverisë, pastaj do të merret vendim nëse do të ketë zgjidhje për shtetësinë.

Sipas Snopçes, qeveria ofroi zgjidhje të rastit, të cilën ata e refuzuan, pasi u ofrua zgjidhje e problemit të shtetësisë për qytetarët që janë në evidencë të Ministrisë së Brendshme, rreth 500-600 raste, ajo të zgjasë një periudhë të caktuar kohore, që pastaj përsëri të jetë në fuqi  Ligji aktual për Shtetësinë.

Ai thotë se megjithëse besojnë se tashmë kanë arritur disa suksese me faktin se qeveria është e angazhuar dhe kërkon zgjidhje për atë kategori të qytetarëve, ata përsëri do të insistojnë në zgjidhje të përhershme, gjegjësisht ndryshime në Ligjin për Shtetësinë që edhe në të ardhmen do të ofrojnë zgjidhje për personat pa shtetësi.

Funksionarë i lartë qeveritar për Plusinfo nuk dëshironte të hynte në detaje rreth zgjidhjeve të mundshme, vetëm tha se “me Aleancën dhe Alternativën do të merren vesh për zgjidhje të  problemit të të gjithë atyre që kërkojnë shtetësi”.

Nga VMRO-DPMNE dje njoftuan se do t’i tërheqin amendamentet në Ligjin për Shtetësinë dhe se presin që deputetët e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativëa të bëjnë të njëjtën gjë në mënyrë që të zhbllokojnë miratimin e pakos së pestë të masave për ndihmë ekonomike.

Edhe kryeministri dje përsëri bëri thirrje për zhbllokimin e punës së Kuvendit, gjegjësisht që këtë javë të miratohen ligjet nga pakoja e pestë e masave ekonomike.

Ai përsëriti se do të gjendet zgjidhje për Ligjin për Shtetësinë dhe u bëri thirrje të gjithëve që të përmbushin përgjegjësinë e tyre.

„Pres që këtë javë nëse mund të përfundojë. Përsëri dërgoj mesazh të gjithëve që ta përfundojmë pjesën tonë të përgjegjësisë para qytetarëve tanë. Shprehim pikëpamje të qarta në takimin e punës me përfaqësuesit e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës. E panë shpirtin dhe gatishmërinë tonë që do ta mbështesim këtë ligj, zgjidhjen do ta gjejmë në atë pjesë më mirë e pranuar, që të zgjidhet statusi dhe të marrin shtetësinë qytetarët që nuk e kanë. Prandaj bëj thirrje që ligjet të lirohen sa më shpejt, pasi nuk i bëjmë mirë askujt, ndërsa angazhimi ynë mbetet gjetja e një zgjidhjeje të përhershme për marrjen e shtetësisë”, tha Zaev.

Aleanca dhe Alternativa fillimisht propozuan që shtetësia të merret me dy dëshmitarë dhe me njohuri të paktën një prej gjuhëve zyrtare në Maqedoni, duke nënkuptuar për gjuhën shqipe. Kjo u refuzua nga blloku i partive maqedonase dhe VMRO-DPMNE paraqiti amendamente për projekt-ligjin.

Pas takimit të Zaevit me Rexhepin, Aleanca dhe Alternativa hodhën poshtë kërkesën për marrjen e shtetësisë me dëshmitarë, gjegjësisht pranuan se nevojitet ndonjë dokument që të vërtetojë se jetojnë këtu, ndonjë certifikatë fëmije, vërtetim për ndihmë sociale… Sipas informacioneve nga AAA-ASh, pyetja është nëse qeveria do të ofrojë zgjidhje të përhershme apo do të mbetet zgjidhje kalimtare për shtetësinë për “fantomë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button