Navalnyt sërish i është përkeqësuar gjendja shëndetësore

Kritiku i Kremlinit, Aleksei Navalny është ankuar sërish nga dhoma e tij e burgut për përkeqësim të gjendjes shëndetësore, shkruan REL.

Ai është diagnostikuar me temperaturë 38.1 gradë Celsius dhe “koll të rëndë”, mirëpo do të vazhdojë grevën e urisë, të cilën e ka nisur ditë më parë, ka shkruar Navalny të hënën në llogarinë e tij në Instagram.

Tre nga të burgosurit tjerë afër tij janë dërguar në spital për shkak të tuberkulozit.

Politikani opozitar, i cili është burgosur në një kamp rreth 100 kilometra në lindje të Moskës, ka raportuar për dhimbje të mëdha në shpinë dhe paralizë të njërës këmbë, tash e një kohë.

Të mërkurën e javës së kaluar, ai ka deklaruar se ka nisur grevën e urisë, si shenjë proteste ndaj mungesës së kujdesit shëndetësor.

Në shkurt të këtij viti, ai është dënuar me 2 vjet e gjysmë burgim, në një proces gjyqësor që është kritikuar shumë.

Gjyqësori rus e akuzon atë për shkelje të rregullave të një dënimi me kusht, teksa ai ka qenë duke u shëruar në Gjermani nga helmimi me agjent nervor Noviçok.

Në gusht të vitit të kaluar, Navalny është sëmurë pasi i ishte përkeqësuar gjendja shëndetësore në një fluturim brenda Rusisë.

Ai është trajtuar më pas për disa javë në spitalin Charite në Berlin.

Kritiku i Kremlinit fajëson një ekip të Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB), që sipas Navalnyt, nën komandën e presidentit rus Vladimit Putin, ka tentuar ta vrasë.

Putin dhe FSB, në anën tjetër, kanë hedhur poshtë akuzat.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button