Prej sot ora policore fillon në ora 20:00, nesër do të mbyllen objektet hotelierike

Qeveria e Maqedonisë së Veriut dje miratoi masa të reja për parandalimin e shpërndarjes së virusit korona, njofton Portalb.mk.

  • Prej 6 prill: Ora policore do të fillojë në ora 20:00 deri në ora 05:00;
  • Prej 7 prill: Do të mbyllen të gjitha objektet hotelierike, munden që të punojnë vetëm me porosi;
  • Prej 7 prill: Do të mbyllen bastoret, mund të punojnë vetë me sportel;
  • Prej 7 prill: Do të mbyllen palestrat;
  • Ndalohet grupimi i më shumë se 4 personave;
  • Ndalohet organizimi i ngjarjeve, trajnimeve apo ngjashëm.

Masat vlejnë deri më 20 prill.

Ministri Filipçe tha se në periudhën në vijim, festat mund ta përkeqësojnë situatën dhe për atë janë të domosdoshme masat.

“Kulmi ishte më 31 mars, 1,2 prill, megjithatë numri i rasteve pozitive dhe të hospitalizuarve është i madh dhe vlerësoj se festat në vijim mundet që plotësisht ta komplikojnë situatën epidemiologjike dhe në atë kuptim nuk dëshirojmë të lejojmë që në periudhën në vazhdim të ndodh mbingarkim i sistemit shëndetësor dhe për atë janë ndërmarrë masa restriktive”, tha Filipçe.

Zëvendësministri Ilir Hasani tha se vendimi për mbyllje merret me qëllim që të shmanget mbyllja e tërësishme gjatë festave si Bajrami dhe Pashkët.

“Gjatë kohës së festave, qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të mos shkojnë në vizita te anëtarët më të vjetër të familjes”, tha Hasani.

Epidemiologu dhe kryetari i Komisionit për Sëmundje Infektive, Zharko Karaxhoski tha se situata në vend është jo e favorshme dhe ende nuk do ta vlerësojë si katastrofike, pasi që ende ka krevate të lira në spitale.

“Në dy javët e fundit kemi bum të diagnostikuarve të rinj, në periudhë prej dy javësh janë mbushur spitalet. Punëtorët shëndetësor ende janë funksional, por nuk e dimë deri kur. Mos mendoni që për 15 ditë nuk do të ketë KOVID-19. Ju lus ta ndihmoni sistemin shëndetësor”, tha Karaxhovski.

Ndryshe, dje ka filluar vaksinimi masiv i popullatës. Sipas planit për imunizim, vaksinimi me 20.000 vaksina ruse “Sputnik”, donacion nga Serbia, do të zhvillohet në 48 pika.

Pritet që mesatarisht çdo ditë do të vaksinohen 4 mijë qytetarë, ndërsa së shpejti numri do të arrijë në 7 mijë.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e 61-të vendosi që salla e sportit “Boris Trajkovski” të shndërrohet në qendër për vaksinimin masiv të qytetarëve.

Gjatë 24 orëve të fundit 734 persona kanë rezultuar pozitiv nga 3.246 të testuar, ndërsa 35 persona kanë humbur betejën me virusin. Të shëruar janë regjistruar 621 pacientë. Deri tani, një total prej 641.573 testeve të Kovid-19 janë kryer në vend. Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me virusin korona në vendin tonë që nga fillimi i pandemisë është 134.867, numri i pacientëve të shëruar është 109.297, numri i atyre që humbën jetën është 3.940 dhe numri i rasteve aktive është 21.630.

Për informata më të detajuara për situatën me virusin korona, klikoni në këtë link: http://gdi.mk/corona/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button