fbpx

“Shtojca e Europës”, Mr. Bean-i dhe nataliteti

Termi “shtojcë e Europës” është aluzion i Winston Churchill-it (“Appendix of Europë”) përmes të cilit ai e ka përshkruar Ballkanin. Vetë fjala shtojcë nënkupton atë që i shtohet diçkaje kryesore, ajo që shërben për të plotësuar diçka tjetër që është kyçe; diçka që nuk qëndron më vete, por plotëson diçka tjetër kryesore; shtesë e vogël (FGJSSH, 2021). Me 19-20 mars Instituti i Sociologjisë dhe Forumi Sociologjik Ballkanik (BSF)  organizuan një konferencë shkencore, të titulluar “Ballkani: Një qasje kahasimtare dhe integruese”, në të cilën morën pjesë 331 autorë nga 23 vende të botës, nga Kroacia, Greqia, Austria deri në Korenë Jugore. Në këtë konferencë relevantë në kohë turbulente, të mondializimit, teknologjisë informatike dhe Covid-19 u trajtuan problematika të ndryshme nga perspektiva e “mjekësisë sociale”, sociologjisë, e cila synon ndërtimin e një shoqërie ideale në saje të ligjëratës së vet sans frontières, në rastin tonë kalimin e kësaj gjeografie të paeuropianizuar tërësisht në një stad më pozitiv përmes hulumtimeve, projekteve, seminareve dhe puntorive të ndryshme shkencore dhe përtej, duke riprodhuar komunitetin dhe shoqërinë dhe duke gjeneruar ndryshime që janë element konstant i proceseve shoqërore që kapërcejnë perceptimet e ngushta etnocentrike dhe ngjallin sensin e të kuptuarit të diversitetit si realitet dhe pasuri.

Ballkani është hapësirë ku takohet Lindja me Perëndimin, hapësirë e multikulturalizmit, e historisë tragjike, metaforë e keqkuptimeve, pasigurive, dekonstruksinit, përçarjes dhe ndasive. Është hapësirë e perceptimeve negative të tjetrit, e stereotipeve, e botëkuptimeve të ngushta, e demokracive inefektive, e shoqërive të dobëta civile, e tendencave shdemokratizuese (Demertzis) andaj edhe cilësohet si “shtesë e  Europës”. Në kuadër të konferencës një nga ligjëruesit u ndal te komparacioni mes Balkanit dhe vendeve balltike, të cilat e kapën ritmin me pjesën tjetër të Europës, ku tranzicioni është përmbyllur moti dhe të parave që ende po përpëliten në llumin tranzitiv. Një socilog nga RMV multikulturalizmin e krahasoi me gurin në këpucën e Mr. Beanit; Ballkani ka një laramani kulturore që ngjashëm si guri në fjalë bartësin e këpucës e shqetëson ngado që ai sillet, s’e lë rehat. (Jashari) Pra ballkanasi këtë diversitet e percepton jo si begati por si shqetësim.

Autori i këtyre rreshtave, si president i BSF-së mbajti një fjalim hyrës ku mes tjerash theksoi se “sociologët studiojnë sesi shoqëria ndikon tek njerëzit dhe si njerëzit ndikojnë në shoqëri. Sipas Shoqatës Britanike të Sociologjisë sociologjia kërkon të sigurojë njohuri dhe prova rreth formave të marrëdhënieve midis njerëzve, si zyrtare ashtu edhe informale. Marrëdhënie të tilla konsiderohen të jenë ‘pëlhura’ e shoqërisë. Marrëdhëniet në shkallë më të vogël janë të lidhura me modelet e shkallës më të madhe të lidhjes midis organizatave dhe sektorëve institucionalë, dhe tërësia e kësaj është vetë shoqëria.

Qeniet njerëzore kanë nevoja dhe dëshira, por format që marrin këto kanë të bëjnë me lidhjet me grupimet shoqërore dhe pjesëmarrjen në institucione të ndryshme shoqërore. Këto të fundit janë modele të ndërveprimit njerëzor të cilat ndërtohen me kalimin e kohës. Prandaj njerëzit i njohin ato dhe i orientojnë veprimet e tyre konform tyre. Veprimet e njerëzve shërbejnë si për të riprodhuar shoqërinë ashtu edhe për të ndikuar në ndryshimet që janë një tipar i vazhdueshëm i procesit. (https://www.britsoc.co.uk/)

Zhvillimet në komunikim janë përshpejtuar gjatë dekadave të fundit, duke çuar në atë që shpesh quhet globalizim. Këto ndërlidhje të gjera duhet të merren parasysh në çdo shpjegim për sjelljen shoqërore, por gjithashtu duhet të analizohet edhe mënyra se si forma aktuale e shoqërisë njerëzore lidhet me format e kaluara, dhe me format e mundshme në të ardhmen.

Sociologjia është një ushtrim shkencor sans frontieres (pa kufij), por situata në institucionet kombëtare sociologjike hap perspektiva të ndryshme që janë një element shumë pozitiv për ndërtimin e shoqërisë dhe sociologjisë, në krijimin e një klime shoqërore pozitive. Objektivi kryesor i Forumit Sociologjik Ballkanik është promovimi dhe inkurajimi i përparimit të disiplinës së sociologjisë në Gadishullin Ballkanik dhe më gjerë, duke mbështetur kërkimin teorik dhe empirik në sociologji dhe duke kontribuar në zgjerimin e diskutimit publik përmes hulumtimeve, projekteve dhe shpërndarjeve. Ne promovojmë komunikimin midis sociologëve dhe inkurajojmë bashkëpunimin në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare për përparimin e shkencave shoqërore janë gjithashtu midis objektivave të BSF.

Ekziston një interes në rritje për zbatimin dhe rëndësinë e studimeve sociologjike. Për më tepër, ka pasur ndryshime në strukturën e kërkimit shoqëror nga një model “artizanal” në një model “organizativ”, duke rezultuar në një numër botimesh të rëndësishme. Ne si BSF jemi krenarë me misionin tonë të ndërtimit të urave shkencore në një Ballkan të trazuar, në shpikjen e një ligjërimi dhe gjuhe sociologjike që janë përtej mikro-nacionalizmave dhe qasjeve joliberale.

Ne si BSF nxisim imagjinatën sociologjike, debatet e lir, promovojmë identitetin e disiplinës dhe praktikuesit e saj, kultivojmë dhe inkurajojmë lidhjet me sociologët në të gjithë botën, publikojmë artikuj, revista, libra dhe materiale të tjera, synojmë të zgjerojmë anëtarësimin tonë jashtë akademisë.

Fjala e parë e institucionit tonë është Forumi, që do të thotë “hapësirë ​​e hapur publike brenda një qyteti romak”, “një rast apo një vend për të folur për një çështje me interes publik”, “një takim ose medium ku idetë dhe pikëpamjet për një çështje të veçantë të shkëmbehen”. Deri në vitin 2021 ne si sociologë ishim pjesërisht të përfshirë në këtë entitet, tani ne jemi të plotë, i tërë trupi. Faleminderit për pjesëmarrjen në BSF, në këtë ngjarje dhe për kontributin tuaj shkencor!” (19.03.2021)

BSF në ligjëratën e vet shmang trajtimet e njëanshme të fenomeneve shoqërore, keqpërdorimin e  shkencës për qëllime ideologjike, shndërrimin e saj në vegël nacionalsite dhe raciste siç u konstatua ditëve të fundit në Maqedoninë e Veriut, ku libri i sociologjisë për shkollat e mesme (Stojanovska, Gjurovska & Matevski, 2020) shqiptarët i paraqet si bashkësi që “reprodukohet në mënyrë të vjetër dhe tradicionale, pa një kontroll të vetëdijshëm të lindjeve”, duke shkuar më tej me sugjerimin “që të gjenden mënyrat që nataliteti të vijë në suaza normale”. Kjo pikëpamje është e ngjashme me atë eugjeniste; në konfrontim me qasjen “value free”, përtej vlerave personale, që shmang paragjykimet dhe trajtimet përçmuese dhe diktatet sociale ndaj “tjetrit”.  Nataliteti dhe planifikimi familjar është e drejtë e çdokujt, varet nga bindjet personale, preferencat dhe mënyra e jetesës. Për tkurrjen demografike të një entiteti nuk mund të akuzohet fertiliteti i etnisë tjetër. S’ka primitivizëm më të keq se sa ai që shprehet përmes ligjëratës shkencore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button