fbpx

Doan Osmani: Kulmin në karate ende nuk e kam arritur, pretendoj më shumë se kaq (VIDEO)

Karateja është sporti luftarak që tërheq më shumë vëmendjen e të rinjve. Në Maqedoni ka një numër të madh të rinjsh që praktikojnë këtë sport. Por, pak nga ta e marrin si profesion. Doan Osmani është i riu nga Gostivari i cili para disa ditëve u emërua Kampion Shtetëror për seniorë në sportin e karatesë. Në një intervistë për Portalb, Doani foli për karrierën e tij të deritanishme.

“Si çdo fëmijë, edhe unë, duke parë filma të ndryshëm u inspirova. Pastaj, shtysa e fundit ishte edhe një kushëri i imi i cili po merrej me karate edhe më thiri edhe mua. Nga natyra kurioze që kam e fillova si sport karatenë në moshën gjashtëvjeçare. Me kalimin e kohës, unë tregoja se kam potencial për këtë sport dhe, normalisht, serioziteti u rrit edhe më shumë që të arrij rezultate edhe më të larta, siç janë këta që kam sot.” tha Doani.

Doan Osmani Kampion i Evropës në vitin 2020, regjistroi paraqitjen më të suksesshme deri më tani në kategorinë deri në 75kg. Për të arritur të kesh një rezultat të mirë, patjetër që duhet një përkushtim i madh.

“Një ditë e sportistit  profesionist nuk është aq e zakonshme sa e një personi të zakonshëm, nga shkaku se çdo gjë është me plan-program të përgatitur duke u nisur nga koha apo orari, ushqimi, regjimi dhe shumë detaje të tjera.” tha Osmani.

Doani deri më tani ka arritur të jetë Kampion Shteti për mbi 10 vjet, Kampion Ballkani për tre vjet, Kampion Evrope në vitin 2019 si dhe vendin e dytë dhe të tretë në Kupën Botërore gjatë viteve 2015 dhe 2018. Ai thotë se kulmin akoma nuk e ka arritur dhe ai pretendon më shumë se kaq.

Mesazhi që Doani përcolli për të gjithë të rinjtë është:

“Vazhdoni merruni me sport, sa më shumë që të jetë e mundur. Sado që të kesh talent në një fushë të caktuar të sportit, ato duhet të kenë dy elemente kryesore siç është karakteri i fortë dhe puna!” përmbylli Doan Osmani.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button