Rubin: Është e qartë se nuk ka përparim në kontestin Greqi-Maqedoni

Nuk ka progres për çështjen e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, por kjo nuk domethënë se ky problem nuk mund të zgjidhet. Kështu është shprehur zëvendësndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Eric Rubin dje në Selanik, njofton agjencia greke shtetërore e lajmeve ANA-MPA.

“Duket qartë se nuk ka shenja se së shpejti mund të ketë lëvizje përpara në këtë kontekst. Është e qartë. Përfundimisht nuk ka marrëveshje të drejtpërdrejtë mirëpo, nga ana tjetër, askush nuk heq dorë. Për disa probleme thuhet se asnjëherë nuk do të zgjidhen. Ky problem nuk është një prej tyre”, ka deklaruar Rubin.

Sipas tij, kontesti i emrit duhet të zgjidhet sepse është me rëndësi thelbësore për të dyja palët, por më e rëndësishme për Maqedoninë.

Ndryshe, minsitri i jashtëm grek, Dimitris Avramopulos më 21 shkurt do të qëndrojë në New York, ku në agjendën e vizitës së tij do të jetë takimi me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon. 

Mediat greke kanë informuar se Avramopulos dhe Ban Ki Moon në qendër të takimit do të kenë çështjen e kontestit të emrit midis Athinës dhe Shkupit, çështja e Qipros në raport me relacionet greko – turke si dhe zhvillimet e tjera në rajonin e Evropës Juglindore. /PortAlb

Lajme të ngjashme

Back to top button