Update: Teuta Arifi dhe Nevzat Bejta i dhanë dorëheqjet e paralajmëruara

Ashtu siç ishte paralajmëruar, sot dhanë dorëheqje, zëvendëskryeministrja për eurointegrime, Teuta Arifi  dhe ministri i pushtetit lokal, Nevzat Bejta, për shkak të pjesëmarrjes së tyre në zgjedhjet e ardhshme lokale si kandidatë të BDI-së për kryetare të komunës së Tetovës, gjegjësisht Gostivarit.

Për kandidaturën e saj, Teuta Arifi tha:

“Si që jeni të njoftuar unë do të garoj në zgjedhjet lokale të këtij viti si kandidate për postin e kryetarit të Tetovës. Për këtë arsye dua t’ju njoftoj që sot do të jap dorëheqje nga funksioni i zëvendëskryeministrit për çështje evropiane dhe do t’i përkushtohem tërësisht fushatës parazgjedhore  që do të zhvillohet në Tetovë.”

Ajo iu referua edhe angazhimit të saj në procesin e afrimit të Maqedonisë drejt BE-së, duke shpresuar se ai do të përfundojë brenda kësaj dekade. 

“Procesi i integrimit evropian të këtij shteti ka filluar dekadën e kaluar ndërsa në rastin më të mirë do të përfundojë këtë dekadë. Për mua ishte kënaqësi që për dy vite kisha përgjegjësinë  të udhëheq me Sekretariatin për çështje evropiane dhe të kontribuoj që procesi i integrimit evropian të ec para me qëllim të përmbushjes së të ardhmes evropiane të qytetarëve tanë .  Në këtë periudhë hapëm Dialogun aderues në nivel të lartë që kontribuoi për progres të konsiderueshëm në procesin e reformimit të shoqërisë tonë, pranuam raport pozitiv  dhe morrëm konkluzat e Këshillit të ministrave të BE që orientojnë qartë kornizat e veprimit tonë të ardhshëm në funksion të fillimit të negociatave me BE.”

Në pyetjen e gazetarëve nëse kandidaturën për kryetare komune të Tetovës e vlerëson si devalvim, ajo theksoi se  me kandidaturën për kryetar komune  të Tetovës është veçanërisht e nderuar, sepse Tetova është qyteti në të cilën jetojnë më shumë shqiptarë, qytet me dy universitete dhe shprehu besimin se do të bëhet gruaja e parë shqiptare kryetare komune, sikurse para 11 viteve kur u bë gruaja e parë shqiptare deputete. 

Ndërsa, ministri në dorëheqje i pushtetit lokal, Nevzat Bejta në arsyetimin e tij tha: 

“Gjithnjë kam qenë i përgatitur ta respektoj vullnetin e shumicës së qytetarëve. Kam qenë i përgatitur ta respektoj demokracinë dhe njerëzinë, lirinë dhe barazinë si dhe drejtësinë. Në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën në vitin 2011, BDI në Gostivar doli fitues dhe nga ajo fitore unë u bëra ministër i vetëqeverisjes lokale. Por, në vitin 2013 situata ndryshoi, shumica e qytetarëve të Gostivarit kërkuan që unë të jem kandidat për kryetar të komunës. Këtë kërkesë e përkrahën organet partiake dhe BDI më kandidoi për kryetar të komunës së Gostivarit. Duke mos dashur ta keqpërdori pozitën e ministrit në zgjedhjet e 24 marsit, unë sot jap dorëheqje të parevokueshme nga funksioni i ministrit”. 

Ai shtoi se prej do të kthehet në mesin e qytetarëve të Gostivarit që të punojnë së bashku për zgjedhjet lokale të 24 marsit. 

Bejta, poashtu u është falënderuar anëtarëve të Qeverisë, administratës së ministrisë së tij, komunave dhe qytetarëve për bashkëpunimin e deritanishëm. /Portalb

* * * * * * * * * * * * * 

Zëdhënësi i Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale Kasam Selimi përmes një komunikate për shtyp ka njoftuar se Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, z. Nevzat Bejta, sot e Premte me fillim në ora 12:00, do të mbajë konferencë për mjetet e informimit, ku do ta bëjë publike dorëheqjen e parevokueshme nga posti i ministrit.

Lajme të ngjashme

Back to top button